Botohet libri ‘Lirika e dashurisë’-Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi

10 Shkurt, 2021 - 1:04 pm

Këto ditë Shtëpia Botuese ‘Olymp’, botoi veprën me studime letrare me titullin  ‘Lirika e dashurisë” Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi, përcjellë KultPlus.

Objekt i këtij studimi është lirika e dashurisë e poezisë së Fatos Arapit dhe Azem Shkrelit. Kjo lirikë, e shprehur me një figuracion të pasur dhe me një mjeshtëri poetike është ndër lirikat më të realizuara të dashurisë në poezinë shqipe. Krijimtaria poetike e këtyre dy poetëve të mirënjohur, Arapi dhe Shkreli, e pasuroi poezinë shqipe me elemente, veçori dhe tendenca të reja ideoartistike dhe stilistike.

Arapi dhe Shkreli, krijuan në një kohë të përbashkët, i pari në gjysmën e dytë të viteve ’50, dhe i dyti në etapën e parë të këtyre viteve, atëherë kur letërsia shqipe i ishte nënshtruar censurimit të saj, si pasojë e problemeve të shumta ideologjike, në mes të ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo ndikoi që letërsia e Kosovës për periudha kohore të caktuara, të mbetej krejtësisht e larguar dhe e veçuar nga letërsia që krijohej brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë periudhë kohore, zë fill krijimtaria poetike e Arapit dhe e Shkrelit, e cila duke filluar rrugëtimin e saj nga trevat rajonale të Vlorës dhe të Rugovës, erdh dhe u zhvillua më tej, duke zënë vend në panteonin e vlerave të poezisë shqipe.

Poezia e tyre, e përshkruar nga motive të shumta, shpërfaq spektre të gjera që sjellin koloritin e mjedisit të cilit i përkasin poetët, duke u nisur kështu nga vetvetja, drejt një konceptimi universal. Krahas lirikës atdhetare, sociale, meditative, të peizazhit, që zë një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë poetike të tyre, lirikae dashurisë tek këta dy poetë, mund të thuhet më shumë të drejtë që arrin kulmin e talentit të tyre krijues. Dashuria për gruan, dhembja që sjell kjo dashuri, tensionimi dhe çekuilibrimi shpirtëror, reflektohet fuqishëm në vargun poetik të Arapit dhe të Shkrelit.

Kjo lirikëe dashurisë që i përshkon poezitë e këtyre dy poetëve, ndonëse nuk shfaq vëllimshmëri, në krahasim me motivet e tjera të poezisë së tyre, zë një vend të veçantë në lirikën erotike shqipe. Nëse tek Arapi, tema e dashurisë është e pranishme që në fillimet e tij poetike, por që më vonë shkon duke u rrudhur, tek Shkreli, lirika e dashurisë zë një vend të rëndësishëm, ndonëse jo me vëllim të madh.

Duke u nisur nga ky aspekt dhe duke marrë parasysh konceptin e ndryshëm tematik dhe motivor të këtyre poetëve për dashurinë, studimi i nënshtrohet dy metodave, metodës analitike, përmes së cilës do të njihet më afër poezia e tyre erotike me të tëra elementet e saj, dhe asaj krahasimtare, që do t’i vë ballë për ballë Arapin dhe Shkrelin, qëllim ky që do të shërbejë për t’i njohur më mirë veçantitë e njërit kundrejt tjetrit. Thelbi i lirikës erotike të këtyre dy poetëve, në mënyrë përmbledhëse do të shpaloset bashkë me historikun dhe zhvillimin periodik të lirikës në përgjithësi, veçmas asaj shqipe, për të shpalosur kështu një informacion më të plotë tëlirikës erotike dhe rrugëtimit të saj nëpër kohë, si dhe vendin e caktuar të Arapit dhe të Shkrelit në të.

Studimi është i ndarë në disa kapituj: “Etimologjia e poezisë lirike, (termi, tipat, zhvillimi historik)”, “Në vend të biografisë, Arapi dhe Shkreli, Deti dhe Mali”, “Lirika e dashurisë në fillimet e krijimtarisë poetike- etapa e parë”, “Lirika e dashurisë në etapën e dytë krijuese”, “Në botën poetike erotike të Arapit”, “Një vështrim mbi mjeshtërinë dhe veçantinë krijuese të Arapit dhe të Shkrelit” dhe Përfundimi.

Tek kapitulli i parë, sikundër u cek më lart, do të shpaloset historiku i lirikës, që nga antikiteti gjer në kohët e sotme, duke u ndalur në manifestimin e lirikës erotike dhe vendin e saj në letërsinë shqipe, që nga krijimet popullore gjer tek poezia bashkëkohore; tek kapitulli i dytë, do të vihet në pah binomi deti-mali, si komponent i rëndësishëm në poezinë erotike të Arapit dhe të Shkrelit; tek kapitulli i tretë do të trajtohen fillimet e poezisë erotike të këtyre dy poetëve, gjegjësisht konceptimi dhe qasja e tyre mbi dashurinë dhe ndikimet e tyre të para; tek kapitulli i katërt do të veçohet krijimtaria poetike e Shkrelit, gjegjësisht vëllimi “E di një fjalë prej guri”; tek kapitulli i pestë poezia erotike e Arapit, elementet dhe veçantitë e saj; tek kapitulli i gjashtë do të shpalosen veçoritë e poetikës, stili, figurshmëria dhe veçantitëkrijuese të Arapit dhe të Shkrelit, si dhe pjesa e fundit e që është përfundimi.

Duke iu qasur në mënyrë sa më përfshirëse lirikës së dashurisë të këtyre poetëve, synohen të arrihen qëllime dhe rezultate të caktuara. Duke e vënë në pah fazën e parë të krijimtarisë poetike të tyre, gjegjësisht poezinë e dashurisë në fillimet e saj, dhe duke e gërshetuar, krahasuar me atë të periudhave më të mëvonshme, do të arrihet një njohje më e plotë e konceptit krijues të këtyre poetëve mbi dashurinë, të ndryshimeve dhe të zhvillimeve që do të shfaqë ky lloj i poezisë së tyre gjatë etapave krijuese të saj.

Biografi e autores

Serafina Lajçi u lind më 17.07.1989 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Vijoi studimet bachelor dhe master në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, ku aktualisht është duke ndjekur edhe studimet e doktoratës.

Interesimi i saj profesional lidhet kryesisht me veprat e autorëve romantikë shqiptarë, me fokusim tek ‘Poema romantike arbëreshe’ që është orientimi i saj kryesor në studimet e doktoratës.  

Ka botuar shkrime, recensione dhe studime në gazeta e revista letrare-kulturore, brenda dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë edhe në konferenca të organizuara ndërkombëtare për letërsinë.

Aktualisht, punon si asistente e rregullt në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme