8 Maj, 2020 - 8:26 pm
Libri me poezi me titullin “Pëshpëritja e agonisë”, i botuar këto ditë nga PEN Qendra e Kosovës, i poetit Sali Bashota, është vepra e parë e shkruar dhe botuar nga një autor në rrethanat e karantinës. Siç thuhet në parafjalën e autorit, kjo vepër pikënisjen dhe përfundimin e saj, e ka në periudhën e shfaqjes dhe të pranisë së pandemisë së koronavirusit, i njohur si COVID-19, i cili e ka përfshirë, pothuajse, tërë botën, shkruan KultPlus.
Në këtë mënyrë, idetë, motivet, temat e poezisë janë strukturuar, pikërisht në ballafaqim me realitetin ekzistues, aty ku prodhohet ndjeshmëria krijuese dhe receptohet ndjeshmëria njerëzore, por edhe humanizmi dhe vlerat fundamentale të njeriut, sidomos betuesit e Hipokratit.
Në këtë libër poetik, figurat më të përdorura janë: jeta, lutja, ëndrra, dashuria, lumturia, frika, uji, dhimbja, fati, vetmia, karantina, shpëtimi, malli, prekja, përshëndetja, agonia, vdekja.
Ka edhe figura të tjera, të cilat bashkë me këto që u përmendën më lart, e përkundin ëndrrën e jetës në procesin krijues, domosdo, me një kërkesë të veçantë emocionale, aty ku shpërthen kuptimi dhe domethënia për fatin e njerëzimit nga shfaqja e së panjohures dhe e së padukshmes që e ka kapluar njerëzimin.
Realiteti i frikshëm paraqitet si vetënjohje, për ta funksionalizuar ligjërimin përbrenda aktit të ngujimit apo karantinës, kështu që idetë dhe mesazhet e poezisë ndërtohen përbrenda dy pamjeve antitetike: midis dhimbjes dhe lumturisë, midis pesimizmit dhe optimizmit, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, midis jetës dhe vdekjes.
Ballafaqimi me të panjohuren është esenca e poezisë. Në fakt, e panjohura bëhet pikë referimi për ta shpalosur tërë botën e frymëzimeve në këtë libër poetik.
“Pëshpëritja e agonisë”, mund të jetë një libër i shpalosjes së ankthit dhe i situatave ekzistenciale, në të cilin dimensioni psikologjik e rikuptimëson frymën njerëzore, përbrenda një realiteti të ri dhe të panjohur në rrethana të tilla për njerëzimin që ka të bëjë me frikën nga e keqja e padukshme.
Gjithsesi, është një përpjekje për të vënë një komunikim poetik për fatin e gjërave që kanë ndodhur dhe që mund të ndodhin në jetën e njeriut dhe herën tjetër, që është kryesorja, konceptimi i fenomenit të lirisë në rrethana absurde dhe paradoksale.
Sali Bashota ka botuar vepra me poezi, prozë poetike, me ese dhe studimeve letrare. Poezia e tij është përkthyer në shumë të gjuhë të botës, pastaj është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa autori është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë e më gjerë.
Vepra “Pëshpëritja e agonisë”, së shpejti pritet të botohet edhe në gjuhën angleze. /KultPlus.com