30 Korrik, 2021 - 5:31 pm
Sapo ka dalur nga shtypi libri i Liri Lubonjës, “Larg dhe mes njerëzve”, botuar nga shtëpia botuese PA, Prishtinë, 2021, përcjell KultPlus.
Liri Lubonja, në këtë libër autobiografik rrëfen e përshkruan jetën në internim, në Shqipërinë komuniste. Idealiste që ballafaqohet me dënimet e të shoqit dhe të birit si ‘armiq të popullit’, privimet e përditshme, padrejtësitë, ajo megjithatë arrin të bëjë analizë të thellë objektive, pa rënë në sentimentalizëm, të shumë aspekteve të asaj jete të tmerrshme e njëkohësisht absurde. Përmes rrëfimit të saj shpërfaqen ngjarje e personazhe të ndryshme, pra Liria nuk përqendrohet vetëm në jetën e saj, por përfshin shumëçka të përjetuar atyre viteve, 1973-1990.
Liri Lubonja ishte partizane, historiane dhe gazetare në Shqipërinë komuniste. Ishte e martuar me Todi Lubonjën, i cili, në vitin 1973, u shkarkua nga posti i drejtorit të televizionit dhe u dënua me 15 vjet burg. Edhe i biri, Fatos Lubonja, u burgos deri në rënien e regjimit komunist. Me pjesën tjetër të familjes, Liria u internua për 17 vjet në fshatrat e rrethinës së Lezhës. Sot, 95-vjeçare, ajo jeton në Tiranë. Përveç „Larg dhe mes njerëzve. Kujtime internimi 1973-1990“ ka shkruar edhe „Kohët e reja, kujtimet e vjetra“. / KultPlus.com