Botohet libri “Dardania – antika, mesjeta” nga Jusuf Buxhovi

26 Gusht, 2020 - 12:50 pm

Del nga shtypi libri “Dardania – antika, mesjeta” me autor Jusuf Buxhovin dhe redaktor Ramadan Musliu.

Botues i libri është Shtëpia Botuese “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston

“Dardania – antika dhe mesjeta” mbështetet mbi faktorët kryesorë parahistorikë dhe historikë, që kanë të bëjnë me antikitetin dhe mesjetën si djep i qytetërimit të vjetër botëror në përputhje me zhvillimet shoqërore dhe politike nëpër të cilët ka kaluar e ku Dardanët, si pjesë e botës pellazge-ilire-trake dhe mbretëria e Dardanisë në kuadër të formacioneve shoqërore dhe politike, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, e në disa prej tyre, edhe vendimtar.

Në këtë konfigurim, Dardania antike tejkalon atë nga shekulli IV para erës sonë, pra si mbretëri, në një thellësi, diku nga mesi i mileniumit të dytë, në hapësirën euro-aziatike – te Troja si themelues të saj. Në këtë aspekt, edhe pamja historike e mbretërisë së Dardanisë, nga shekulli IV si dhe raportet e saj me mbretërinë maqedonase, atë të Molosëve, mbretëritë ilire si dhe rivaliteti i tyre i vazhdueshëm për hegjemoni që do të marrë fund me pushtimet romake, është e një rëndësie të veçantë, ngaqë Dardania mbetet forcë gravituese në të gjitha zhvillimet. Madje edhe në strukturat shoqërore dhe politike të Perandorisë së Romës dhe veçmas në atë të Bizantit, kur Iliriku u kthye në krahun perëndimor të perandorisë lindore si pjesë e identitetit të saj politik dhe kulturor, nxjerr në pah fillimisht rolin akomodues në to, dhe atë ndërtues në Bizant gjatë dhjetë shekujve të ardhshëm, ku i ka themelet identiteti shtetëror arbëror-shqiptar.
Krahas problematikës së antikitetit, rëndësi e veçantë i kushtohet edhe Mesjetës. Edhe këtu roli i Dardanisë dhe i Dardanëve, rivlerësohet, duke i nxjerrë ata në qendër të zhvillimeve, që atyre ua përcaktuan kahun jo vetëm në raport me Bizantin po edhe Perëndimin, si një hapësirë ku ato u konfrontuan, duke krijuar realitete të ndryshme shoqërore, politike dhe kulturore në përputhje me garën e tyre për mbizotërim.

Në këtë aspekt, edhe dalja në skenë e dinastisë së Nemanjajve nga Dioklea në Rashë,shikuar nga këndvështrimi i kontekstit të përbashkët historik, Dardaninë Mesjetare, që konsiderohet kështjellë e fundit ilire në Bizant, e kthen në një referencë të pashmangshme të saj. Natyrisht se pamja e Zhupanisë së Rashës si kështjellë e fundit e Bizantit në Dardani si dhe luftërat e vazhdueshme thuajse dyqindvjeçare të dinastisë Tribale të Nemanjajve, për ta zgjeruar atë në përputhje me trashëgiminë historike si fuqi hegjemone në qendër të Ilirikut me pretendimin që ta ndikonte në tërësi ose ta zëvendësonte Bizantin, gjë që jo rastësisht në kulmin e saj gjatë kohës së Stefan Dushanit, u quajt edhe “Illyricum Magnum”(Iliria e Madhe), hap njërin ndër kapitujt me problematikë të vetë çështjes. Ngaqë thyen dy stereotipe të ndërtuar mbi baza antishkencore: atë të historiografisë nacionaliste dhe hegjemoniste serbomadhe, ku Nemanjajt shihen “mbretër serbë” dhe Rasha “qendër e Serbisë Mesjetare”, siç thyen dhe diskursin “shpirtëror” të saj, pra te Rashës dhe Nemanjajve – themel i kishës ortodokse serbe ku edhe thuhet se e ka origjinën autoqefalia e kishës ortodokse serbe në shekullin XIII, që është një mashtrim prej tetë shekujsh.
Thyerja e këtyre diskurseve po ashtu, nxjerr në pah një pamje tjetër historike të Rashës dhe mesjetës në përgjithësi – të një formacioni shoqëror dhe politik, historikisht i lidhur me etninë ilire dhe Dardaninë si qendër e saj, që si themë e veçantë në kuadër të Bizantit, pas pushtimeve bullgare, me fuqizimin në hapësirën e Dardanisë, të Maqedonisë dhe të Epirit, njëherësh u kthye në faktor të asaj që merret si Arbëri mesjetare.

