31 Korrik, 2023 - 3:30 pm
Këto ditë Shtëpia Botuese Logos-A në Shkup, botoi kompletin e veprave të zgjedhura të poetit dhe studiuesit, Sali Bashota, në gjashtë vëllime, përcjell KultPlus.
Në parathënien e studiuesit Milazim Krasniqi, ndër të tjera, thuhet se: “botimi nga Shtëpia Botuese “Logos – A” i kësaj kolane me veprat e zgjedhura të poetit e studiuesit Sali Bashotës, është një projekt që e legjitimon edhe më fort këtë botues si një vatër e vlerave dhe e afirmimit të tyre. Ndërsa lexuesit i mundëson ta vazhdojë e ta rivendos komunikimin me veprën poetike e studimore të një autori të njohur që tashmë është referencë në poezinë shqipe. Kur bëhen bashkë në një projekt të këtillë një shtëpi botuese serioze, sikundër është “Logos-A” dhe një autor serioz, sikundër është Sali Bashota, lexuesi është pala fituese”.
Në vëllimin e parë të kompletit përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Albumi i grisur” (1986), “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) dhe “Bukuri e nëmur” (2006).
Në vëllimin e dytë përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017) dhe “Asnjë zë tjetër” (2018).
Në vëllimin e tretë përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Lutja e parë e shpirtit”, (2020), “Pëshpëritja e agonisë – libri i karantinës” (2020).
Në vëllimin e katërt përfshihet proza poetike, e zgjedhur nga veprat: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020), si dhe disa proza të tjera poetike nga librat me poezi.
Në vëllimin e pestë është përfshirë monografia letrare “Kuteli prozator, poet, kritik” (1999), ndërsa në vëllimin e gjashtë janë përfshirë ese, vështrime, trajtesa, studime letrare, të zgjedhura nga veprat: “Shqipshkrimi kritik” (1997),”Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Enigma e shkrimit” (2018) dhe “Esenca e ligjërimit letrar” (2020).
Në mesin e tyre, dallohen studimet për shkrimtarët: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Françesk Anton Santori, Gjergj Fishta, Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Migjeni, Hafiz Ali Korça, Musine Kokalari etj., si dhe mjaft studime për vepra të shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Gjithashtu, Bashota ka trajtuar dukuri dhe fenomene letrare dhe estetike që ndërlidhen me fatin e krijuesit, me individualitetet e kritikës letrare shqipe, ligjërimin romantik arbëresh, mitet për personalitetet letrare, letërsinë shqipe në diasporë, historinë e letërsisë shqipe, raportet e poezisë me shoqërinë etj.
Botimi i kolanës së veprave të zgjedhura të Sali Bashotës në gjashtë vëllime përfshin krijimtarinë e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare, në fushën e poezisë, prozës poetike dhe kritikës letrare.
Sali Bashota është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. / KultPlus.com