7 Maj, 2024 - 10:55 pm
Nga Branko Merxhani
Ç’ndryshim ka midis nocioneve të Politikës dhe të Kulturës? Ç’është Politika? Ç’është kultura? Dhe sidomos ç’do me thënë të merresh me kulturë pa bërë politikë? (…) (…) Çdo shoqëri çfaq dy farë vullnetesh sociale. E para është Kultura, e dyta është Politika. Kultura përmbledh të gjitha përpjekjet theorike dhe përshtypjet spiritualiste ose materialiste të një Shoqërie. Kurse Politika përmban dhe përmbledh të gjitha mundimet praktike që bën një grup shoqëror brenda rrokullimeve të historisë së vet. Puna e Kulturës, në parim, është një punë mendimi, që ecën kryesisht drejt zbulimit të së Vërtetës. Politika, në parim, është edhe kjo një punë mendimi, por një punë që nuk ka si qëllim kryesor të gjejë të vërtetën; Politika ecën drejt për drejtë për në Fuqi dhe për në Pushtet. Roli i një njeriu të Kulturës kufizohet në gjurmimin dhe përhapjen e së Vërtetës. Mendimtari përpiqet të përhapë mendimet e veta dhe t i futë në vetëdijen e bashk atdhetarëve të tij. Mendimtari s ka nevojë të vërë në dorë fuqin reale dhe të sundojë botën duke u mbështetur në bajonetën e xhandarit. Ai ndjek rrugën e vet. Dhe ndjek këtë rrugë me guxim dhe me qetësi. Ai ecën edhe duke vuajtur. Roli i një njeriu të Politikës është krejt i ndryshëm. Politikë do të thotë sundim.
Dhe asgjë tjetër. Qëllimi i një njeriu të Politikës, natyrisht kur ky është një njeri i urtë dhe i sinqertë, është një qëllim i lartë që ka një kuptim historik. Politikani përpiqet të qërojë jetën shoqërore nga zakonet e këqija, nga veset, dhe në vëndin e tyre të vendosë të mirat. Prandaj Politikani ka nevojë të domosdoshme të vërë në dorë fuqinë e sundimit dhe të zotërojë, pa asnjë kufizim, të gjitha zotësit vepronjëse të një vëndi. (…) Artistët, Moralistët dhe Filozofët janë vetëm Mendimtarë. Këta i propozojnë popullit ndjenjat dhe mendimet e tyre: Vetëm i propozojnë. Nuk mund t ia imponojnë.(…) Kultura s ka të bëjë aspak as me Parlamentin as me Qeverinë. Qëllimi i saj nuk është të fitojë shumicën në Parlament dhe të formojë Qeverinë. Kultura, që t i bëjë të pranueshme bukuritë që ndjen, të mirat që jep shëmbull dhe mendimet që shfaq, nuk kërkon ndihmën e organeve zyrtare. Kultura veprat e veta i vleftëson ndryshe. Ka në dorë një tok mjetesh morale. Ka b.f. bindjen, shijën, enthuziazmën dhe një sëri mënyrash të tjera veprimi. Që të mësohet përmënç një vjershë e bukur, s ka nevojë që të votohet një dekret-ligjë. Gjithashtu asnjë ligjë nuk mund t a ndalojë këndimin e një libri. Bilé është vënë re se librat e ndaluara kërkohen dhe këndohen më tepër. (…)Një sundimtar mund t imponohet edhe për hirë të violencës. Kurse një mendimtar thjeshtë nuk pëlqehet ose simpathizohet. Autoriteti që ky gëzon mbi një pjesë të popullit, nuk është një autoritet relatif. Është një autoritet personal. S ka të bëjë me pozitën e vet. Ka të bëjë vetëm me personin e vet. Një e vërtetë shkencore, një vepër artistike, një meritë morale, nuk humbet asgjë nga vlera e saj kur nuk çmohet nga ana e zyrtarëve ose edhe kur gjen mospërfilljen e tyre. Vulat e zyrave nuk janë dokumenta kulturale. Janë vetëm akte administrative dhe gjyqsore. Me këto vula vihen në litar edhe të dënuarit dhe lartësohen edhe zotërinjt e ndershëm.
* * *
Siç e kemi shpjeguar gjer këtu me një mënyrë krejt të hapët dhe pothuaj popullore, Politika dhe Kultura janë dy farë veprimtarish krejt të ndara dhe të veçuara njera nga tjetra. Janë të veçuara në përmbajtje dhe të ndara në qëllime. Kombet që dinë mirë të ndajnë njerën nga tjetra këto dy farë veprimtarie shoqërore, përparojnë dhe lartësojnë hem organizmën e jetës së tyre politike, hem organizmën e jetës së tyre kulturale. Përkundrazi ku këto dy gjëra trazohen midis tyre, atje Kultura bëhet skllavi i Politikës dhe humbet kuptimin e qënies së vet; dhe nga ana tjetër edhe Politika fshin dhe çvleftëson çdo lloj përpjekje që ka si qëllim të ndihmojë Shoqërin në ecjen e sajë drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe kështu shkatërrohen dhe degjenerohen të gjitha. Politikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk. (…)
1936/Hejza/ KultPlus.com