Botohet libri ‘Pika ime e dobët‘ e autores Xhevrije Kurteshi Nimani

20 Maj, 2023 - 6:30 pm

Autorja Xhevrije Kurteshi Nimani, ka publikuar librin ‘Pika ime e Dobët‘, libër i cili është përmbledhje poezish me tematika të ndryshme, shkruan KultPlus.

Natyra, vendi, dashuria ndaj prindërve janë disa nga vargjet të përfshira në këtë libër, vargje këto fuqishëm ruajnë idenë e rilindasve të kombit.

Redaktori i librit, Hysen Ibrahimi, thotë se autorja me poezinë e saj del fare qartë, duke bërë një paraqitje të re poetike në letërsinë bashkëkohore, kurse në anën tjetër di ta realizojë një paraqitje të situatave nga më të ndryshmet, që janë aktuale në historinë poetike dhe në jetën letrare, ku në disa raste përfshin dashurinë ndaj prindit, vendit, natyrës dhe gjithçkaje që është shqiptare. Vargu i saj ruan fuqishëm idenë e rilindasve tanë, është një kala mbrojtëse nga ngarkesat e jashtme dhe të brendshme, që i vinë kombit tonë.

“Në vlerësimin tim, poetja Xhevrije bën mjaftueshëm përpjekje serioze në krijimin e poezisë së saj në planin lirik, të cilat janë mjaft të ngjashme me ato poezi që japin nyjet e dashurisë atdhetare. Madje, me të drejtë nxjerr vargje me formulim interesant, që i gjejmë edhe te poetët e mëdhenj, me çka mund ta emërtonim letërsinë bashkëkohore në poetikë. Pse? Sepse poetja Xhevrije Kurteshi Nimani ka shkruar nën ndikimin e ngjarjeve historike të vendit të saj të lindjes, por edhe për vetë ngjarjet e ndodhura e përjetuara personalisht. Pra, ky formulim i vargjeve të poetes me të drejtë duhet vlerësuar, botuar dhe promovuar  përmes këtij botimi”, ka thënë Ibrarimi./KultPlus.com

Të ngjajshme