Botohet kompleti i veprave të poetit dhe studiuesit Basri Çapriqi

29 Dhjetor, 2023 - 12:30 pm

Shtëpia Botuese Kosova PEN Center këto ditë botoi kompletin veprave të poetit, studiuesit, profesorit universitar, Basri Çapriqi (1960-2018).

Botimi është përgatitur nga Sali Bashota me redaksinë në përbërje: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Binak Kelmendi dhe Osman Gashi, ndërkaq veprat janë dizajnuar nga Arben Grajqevci.

Botimi i veprës komplete të Basri Çapriqit në katër vëllime përfshin poezinë, studimin letrar, esenë dhe publicistikën. Veprat botohen pa ndryshime, pra ashtu siç i ka shkruar autori. Gjithashtu, në këtë botim janë përfshirë shumica e shkrimeve të Çapriqit, të cilat janë paraqitur në konferenca të ndryshme shkencore apo janë botuar në gazeta dhe revista brenda dhe jashtë vendit.

Në vëllimin e parë përfshihen veprat me poezi: “Ulli me dy mijë unaza” (1986), “Në fund të verës” (1986), “Ma qet gjuhën” (1989), “Frutat bizare” (1996), “Zbutja e gjarprit” (2006), si dhe poezi të tjera të cilat janë botuar në vëllimet e zgjedhura “Përkryerja e shiut” (2013) dhe “Perëndim dielli” (2019).

Në parathënien e vëllimit të parë të kompletit, studiuesi Milazimi Krasniqi, ndër të tjera, konstaton se “Botimi i veprës komplete të një autori, pas vdekjes së tij, hap një mundësi të re të komunikimit edhe më të shpenguar me atë vepër, kësaj here pa ngarkesën psikologjike që vetvetiu e prodhon prezenca fizike e autorit në publik. Kështu është edhe me botimin e veprës komplete të autorit të ndjerë Basri Çapriqi, e cila po i vihet në dispozicion publikut, si botim i PEN Qendrës së Kosovës. Poezia e Basri Çapriqit në kuadër të këtij botimi të veprës komplete, me siguri që do të marrë pjesën më të madhe të shkëlqimit të veprës së tij, përballë studimeve dhe publicistikës, sepse Basriu në rend të parë ishte poet e vetëm pas kësaj edhe studiues letërsie dhe publicist”.

Në vëllimin e dytë përfshihet vepra me studime letrare “Mikrostruktura e tekstit” (1990), për të cilën studiuesi Osman Gashi, thotë: “Mikrostruktura e tekstit” është vepra e parë diskursive e Basri Çapriqit e botuar në edicionin e Rilindjes, më 1990. Vepra trajton në mënyrë krejtësisht të veçantë poezinë e sotme shqipe, sidomos atë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mund ta konsiderojmë si një monografi të fokusuar, në radhë të parë, në krijimtarinë poetike të një domeni specifik që studiuesit e kanë emërtuar si poezi e sferës së mbyllur subjektive e që më pas është emërtuar edhe si poezi e komunikativitetit të ulët, poezi e kulluar apo poezi hermetike”.

Për monografinë letrare të Basri Çapriqit “Simboli dhe rivalët e tij” (2005), e cila përfshihet në vëllimin e tretë të kompletit, studiuesi Sali Bashota, ndër të tjera, konstaton: “Studimet letrare të Basri Çapriqit shquhen për temat dhe përmbajtjen që trajtojnë, por edhe për metodën kërkimore e studiuese, e cila e konkretizon autorin që nga fillimet e tij krijuese. Në fakt, interesimi për poezinë e përbën thelbin e kritikës letrare të Basri Çapriqit. Është sfondi nga buron pikëshikimi emocional, teorik dhe estetik përbrenda sistemit të nocioneve kritike, gjithsesi, në përpjekjen për të zbuluar kuptimin dhe domethënien e figurave, sidomos të metaforës, simbolit, mitit dhe paradoksit. Këtu figura, pos që janë të pranishme në analizat dhe në interpretimet e poezisë së poetëve të ndryshëm shqiptarë, po kështu janë shumë të pranishme edhe në vetë poezinë e Basri Çapriqit”.

Vëllimi i katërt i kompletit përbëhet kryesisht nga shkrime publicistike dhe eseistike, të përfshira në veprat “Aksidenti i orës shqiptare” (1993) dhe “Përmasat e kontekstit” (1998), si dhe shkrimeve të tjera të paraqitura në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Në parathënie të këtij vëllimi, studiuesi Ibrahim Berisha thekson: “Aksidenti i orës shqiptare” i Basri Çapriqit është faqja referuese e mendimit modern social, kulturor dhe politik për shqiptarët. Është botuar nga revista “Fjala” më 1993 në Prishtinë. Janë 33 ese, në 156 faqe. Duket qartësia e eseistit të thellë, kritik, kreativ, edhe për tema socio-kulturore. Këtë ia mundësonte mendja e tij e hapur, prandaj lexohej me kurreshtje, se tregonte me saktësi nga duhej të orientoheshin proceset shoqërore, politike dhe kulturore, madje jo vetëm në Kosovë, po në gjithë botën shqiptare.

Botimi i kompletit të veprave të Basri Çapriqit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Të ngjajshme