Botohet në Holandë libri ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ nga Ag Apolloni

6 Tetor, 2022 - 9:14 pm

Libri i shkrimtarit Ag Apolloni ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ është botuar në Holandë, përkthyer nga Jan Jansen, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Apolloni përmes një postimi në Facebook.

““Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i përkthyer nga Jan Jansen, u botua në Holandë.”, ka shkruar Apolloni.

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën.

Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës./ KultPlus.com

Të ngjajshme