Këto dy qëndrime antishkencore dhe antihistorike mbështeten mbi falsifikimet, retushimet e dokumenteve të ndryshme dhe sidomos mbi rishkrimin e tyre në qendrat e caktuara të fabrikimit (Vjenë, Raguzë, Odesë, Karlovc e gjetiu), të cilave u jepet përgjigje te shtojca :“Mashtrimet e historiografisë serbe rreth mesjetës me konvertime popujsh dhe falsifikime të dokumenteve kishtare”. Në këtë kapitull, pos tjerash bëhet fjalë edhe për “punishtet” të themeluara gjoja për hulumtime mesjetare, duke filluar nga mesi i shekullit XVIII e në vazhdimësi, ku janë seleksionuar, rishkruar dhe falsifikuar dokumentet kishtare sidomos nga Hilandari, pastaj ato kishtare nga Kostandinopoja, nga peshkopata e Ohrit, Raguzës, Karlovcit dhe të tjera,ndër të cilat, si më flagrante në këtë aspekt shfaqen vepra e Orbinit “Kronika e Duklesë”, nga viti 1601 dhe kronika e perandorit Konstantin Porphyrogenitus “De Administrando imperio – Corpus Fontium Historiae Byzantinae” e vitit 1611. Të kësaj natyre, janë edhe kristobulat e manastirit të Deçanit (e vitit 1330) si dhe vepra “Zakonik Cara Dushana” e S. Novakoviqit, të rishkruara në shekullin XIX, të cilat shfrytëzohen si “dokumente emblematike të shtetësisë serbe”!

Pas themelimit të shtetit serb dhe atij grek, në shekullin XIX, atyre u janë shtuar edhe “platformat akademike shtetërore”. Kështu, në përputhje me to, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve dhe më vonë ajo jugosllave kanë punuar pareshtur në këtë drejtim. Në botimet e tyre “enciklopedike”, Tribalët dhe Keltët, po edhe popujt e tjerë antikë, vazhdimisht janë konvertuar në serbë! Madje, edhe dokumentet meritore të autorëve antikë nga Chalconcandylea, Dukas e deri te perandori i Bizantit, Kantakuzini, janë retushuar në mënyrë brutale, siç mund të shihet më së miri me paraqitjen e librit “Popujt e Jugosllavisë në dokumente bizantine”, në gjashtë vëllime!
Diskursi i falsifikimit të historiografisë nga Akademia Serbe e Shkencave dhe simotrat e tyre, me ç’rast promovohet i ashtuquajtur “shtet mesjetar serb” me Kosovën “qendër shpirtërore” dhe Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, në masë të madhe ka ndikuar edhe historiografinë shqiptare, atë zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë. Edhe pas rënies së ideologjisë komuniste si dhe shfaqjes së realiteteve të reja, sidomos të shtetit të pavarur të Kosovës, një pjesë e mirë e historianëve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë të përfshirë në institucionet shkencore, kanë ruajtur diktatin hegjemonist të historiografisë së Beogradit nga koha e klisheve ideologjike dhe të gënjeshtrave të tyre.

Në këtë diskurs antishkencor të historiografisë shqiptare, interpretimi i Rashës dhe dinastisë Nemanjane me origjinë tribale-ilire, luan rol të veçantë, ngaqë ajo pikë për pikë dhe pa asnjë hezitim që të merren në shqyrtim autorët e njohur antikë (Chalconcandylea, Dukas, Kantakuzini e të tjerë, duke përfshirë edhe dokumente meritore të Vatikanit ku zhupania e Rashës me cilësimin “Rex Rasia” ose “Regia Rasian” shfaqet entitet i pavarur shoqëror dhe politik),shihet ekskluzivisht si “qendër e shtetësisë mesjetare serbe” dhe e “kishës ortodokse serbe”!

Ky fiksim, bëhet edhe më absurd edhe për faktin se në vend se të shqyrtohen pozicioni i Dardanisë mesjetare në këtë proces historik si dhe roli i saj në zhvillimet e gjithëmbarshme të Bizantit, ku pasqyrohen edhe identiteti i saj etnik, ai shpirtëror (me pranimin e krishterimit) si dhe administrativ-vetëqeverisës, me të cilat në mesjetën e vonshme lidhet edhe qenia shoqërore dhe politike e Arbërve, në mënyrë që edhe shfaqja e Rashës në Dardani të shihet si pjesë e këtij mozaiku shoqëror dhe politik, ruhen shabllonet propaganduese të Beogradit rreth “shtetit mesjetar serb në Kosovë” të sajuara në shek. XIX për qëllime hegjemoniste, në radhë të parë për t’u arsyetuar platforma “historike”, që nuk e ka shteti artificial serb, e me këtë për t’u arsyetuar përvetësimi dhe asimilimi i faktorit ortodoks shqiptar, dominues në hapësirën e Dardanisë, të Maqedonisë dhe Epirit, në krijimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë! Teza antihistorike e të ashtuquajturit shtet mesjetar serbe, ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë edhe tezën tjetër antihistorike, që ka filluar të marrë krye: “të çlirimit” nga “pushtimi mesjetar serb” që erdhi nga Perandoria Osmane me ç’rast u pranua islami!

Në këtë aspekt, “Dardania – antika, mesjeta”, pozicionimet e shfaqura në “Kosovën” I-VIII nga vitet 2012-2019, rreth Dardanisë si qendër e antikitetit në hapësirën euro-aziatike si dhe rolit të saj të rëndësishëm në të gjitha zhvillimet historike në mesjetë e këndej, i çon më tutje me demistifikimin e të ashtuquajturi shtet mesjetar serb, me ç’rast zhupania e Rashës, e parë si Rashë Dardane, e dominuar nga përkatësia ortodokse e ritit sllav, nxirret nga matrica sllavo-serbe, si një faktor i rëndësishëm historik për t’u bartur te opsioni i hapur që lidh antikitetin ilir-dardan me mesjetën arbërore, si pjesë e realiteteve shoqërore-politike të kohës. / KultPlus.com

Të ngjajshme