10 Korrik, 2024 - 11:20 pm
Shkrimtarja shqiptare, Iliriana Rama-Allajbegu, ka botuar librin e saj “The Reunion”, si një përkushtim të fuqishëm dhe emocional për gratë e Kosovës, jetët e të cilave u shkatërruan nga lufta e fundit.
Ky roman kornizon fatet e ndërthurura të katër shoqeve të fëmijërisë – Besës, Arianës, Suzit dhe Fatimes – të cilave befas iu shkatërrohen ëndrrat dhe aspiratat nga lufta.
Autorja Iliriana Rama-Allajbegu në njoftimin e saj për daljen në treg të librit, ka thënë se është shumë e lumtur meqë ka punuar shumë për të .
“Romani është një tentim i imi i sinqertë që të shkruaj një homazh për vajzat dhe gratë e Kosovës që kanë përjetuar dhe mbijetuar luftën në Kosovë”, ka shkruar autorja në profilin e saj në ‘facebook”.
Ajo ka treguar se romanin e ka shkruar në gjuhën angleze, meqë s’ka hasur romane që janë botuar jashtë Kosovës e që e trajtojnë temën e dhimbshme të asaj se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Iliriana Rama Allajbegu thotë se libri i saj do të jetë një mundësi edhe për të rinjtë shqiptarë që janë lindur e rritur në vende të ndryshme të botës.
Autorja e librit shpreson në përkthimin e tij në gjuhën shqipe së shpejti dhe në plasimin e librit edhe në tregun e Kosovës. Librin mund ta gjeni ne formë elektronike në Amazon.com, Barnes & Noble, Apple Books App, etj.