Botohet libri me ese dhe studime letrare “Enigma e shkrimit” i Sali Bashotës

5 Qershor, 2018 - 5:30 pm

Libri “Enigma e shkrimit” i Sali Bashotës përbëhet nga ese, trajtesa dhe studime të shkruara këtu e njëzet vjet më parë. Autorë dhe vepra, çështje dhe probleme letrare të diskutueshme, modele krijuese, koncepte mbi letërsinë, duke filluar nga periudha e romantizmit shqiptar e deri tek letërsia e sotme shqipe janë mbarështruar në shkrimet e këtij libri.

Në radhë të parë, poezia, proza, kritika, të shkruara e të botuara nëpër faza dhe periudha të ndryshme të zhvillimit të letërsisë shqipe, janë objekt i interpretimit dhe vlerësimit, me qëllim të njohjes, studimit dhe funksionalizimit të tyre në raport me treguesit e komunikimit letrar.
Në këtë libër synohet trajtimi i temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe
kriterit estetik, para së gjithash, për të evidentuar dhe konceptuar veçori të reja kuptimore midis krijimit letrar dhe mendimit kritik.

Libri “Enigma e shkrimit” trajton edhe çështje dhe fenomene aktuale të letërsisë shqipe, duke
problematizuar diskursin e saj brenda pikëpyetjeve e këndvështrimeve, por edhe debateve që kanë për qëllim kryesor nxitjen e dialogut për sugjerime dhe propozime për leximin dhe receptimin e letërsisë.

Në këtë libër të Bashotës zënë vend personalitete të ndryshme të letërsisë dhe të kulturës shqiptare: Jeronim de Rada, Zef Serembe, Mitrush Kuteli, Faik Konica, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Zija Çela, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Osman Gashi etj. Librin “Enigma e shkrimit” e botoi Shtëpia Botuese “Artini”./KultPlus.com

Të ngjajshme