12 Nëntor, 2024 - 6:57 pm
Shtëpia botuese Bard Books ka botuar librin më të ri të shkrimtarit Arben Idrizi, me titullin “Përvojë dhe Thagmë”.
Librin “Përvojë dhe thagmë” shkrimtari dhe kritiku Ag Apolloni e ka vlerësuar si një libër të veçantë, duke thënë se: “Përvojë dhe thagmë është diçka mes eksperiencës dhe epifanisë. Këtu, nëpërmjet formave të ndryshme poetike, kemi përjetime dhe reflektime të thella. Duke e përdorur fokusin e fjalëve, Arben Idrizi, si subjekt vrojtues dhe përjetues, i afron gjërat me një zoom poetik, apo, siç thuhet, i bën gjërat me thagmë, për ta çuditur lexuesin edhe kur flet për gjërat e rëndomta. E, dihet se ç’rëndomtësimi është proces poetik për ta kthyer përvojën në art. Përvojë dhe thagmë na tregon sa i bukur është arti dhe sa e brishtë është jeta”.
Arben Idrizi, i njohur si poet, prozator dhe përkthyes, deri tani ka botuar përmbledhjet poetike: Heqakeq (Prishtinë, 2003), Libri i të qenit (Prishtinë, 2009), Zveri vole utadžbinu (Beograd, 2013), Fletore poezish ‘10-’15 (Prishtinë, 2016), Poezi, 2016 (Tiranë, 2017), Poezi, ’17-’18 (Prishtinë, 2019), Libri i dhunës (Tiranë, 2019), Poezi, ‘19-’20 (Prishtinë, 2021). Gjithashtu, ka përkthyer librat: “Hiçi që është nën” të Valerio Magrellit, “Dy drama” të Tino Caspanellos, “Martesa e Kadmit dhe Harmonisë” të Roberto Calassos dhe “Mendime” të Giacomo Leopardit.
Librin e gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”, në Prishtinë./ KultPlus.com