2 Nëntor, 2023 - 11:03 am
Para disa ditëve, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë, e publikoi numrin e radhës të revistës për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”.
Në këtë numër special janë publikuar studimet e punonjësve shkencorë që morën pjesë në tribunën me temë: “Tetova dhe kontributi i saj në proceset historike gjithëkombëtare” që u mbajt më 20 shtator 2022 dhe që u organizua nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”.
Në këtë edicion special flitet për Tetovën, përkatësisht për Pollogun, si pjesë e pandarë e zhvillimeve dhe e proceseve historike, përkujtohen figura emblematike të këtij trualli të cilët me veprimtarinë e tyre në lëvizjet kombëtare kontribuuan në çlirimin, në avancimin dhe në sendërtimin e aspiratave tona. Po ashtu, hidhet dritë e re mbi ngjarjet historike të së kaluarës të kësaj zone, mbi përpjekjet e shqiptarëve të kësaj treve për ruajtjen e identitetit, për vazhdimësinë e ekzistencës, të kulturës, të historisë, të traditës, të gjuhës, etj.
Kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës i revistës “Metafora”, Selam Sulejmani thekson se Tetova zë një vend të veçantë edhe në studimet e udhëpërshkruesve të huaj. Ata e përshkruajnë qytetin tonë dhe e veçojnë për pasurinë etnokulturore, për peizazhet natyrore dhe për vlerat etnologjike tepër tërheqëse si dhe për gjallërinë e veçantë të jetës ekonomike dhe shoqërore. Ata e paraqesin qytetin rrëzë Sharrit si një vend, në dukje të mbyllur, por në të vërtetë tepër të hapur ndaj botës.
“Sipas studiuesve, në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, Tetova bënte pjesë në mesin e tridhjetë qyteteve kryesore të trojeve shqiptare, të cilët me veprimtaritë e tyre zejtare dhe tregtare ishin jo vetëm tregues të zhvillimit ekonomiko-social të vendit, por kontribuonin ndjeshëm edhe në ecurinë e këtij zhvillimi. Po t’i referohemi historisë së shtypit shqiptar, mësojmë se Tetova dhe rrethina e saj pasqyrohen edhe në shtypin e Rilindjes, sidomos në vitet e ngjarjeve të mëdha, siç janë vitet 1897-1899, kur lëvizja jonë kombëtare çoi në organizimin e Lidhjes së Pejës, në vitin 1908 kur lëvizja xhonturke arriti fitoren me shpalljen e kushtetutës xhonturke, ku, sikurse dihet, forcat e armatosura të katërkëndëshit Selanik-Manastir-Tetovë-Shkup, luajtën një rol të veçantë, si dhe në vitet 1911-1912, kur kryengritjet e mëdha shqiptare ndihmuan në shembjen e Perandorisë Osmane. Në artikujt e gazetave të kësaj periudhe në të cilët pasqyrohen ngjarje të rëndësishme, Tetova dhe tetovarët përmenden si element kryesor që kanë ndihmuar në zhvillimin e ngjarjeve si dhe në përtëritjen e besës së dhënë dhe të vendosur, për ta çuar kauzën shqiptare deri në fitoren përfundimtare. Në një analizë të thellë të një studiuesi, Tetova mund të trajtohet edhe si një kronikë historike, përkatësisht qendër e zhvillimeve të mëdha që e kanë shoqëruar këtë qytet ndër vite”, deklaroi Selam Sulejmani.
Sipas tij, mjafton ta përkujtojmë periudhën e Skënderbeut në Pollog, pjesëmarrësit tetovarë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rolin e ministrit të Luftës, Memet Pashë Derallës në qeverinë e Ismail Qemalit, përpjekjet për bashkim kombëtar në shekullin XIX, veprimtarët tetovarë ndër vite, siç janë Memet Gega, Rafi Halili, Sadudin Gjura, Zaim Beqiri, Fadil Sulejmani dhe shumë atdhetarë të tjerë, Rilindjen Kombëtare dhe organizatën “Besa”, mësuesit e parë të ardhur nga Shqipëria në Tetovë, gjeneratën e parë të “Normales”, rrëfimet e udhëpërshkruesve, shkrimet e para për Tetovën në gazetat britanike, rininë gjimnaziste në ballë të demonstratave të Tetovës, demonstratat e ’68-ës, demonstratat e ’81-shit, fillimin e pluralizmit politik në vitin 1991, themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1994, luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitit 2001, veçoritë arkitektonike, vlerat kulturore-historike dhe fetare, e dhjetëra e dhjetëra përshkrime e rrëfime autentike.
Punimet e publikuara në revistën e sipërpërmendur janë tema me interes për lexuesin dhe vijnë nga studiues të njohur, si: Nebi Dervishi: “Të dhëna për Tetovën në shekullin XV-XVI”; Xheladin Murati: “Shkolla dhe arsimi shqip në qytetin e Tetovës në rrjedhën historike”; Agron Salihi: “Numri i shkollave dhe i nxënësve në Tetovë e rrethinë (1948-1962)”; Bardhyl Zaimi: “Mes harresës dhe protagonizmit”; Behixhudin Shehabi: “Tetova në shekullin XIX dhe perspektiva urbane e qytetit”; Besnik Rameti: “Mehmetriza Murtezani – Gega dhe Rafi Halili, dy figura historike dhe emblematike të Tetovës dhe të qëndresës kombëtare”; Fadil Lushi: “Sa më pak bukë, ujë dhe ajër për Sadudinin dhe për bashkëmendimtarët e tij”; Habil Bexheti: “Historiku i klubit të futbollit ‘Shkëndija’ ”; Ibish Kadriu: “Tetova, vendi i pikënisjeve për zgjidhjen e çështjeve kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni”; Lulzim Memedi: “Kontributi i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës në nxjerrjen e kuadrove arsimorë në Komunën e Tetovës”; Salajdin Salihu: “Muidi, poeti fatkeq nga Tetova”; Shaban Sinani: “Tetova dhe kontributi i sportit në proceset historike gjithëkombëtare”; Zejnepe Alili – Rexhepi: “Veprimtaria kulturore-arsimore e mësuesve shqiptarë (bashkëshortë) Abdyrrahman dhe Hyreme Tresi”; Zeqirija Idrizi: “Kriza humanitare e Kosovës dhe reflektimi i saj në Pollog në vitin 1999”; Zeqirija Rexhepi: “Roli politik dhe humanitar i shqiptarëve të Maqedonisë gjatë kohës së çlirimit të Kosovës”; Xhelal Zejneli: “Shpërngulja e të rinjve nga Tetova dhe rrethina” dhe Selam Sulejmani “ Homazh për Bajram Sulejmanin dhe për banorët tjerë të fshatit Vicë që e humbën jetën në masakrën e Dubrovnikut në vitin 1945”.
Bashkëpunimi i Shoqatës “Tradita” me emrat më përfaqësues të inteligjences sonë ka rezultuar tejet i suksesshëm, sidomos në veprimtarinë botuese, në hulumtimet shkencore dhe në përkujtimin e ngjarjeve dhe të personaliteteve nga lëmi i arsimit, i kulturës dhe i artit.
Botimi i revistës për letërsi, art dhe kulturë “Metafora” u financua nga Ministria e Kulturës e RMV-së. www.tradita.org. / KultPlus.com