11 Mars, 2021 - 8:32 pm
Monografia e studiueses së Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, dr. Silvana Nini është një prej katër librave të botuara nga QSPA.
“Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e Arbëreshëve të Italisë së Jugut”, shoqëruar me vizatime të veshjeve” është titulli i botimit.
Ky libër me 187 faqe, sjell përveç studimit shkencor dhe historikut të ndjekur nga veshjet arbëreshe, edhe një album me ilustrime mbi tipologjinë e veshjes arbëreshe, të realizuar nga vetë autorja si dhe përfshin edhe një fjalorth terminologjik mbi këtë fushë. Punimi ka karakter shkencor po gjithashtu merr përsipër të njohë dhe informojë një target -grup më të gjerë mbi vlerat artistike të kostumit të gruas arbëreshe, rëndësinë e tij si një trashëgimi shpirtërore e komunitetit arbëresh, e po ashtu edhe mbi zhvillimin që kjo veshje ka pasur gjatë rrugëtimit historik të këtij komuniteti.
Monografia përbëhet përbëhet nga katër pjesë: 1. Kostumi i gruas arbëreshe në këndvështrimin e një trashëgimie shpirtërore, (rëndësia e simbolikës në ruajtjen e kostumit). 2. Faktorët, që ndikuan në zhvillimin e kostumit arbëresh (gjurmimi i faktorëve nëpërmjet një rrugëtimi historik). 3. Elementet përbërës dhe vlerat estetike të kostumit të nuses/festës. 4 Vizatime të kostumit arbëresh të nuses/festës. Pavarësisht elementeve të përbashkët, vjeshjet arbëreshe shfaqen me karakteristika të veçanta për çdo komunitet edhe pse diku është më shumë e diku më pak e dukshme. Gjithashtu ky dallim vjen edhe në ngjyrimet gjuhësore që marrin emërtimet e këtyre elementeve të veshjes në secilin komunitet. Një hapësirë e veçantë në këtë punim, u është lënë edhe ilustrimeve të kostumeve të nuses/festës për të finalizuar rrugëtimin etnografik të kësaj veshjeje.
Ilustrimet e realizuara nga vetë autorja janë realizuar me teknikën e akuarelit dhe paraqesin veshjet që mbartin karakteristikat më kryesore të çdo varianti dhe, atje ku është parë e nevojshme, është paraqitur edhe ndonjë element specifik i veshjes, si keza apo pandera. Një botim i këtij profili etnografik paraqet interes, sepse bota arbëreshe është e njohur deri më sot tek ne kryesisht përmes letërsisë së saj dhe kjo – e paraqet sigurisht të fragmentuar tërë konstruktin e pasur shpirtëror, që ai komunitet e ka mbartur dhe e ruan prej shekujsh. /dsh/ KultPlus.com