Botohet libri “Diplomate e palëkundur” e autores Yvonne – Denise Kochli

28 Prill, 2025 - 11:57 am

Botimet REA sjell para lexuesve librin “Diplomate e palëkundur-Micheline Calmy-Rey”, të autores Yvonne-Denise Kochli, përkthyer nga gjuha gjermane nga Naim Kryeziu. I shoqëruar me parathënie dhe pasthënie, libri është konceptuar në gjashtë kaptina: “Fjalimi”, “Intervista”, “Shënime biografike”, “Kronologjia”, “Legjislacioni” dhe “Bibliografia tjetër”. Në të trajtohen pikëpamjen për barazinë e mirëfilltë gjinore.

Në fokus janë temat e ndërlidhura, si: e drejta e gruas për t’u zgjedhur dhe për të votuar, të drejtat kushtetuese për burrin e për gruan, e drejta e grevës së grave, ligji për barazi gjinore në shpërblimin e punës, politika e pushtetit femëror, “diskriminimi pozitiv”, paragjykimet ndaj grave, cilat kërkesa të grave trajtohen me përparësi, ballafaqimi me historinë e tyre etj. Është pikërisht protagonistja, diplomatja e njohur zvicerane, Micheline Calmy-Rey, e cila mban qëndrim të vendosur dhe u jep zemër grave për t’i shkuar deri në fund rrugës që kanë nisur.

Ajo, ndër të tjera, thotë: “Ç’është e vërteta, në jetën tonë të përditshme ka vetëm çaste pushteti, fusha e hapësira ku mund të ushtrohet pushtet. Nuk ka në njërën anë pushtet dhe në anën tjetër vetëm nënshtrim dhe kundërvënie. Pushtet ka në të gjitha marrëdhëniet njerëzore, ai vepron në mënyrë të shumëllojshme dhe në të gjitha fushat. Në marrëdhëniet dashurore, në marrëdhëniet profesionale, ndër organizata të ndryshme, si edhe midis grave. Marrëdhëniet pushtetore, ashtu të ndryshueshme e të paqëndrueshme, janë të rrënjosura thellë në jetën shoqërore. Tekefundit, ato duhen kuptuar si formë lojërash të panumërta ndërmjet partnerësh, të cilët, me sjelljen e tyre, drejtojnë sjelljen e atij që kanë përballë, dhe kësisoj ndikojnë tek ai”.

Libri “Diplomate e palëkundur-Micheline Calmy-Rey”, i Yvonne-Denise Kochli është përkrahur për botim nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës, ndërsa mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë.

Libri, po ashtu, është prezantuar ne Panairin e librit në Flori Gallery, Prishtina Mall, nga data 23 deri 27 prill 2025./KultPlus.com

Të ngjajshme