24 Mars, 2020 - 2:40 pm
Një shtëpi e pavarur botuese e ka publikuar librin me kujtime të regjisorit, Woody Allen, pasi projekti i planifikuar të botohej nga “Hachette Book Group” ishte anuluar për shkak të kritikave të shumta që kjo shtëpi botuese i kishte marrë nga publiku, për shkak se regjisori i famshëm hollywoodian akuzohet për ngacmim seksual nga vajza e tij.
Libri me titull “Apropos of Nothing” është publikuar anembanë botës, kështu ka bërë të ditur shtëpia e botimeve “Arcade Publishing” në një komunikatë për media.
Autobiografia e shumëpërfolur, përshkruhet si ditarë personal, i sinqertë dhe gjithëpërfshirës i Allenit, ku ai flet për jetën, karrierën dhe raportet me familjarët dhe miqtë e tij, transmeton Koha.
Shtëpia botuese “Hachette Book Group” në të kaluarën kishin bërë të ditur se do ta publikojnë librin e Allenit, në muajin prill të këtij viti. Por, pas këtij lajmi një numër i madh i punëtorëve të shtëpisë botuese me bazë në New York, ishin larguar nga vendi i punës në shenjë proteste lidhur me vendimin e kompanisë për publikimin e projektit të regjisorit.
Allen vazhdimisht i ka mohuar akuzat për ngacmimin seksual të vajzës së tij të adoptuar, Dylan Farrow, ngjarje kjo e cila besohet të ketë ndodhur në vitin 1992.
Jeanette Seaver, bashkë-themeluese e “Arcade Publishing”, tha në një deklaratë për media se vendimi i tyre për ta publikuar librin e regjisorit, ishte çështje e lirisë së fjalës.
“Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme ta dëgjojmë më shumë se një anë të historisë, dhe më e rëndësishmja të mos e mohojmë të drejtën e një shkrimtari për t’u dëgjuar nga publiku,” ka shtuar Seaver.
84-vjeçari Allen, është një prej dhjetëra regjisorëve, aktorëve e producentëve të Hollywoodit të cilët janë akuzuar për ngacmim seksual, që nga krijimi i lëvizjes #MeToo në fund të vitit 2017.
Lansimi i filmit të vitit 2018 të regjisorit kontrovers, “A Rainy Day in New York”, është refuzuar nga studioja “Amazon”, ndërsa filmi i tij i fundit, “Rifkin’s Festival” është xhiruar në Spanjë dhe ende nuk është lansuar nëpër kinema.
Allen ndër vite i ka mohuar akuzat e ngritura nga vajza e tij, të cilat i kishte mbështetur edhe nëna e saj aktorja Mia Farrow, e cila kishte luajtur në disa filma të Allenit dhe ishte në lidhje me regjisorit për një kohë të gjatë, para se ai ta braktiste për vajzën e saj të adoptuar, Soon Yi Previn. Deri më tani, regjisori nuk është paditur ndaj akuzave për abuzim.
Woody Allen është fitues i katër shpërblimeve Oscar, përfshirë këtu kategorinë “Regjisori më i mirë” për filmin e vitit 1977, “Annie Hall,” i cili po ashtu u shpall filmi më i mirë i atij viti. /KultPlus.com