Botohet libri “Ama dorën” i poetes Dije Demiri – Frangu

14 Shkurt, 2025 - 11:10 am

Botimet REA sjell para lexuesve librin më të ri të poetes Dije Demiri – Frangu me titullin “Ama dorën”. I konceptuar në tri kaptina “Kur isha mbret”, “Dashuria është kontinent” dhe “Lagjja që s’flet”, ky libër paraqet vlera të reja letrare duke shënuar avancimin e letërsisë shqipe për fëmijë, në kuptimin e zgjerimit të gamës tematike të saj dhe krijimit të një semantike, por edhe të stilit të ri letrar.

Poetja e ka funksionalizuar dhe e ka ruajtur qasjen pedagogjiko-psikologjike, duke faktorizuar rolin e fëmijës, si dhe rolin e informacionit të lojës në jetën e tij. Gjithsesi këto janë kapërcime kualitative në një kontekst më të gjerë të letërsisë shqipe për fëmijë.

Libri me poezi për fëmijë “Ama dorën”, është një udhëtim unik i bukurisë dhe madhështisë së imagjinatës së fëmijës. Një hapësirë e pafund poetike, e shtresuar përbrenda psikologjisë dhe imagjinatës së fëmijës. Për më tepër, Dije Demiri-Frangu, përmes poezisë me motive urbane, poezisë së dashurisë, lojës, motivit të vdekjes (fare pak i trajtuar në letërsinë tonë për fëmijë), sjellë situata të rralla të jetës në ambiente të ndryshme si dhe krijon meditime mbi to. Përmes krijimtarisë së saj, e posaçërisht përmes këtij libri mjaft interesant, autorja ndihmon në ndërtimin e perceptimit të ri estetik mbi jetën dhe botën e fëmijës sonë.

Libri “Ama dorën”, është përkrahur për botim nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës, ndërsa mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe Dukagjini” në Prishtinë.

Shënime për autoren:

Dije Demiri Frangu është profesoreshë në Fakultin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe. Ka magjistruar dhe doktoruar në shkencat filologjike. Ka botuar 14 vepra, duke përfshirë poezinë për fëmijë e të rritur, si dhe studimet letrare. Poezia e saj është vlerësuar nga kritika. Gjithashtu, është prezantuar në shumë antologji.

Ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja s’është larg” (1981), “Flurudhë” (1985), “Ta shoh botën si gotën” (1987), “Gjithësia si qershia” (1989), “Këmbët e erës” (1995), “Prekja e vdekjes” (2000), “Nar det regnar over havet“ (2002), “Shpirti i luleve” (2007), “Tallje e bukur” (2009), “Letërsia për fëmijë” (2009, 2011, 2019), “Zemra që të bie tamam” (2019), “Qumështi i poezisë” (2019), “Gabimi i shqisave” (2022), “Ama dorën” (2024)./KultPlus.com

Të ngjajshme