20 Maj, 2019 - 11:00 am
Pas rreth dy viteve punë, kapitull pas kapitulli, më në fund, të gjitha ato shkronja të gjuhës shqipe, që përbëjnë diku rreth 50 mijë fjalë, janë nisur drejt shtypshkronjës për të sjellur para lexuesve romanin e radhës të autorit Driton Smakaj, me titull “Mistere të koduara”.
Ky është romani i katërt në zhanrin e mistereve dhe që sjell një ngjarje të komplikuar mes kurtheve të shërbimeve të inteligjencës.
Botues i romanit është Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë, nën përkujdesjen e shkrimtarit të njohur Nazmi Rrahmani. Ju kujtoj që romani i tij i famshëm “Malësorja” është shkruar në vitin 1965, që do të thotë, 14 vite para lindjes së autori Driton Smakaj.
Redaktor është një tjetër shkrimtar i njohur në trevat shqiptare dhe jashtëzakonisht aktiv në kontribut të letrave shqipe edhe në arenën ndërkombëtare, Ibrahim Kadriu, ku edhe ofron një pasthënie interesante për romanin në fjalë.
Ky roman do dali nga shtypi për lexuesit, me ndihmën financiare nga Mërgim Lala, një afarist i suksesshëm shqiptar, që jeton dhe vepron në qytetin Houston të Teksasit në SHBA.
Kopërtinën e ka dizajnuar poeti dhe shkrimtari i palodhshëm që jeton në Vjenë, Besim Xhelili. Me imagjinatën e tij, misteret e koduara i ka përplasur në një zonë mes kubeve, që ikin diku në një hapësirë pambarim.
Ky roman pritet të ketë promovimin në Prishtinë dhe për këtë KultPlus do të ju njoftojë me kohë. / KultPlus.com