Botohet libri ‘Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha’ i autorit Muhamet Mjeku

3 Shkurt, 2025 - 9:43 pm

Botimet REA këto ditë botoi librin “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha”, i shkruar nga publicisti i njohur Muhamet Mjeku, mbështetur nga biznesmeni, Harry Bajraktari, veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan.

Siç thuhet, në parathënie “botimi i vitit 1991 u shtyp në 10.000 ekzemplarë në një kohë të rrezikshme kur okupatori fashist serb, mbylli të gjitha mediet në gjuhën shqipe dhe institucione të tjera shtetërore në Kosovë”.

Botimi i dytë është i plotësuar me të dhëna të reja për Luftën e Drenicës dhe për figurën e Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarëve të tij. Gjithsesi, janë me interes rrëfimet autentike të dëshmitarëve të shumtë, të cilët i shpalosin kujtimet e tyre, si dhe kërkimet sistematike të autorit për të zbuluar dokumente të rëndësishme që ndërlidhen me këtë periudhë.

Libri “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha” me gjithsej 300 faqe është një monografi historike dhe dokumentare për Drenicën në periudhën e viteve dyzet të shekullit të kaluar.

Gjithashtu në këtë libër bëhet fjalë për personalitete të tjera që lidhen me veprimtarinë atdhetare të Shaban Polluzhës dhe Luftën e Drenicës, në periudha dhe kohë të ndryshme, si: Ymer Berisha, Marie Shllaku, Sadik Lutani, Hysen Lutani, Isuf Gjilani, Ukë Sadiku, Hazir Gjaka, Mulla Ilaz Broja, Ndue Përlleshi, Nuhi Gashi, Feriz Boja etj.

Muhamet Mjeku ka një përvojë krijuese të dëshmuar në fushën e gazetarisë, duke filluar në gazetën “Rilindja, por edhe në realizimin e shumë emisioneve dokumentare në mediet e Kosovës”, sidomos në Televizionin e Prishtinës. Për më tepër, Mjeku pos që ka botuar mjaft artikuj publicistikë dhe fejtone me karakter politik-historik në gazeta shqiptare në Kosovë, kontributi i tij i pakursyer është dëshmuar edhe me botimin e gazetës “Illyria” në New York.

Muhamet Mjeku deri më tani ka botuar këto vepra: “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha” (1991, botimi i dytë i plotësuar 2024), “Vdekja në Bunker” (1996), “Shqiptarët 120 vjet pas Lidhjes së Prizrenit” (1997), “Pse sulmohet Drenica” (1998),”Një copëz Shqipëri në Manhattan”(2001), “Kosova në dimrin e vitit 1945” (2003), “Një jetë në mes Kosovës dhe Amerikës” (2008), “Familja Mjeku, rrugëtimi historik” (2019), “Nga larg dhe afër” (2023).

Librin “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha”, të Muhamet Mjekut, mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme