24 Maj, 2023 - 12:15 pm
Pjesën qëndrore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dje e kaploi një frymë tjetër. Kjo pasi aty u diskutua për një nga figurat konceptuale të letërsisë shqipe, atë të Ernest Koliqit.
Ishte 120 vjetori i shkrimtarit që kishte bërë bashkë gazetën online për art dhe kulture, KultPlus dhe BKK-në që të sjellin këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në nderim të një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë moderne shqipe.
Për të folur për këtë figurë të veçantë të letrave shqipe, KultPlus kishte përzgjedhur që me kumtesat e tyre të paraqiteshin personalitete të shquara dhe njohës të jetës e veprës së Koliqit, si Agim Vinca, Albana Mehmetaj dhe Ndue Ukaj.
Me “Kroni i ngrim”, një nga poezitë më të mira të Koliqit, nën interpretimin e studentës së Fakultetit të Filologjisë, Lorenta Ibraj nisi kjo orë letrare e cila kishte mbledhur rreth vetës dashamir të librit dhe lexues të veprës së Koliqit.
Tutje fjalën e mori drejtorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila Orën Letrare për Ernest Koliqin e vlerësoi lart.
“Një dedikim për Ernest Koliqin është i rëndësishëm sot dhe gjithnjë, duke pas parasysh rolin e figurës së Koliqit në letërsi, në arsim dhe në publicistikë”, ka thënë Pajaziti, e cila ka shtuar se me qëllim të shtrirjes se figurës së Koliqit nëpër gjenerata, me qëllim ka bërë shtrirjen e përfshirjes së gjeneratave në këtë orë letrare, duke nisë që nga profesori Agim Vinca e deri te studentët.
Më pas, me kumtesën e saj ”E reja dhe trashëgimia”, studiuesja Albana Mehmetaj nisi të flas për Ernest Koliqin, një ndër autorët më të njohur të letërsisë moderne shqipe dhe një nga themeluesit e kësaj letërsie.
”Koliqi si njohës i letërsive moderne evropiane, njohës dhe zbulues i kulturës tradicionale shqiptare krijoi një model të ri letrar, si në formë ashtu edhe në ide, duke i kombinuar këto dy premisa në një diskurs personal përmes semantikës simboliste dhe narracionit simbolik e metonimik”, u shpreh Mehmetaj në hyrje të kësaj ore letrare, duke vazhduar tutje të shtresoj idetë e Koliqit rreth asaj se si duhet të burojë një vepër letrare.
”Koliqi mendon se një vepër letrare duhet të burojë nga trashëgimia etnike, pasi që ngjarjet e vogla, të përditshme, janë brumë për tema të mëdha letrare. E nga këtu buron motivimi i tij për veprën letrare duke e mveshur me një sensibilitet të ri e modern.
Sipas Mehmetaj, Koliqi donte të ndërtonte Shqipërinë e re, brezin e ri e kohën e re përmes trashëgimisë të rrënjëve të vjetra, e jo duke e shuar dhe zhdukur atë, por duke e jetësuar.
Tutje Mehmetaj foli në detaje rreth prozës dhe poezisë se Koliqit, duke shtjelluar secilën nga pak e duke treguar rreth simboleve, temave e ideve që autori ka përdoruar në veprat e tij. Një analizë më të thukët, Mehmetaj e bëri edhe për romanin e vetëm të Koliqit, ”Shija e bukës së mbrume”.
”Shija e bukës së mbrume” është vepër e ideve në të cilën përshkrimi dhe rrëfimi shkrihen gjithherë për të dhënë sa më qartas idenë autoriale”, tha ndër të tjera studiuesja Albana Mehmetaj.
Pas kësaj kumtese mjaftë të rëndësishme për veprën e Koliqit, ishte radha e studentit Albin Shala për të sjell para publikut të pranishëm një tjetër poezi mjaft emocionuese të autorit.
Ndërsa profesori universitar Agim Vinca ishte përgatitur të flas për një aspekt të veçantë të krijimtarisë se gjerë të Koliqit. Ai trajtoi veprën “Antologji për lirikën shqipe” botuar më 1963 në Romë. Vina tregoi se në këtë antologji e cila ishte shkruar në kohën kur Koliqi nuk kishte kontakte me Shqipërinë shkaku i regjimit komunist, përfshihen 32 poetë shqiptarë, duke filluar nga poeti arbëresh i shek. XVIII Jul Variboba e gjer te Fahredin Gunga (i lindur në vitin 1936), që është poeti i fundit i përfshirë në këtë libër.
”Antologjia e Koliqit është konceptuar, siç del edhe nga titulli i saj, si antologji e lirikës e jo e poezisë shqipe në përgjithësi .Kjo arsyeton mungesën e Gavril Darës të Riut dhe Pashko Vasës. Ndryshe nga disa krijues të tjerë të brezit të tij, Koliqi tregohet mjaft tolerant sa i përket përkatësisë krahinore, fetare e madje edhe ideologjike të shkrimtarëve”, u shpreh Vinca i cili tutje u ndal edhe tek një pikë tjetër mjaft e rëndësishme, atë të trajtimit të letërsisë shqipe të Kosovës nga ana e Koliqit.
“Ndryshe nga ç’veprohej asokohe në Tiranën zyrtare, ku nuk botohej asgjë nga letërsia që krijohej jashtë kufijve politikë të Shqipërisë e as që flitej fare për atë letërsi (i njëjti qëndrim, por në kahje të kundërt, mbahej edhe në Prishtinë ndaj letërsisë që krijohej në Shqipëri), Koliqi jo vetëm që s’e mohon letërsinë shqipe të Kosovës, por, përkundrazi, e trajton atë me dashamirësi. Koncepti i Koliqit ndaj letërsisë (poezisë) shqipe është koncept etnik e jo koncept politik”, tha Vinca.
Për Vincën, Koliqi është një nga stilistët tanë më të mirë dhe një nga prozatorët tanë më me vlerë. Ai është i bindur se tri veprat e tij kryesore në prozë: Hija e maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936) do të mbeten në fondin e përhershëm të letërsisë shqipe.
”Brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist, Koliqi shfaqet interesant edhe si antologjist. Edhe në këtë fushë ai dha kontributin e vet të çmueshëm, duke luajtur shumë herë jo vetëm rolin e përzgjedhësit, por edhe të përkthyesit dhe të studiuesit”, tha Vinca.
Fjala e Vincës pasoi me një tjetër poezi nga student Albin Shala, I cili tutje I dha hapësirë studiuesit Ndue Ukaj, i cili na paraqiti Koliqin si poet, ministër, drejtues, profesor e përkthyes. Sipas Ukaj, Koliqi ishte besimtar i artit dhe fuqinë e tij e konsideronte të epërme.
”Koliqi në veprën letrare e studimore e lidh bukur traditën me të tashmen dhe bëhet shprehje e së resë, duke themeluar tregimin modern shqiptar e duke krijuar institucione të vlefta kulturore. Në të vërtetë, Koliqit përfaqëson një model unik kulturor në krijimtari, por edhe në fushën studimeve”, u shpreh Ukaj.
Ai vazhdoi tutje duke treguar lidhjen e Koliqit me vendin e tij, Shkodrën, gjë që vërehet shumë në veprën e tij.
”Veprimtaria intelektuale dhe artistike e Koliqit është shprehje e personalitetit dhe e formimit të tij, e familjes dhe e mjedisit etik e estetik ku u formua dhe u shkollua”, tha Ukaj i cili tutje foli edhe për veprën artistike dhe studimore të Koliqit e cila tregon se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe i palëkundur i kulturës.
“I vetëdijshëm se kultura ishte arma ma fisnike e më e fuqishme për t’ia ndalë hovin së keqes. Dhe ai besonte te kjo armë, prandaj e përdorte forcën e saj t’iu dhënë kahe pozitive zhvillimeve shpirtërore, për të pasuruar me punë fisnike jetën e varfër shpirtërore e intelektuale të kohës, gjë të cilën e shprehte në shkrimet artistike, por edhe në studimet e analiza: “…sidomos kultura”- shkruante ai “asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese që mërzisin e molisin popullin e Shqipnis së mjerë.”
Krejt për fund, Ukaj u shpreh se Koliqi ishte i bindur se një shoqëri vlen aq sa është e kulturuar, përparon aq sa i kushton vëmendje e rëndësi kulturës dhe pranohet në vlerat e përbotshme aq sa ka forcë t’i jep vlera ushqyese kulturës dhe civilizimit botëror, prandaj përpjekja e tij për t’i dhënë kombit vlera shumëdimensionale nuk pushoi kurrë.
Kjo orë letrare u përmbyll me një tjetër poezi të Koliqit duke i ofruar publikut kështu edhe një herë frymën e Koliqit në mesin tonë e cila vazhdon ndër breza e breza.
Ora letrare për Ernest Koliqin erdhi në kuadër të Javës së Bibliotekës e organizuar nga gazeta online KultPlus dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës ”Pjetër Bogdani”. / Kultlus.com