Botohet libri “Imigrimi nga Ballkani Perëndimor” me bashkautore Vjollca Hajdarin

28 Korrik, 2020 - 10:27 pm

Pikërisht në kohën kur Gjermania debaton lidhur me ardhjen e vazhdueshme të emigrantëve nga gjithë Ballkani Përëndimor, doli në shtyp libri në gjermanisht „Imigrimi nga Ballkani“. Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Serbia, janë vendet, të cilat trajtohen në libër, meqë numri i njerëzve, të cilët marrin rrugën për në Gjermani, është duke u rritur nga dita në ditë.

Vjollca Hajdari: Ky libër është vetëm fillimi. Më ka dhënë impuls që të fokusohem në peripetitë e shqiptarëve me qëndrim ilegal në Gjermani dhe të hulumtoj rreth të drejtave ligjore të shqiptarëve në integrim dhe punësim.

Arsyet janë ҫeshtja politiko-ekonomike në vend, ndaj një numër i madh nga Kosova dhe Shqipëria kanë kërkuar azil viteve të fundit. „Problemi më i madh që paraqitet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, është ikja e trurit dhe e fuqisë punëtore, e cila kërkon mundësi punësimi në Gjermani“, thotë Vjollca Hajdari.

Bashkautorja e librit ka përmendur arsyet që i shtyejnë shqiptarët të braktisin vendin e tyre dhe ka bërë përpjekje, që të vë në pah pengesat me të cilat ata ballafaqohen kur mbërrijnë në shtetin gjerman. E ashtuquajtura „Rregullore e Ballkanit Përëndimor“ është temë qëndrore në këtë libër dhe sjell një dinamikë të re në gjithë tematikën rreth qëndrimit në Gjermani.

Përpos historive të suksesit të shumë mjekëve dhe akademikeve në fusha të ndryshme, për të cilat është shumë e lumtur, Vjollca Hajdari thotë se e brengos edhe ajo pjesa e „padukshme“ e shqiptarëve – një numër i konsiderueshem i tyre, me qëndrim ilegal në Gjermani. „Ata s kanë si të mbrohen nga parregullsitë. Ka shumë punëdhënës që e shfrytëzojnë situatën e tyre dhe nuk i paguajnë. Alarmante është gjendja e tyre shëndetësore e psikike, e ku nuk mund të trajtohen në mjekësi. Për kushtet në të cilat jetojnë, mos te flasim fare“ shprehet ajo.

Sipas politologes shqiptare, ky libër është vetëm fillimi. „Më ka dhënë impuls që të fokusohem në peripetitë e shqiptarëve me qëndrim ilegal në Gjermani dhe të hulumtoj rreth të drejtave ligjore të shqiptarëve në integrim dhe punësim“, thotë Vjollca Hajdari.

Por jo vetëm ky grup i njerëzve has në vështirësi të tilla. Libri pasqyron edhe situatën e shumë infermierëve dhe kuadrove të tjerë punuese, të cilët përballen me një situatë fare të panjohur për ta. Problemi i banimit, qiratë e larta dhe kushtet jo të volitshme për banim, janë vetëm ca nga problemet që i përmendin ata.

Libri „Imigrimi nga Ballkani Përëndimor“ është në fakt një përmbledhje e historisë së migrantëve nga Ballkani, që nga koha e „Gastarbajterëve“ dhe deri më tani. Autorët: Max Behrendt, Kareem Elcheikh, Marcus Engler, Vjollca Hajdari dhe Boris Zujko kanë analizuar intervistat e shumë migrantëve dhe ekspertëve ligjorë, duke u fokusuar në kornizat aktuale ligjore, politikat e integrimit dhe perspektivat në të ardhmen.

Ky libër, i cili është mbështetur nga Senati Gjerman për Integrim, Punë dhe Çështje Sociale, ishte shkruar para krizës së pandemisë dhe ka përfunduar gjatë COVID-19. Mu për këtë situata aktuale me Coronavirusin, është edhe një krizë dhe sfidë e re, me të cilën përballen migrantët në Gjermani.

Nuk ishte e lehtë, por ja që ne arritëm ta realizojmë këtë projekt, thotë Vjollca Hajdari, e cila ka falënderuar Institutin për Arsim, Kërkim dhe Hulumtim „Minor“ për besimin në punën e saj. Ajo gjithashtu ka shprehur mirënjohjen ndaj ekspertit për Migracion dhe Azil, Dr. Marcus Engler, i cili ishte edhe udhëheqësi i projektit. Botues i librit „Imigrimi nga Ballkani Përëndimor“ është Christian-Pfeffer-Hoffmann. /Albinfo.ch /KultPlus.com

Të ngjajshme