23 Qershor, 2020 - 1:52 pm
Jeta dhe krijimtaria e Muharrem Qenës, një nga artistët më të njohur shqiptar, do të vijë e përmbledhur përmes librit monografik “Muharrem Qena-Ëndërrimtari”, shkruan KultPlus.
Libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun dhe muzikantin e njohur, doli sot nga shtypi.
Me autor Arian Krasniqin dhe të ndjerën Arzana Krajën, ky libër sjell profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Qenës.
Autori Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar për botimin e librit dhe gjithashtu ka falënderuar familjen Qena për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Sot doli nga shtypi libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun e muzikantin Muharrem Qena, me titull “Muharrem Qena-ëndërrimtari”. Në bashkautorësi me kolegen Arzana Kraja, kemi arritë të sjellim profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Muharrem Qenës. Faleminderit botuesit “Integra”, Kushtrim Koliqit për përkushtimin në realizimin e këtij projekti! Një falënderim e mirënjohje e thellë i dedikohet edhe familjes Qena për besimin e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme!”, ka shkruar Krasniqi.
Muharrem Qena është një nga artistët më të njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera.
Muharrem Qena vdiq më 25 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com