11 Dhjetor, 2017 - 2:30 pm
Shkrimtari Gëzim Aliu ka botuar romanin “Gosti në natën e parë të vjeshtës”. Në një prononcim për KultPlus, Gëzim Aliu ka shpjeguar zanafillën e këtij romani dhe ka folur shkurtimisht për temat e tij. Ai është shprehur se ideja për këtë roman daton që nga koha kur qëndronte në një rezidencë për shkrimtarë, në Vjenë, në vitin 2012.
Ishte ide për një tregim të gjatë, të cilin nuk e kishte botuar bashkë me tregimet e tjera në përmbledhjen “Libri i fundit”, që u botua atë vit në Prishtinë.
“Ishte ide që mund të zgjerohej në diçka më të madhe, prandaj nuk e futa mes tregimeve të tjera, që u botuan po atë vit, në Prishtinë. Ideja, që tashmë ishte bërë skicë me disa degëzime, u skajua nga disa punë të tjera të miat”, shprehet Aliu.
Ai më tutje thotë se, ndërkohë, kishte bërë një përpjekje për të bashkuar tekstin e skicës me tekstin e ditarit që kishte mbajtur gjatë qëndrimit në Vjenë. “Por, pas një kohe, teksa po e rilexoja, e ndjeva që dorëshkrimi nuk ishte i gjallë, nuk merrte frymë. Simbioza mes tekstit të ditarit dhe tekstit fiksional nuk ecte, ishte shartim pa fryt”, konstaton Aliu.
“Sapo teksti i ditarit ra nga kombinimi, e ndjeva thellë në vete se ideja fillestare e parehatshme, që degëzohej vazhdimisht, mund të bëhej roman. Menjëherë pasi e botova një monografi, pikërisht para një viti, iu ktheva me tërë vëmendjen. Për një vit të tërë jam marrë me këtë roman”, shton ai.
Ndërkaq për KultPlus, autori Gëzim Aliu, tregon edhe për atë se per çfarë flet romani.
“Pothuajse ndodh gjithmonë që, kur i tregon dikujt se ke botuar roman, të pyet menjëherë se për çfarë bëhet fjalë në të. Sigurisht do të përgjigjesha kështu: “Gostí në natën e parë të vjeshtës” është roman për luftën, dashurinë dhe marrëzinë”, shprehet ai.
Kurse, shkrimtari Agron Gashi shprehet se romani “Gostí në natën e parë të vjeshtës” është plot lojë, erotizëm e ironi, plot humor e trishtim, një trishtim i bukur që rrallë e ndeshim në prozën shqipe.
““Gostí në natën e parë të vjeshtës” është roman ku hierarkia kulturore shndërrohet në anarki, seriozja në sarkazëm dhe ironi, tragjedia në komedi, etika në estetikë, për të fituar kjo e fundit”, vlerëson Gashi.
Agron Gashi shprehet se Aliu, duke qenë edhe njohës i mirë i diskursit narrativ dhe i teorisë së romanit, thur rrëfime e minirrëfime interesante, duke ruajtur njëkohësisht një linjë fabulare, me një strukturë kompozicionale unike: rrëfim dhe vetëm rrëfim, pa ndarje klasike në kapituj e nënkapituj.
Gashi e vlerëson lart autorin e romanit “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, duke thënë se Gëzim Aliu është mjeshtër i rrëfimit, gërmues i psikes së njeriut, një detajist i përkryer në imazhe, figura dhe situata narrative.
“Gosti në natën e parë të vjeshtës”, lexuesit mund ta gjejnë në librarinë Artini, te Instituti Albanologjik si dhe tek sheshi i librit, më saktësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Parnas”./ KultPlus.com