Bukuroshja

24 Prill, 2020 - 12:19 pm

Tregim nga Jeton Jagxhiu

Ky tregim i shkurtër është i shkruar enkas për Librin/ Katalogun ‘CONTAINPORARY‘ KosovaPavilion2020, për Pavilionin e Kosovës në Biennalen e Venedikut kuruar nga M. Vezgishi.

Fati e kishte përkëdhelur ato me emërtime të shumta. Duke kërkuar nëpër harta të vjetra i gjeja të shënuara me emra të ndryshme dhe kjo më bënte të vështirë ta dalloja nëse bëhej fjalë për të njëjtin qytet. Secili autor duhet ta ketë quajtur ate sipas preferencës së vet, mendoja. Afrodita, Atena, Artemida, Hestia, Demetra, Hera apo Kora ishin emërtimet më të shpeshta të saj, por kishte ajo edhe emra të tjera në përdorim. Se cili prej kartografëve e kishte me të drejtë, këtë nuk mund ta dija, megjithatë për një gjë te të gjithë gjeja pajtim… qytetin në fjalë e njihnin për më të bukurin vend.

Sebep saj, pas një dekade të kaluar në karantinë, pa hezituar shumë vendosa të merrja udhën andej. Se si ishte e bukur këtë do të zbuloja gjatë udhëtimit.

Së pari me kompas ia nxorra afërsisht pozitën në hartë. Më patën udhëzuar se në rrugën tokësore që i lidh dy kryeqytetet e botës, ate do ta gjeja në mes. Ajo herë kishte qenë qyteti më lindor i Perëndimit, e herë më perëndimori i Lindjes. Në mënyrë ciklike i kishte ndryshuar padronët për të qenë herë pas here edhe krye në vete. Rrugës mes këtyre dy superfuqive kishte edhe disa qytete të tjera që kishin ndikuar shprehitë e saja dhe më duhej ti takoja. Pastaj u ula dhe skicova një hartë për rrugëtim (shih. hartën) dhe u nisa pas saj.

Isha ende i ri dhe kisha kohë pa kufi. Më priste jeta, më prisnin të gjitha, secila nga shtatë qytetet sa ishin atëbotë, duhej të ishte më e mirë se tjetra. Në udhëtim e sipër, kuptimi i emrave të saja do të bëhej nge për imagjinatën time.

***

Nga kryeqyteti madhëshor që deti e ndante në dy gjysma, udhëtova te e shoqja me pallate vezëlluese të ndërtuara mes kanaleve të ujit, prej nga erërat jugore më fërfëlluan te fortesa e ndërtuar me tulla të argjenta, për të lundruar më tej te porti që ruhej prej nimfave të detit, kaluar matanë te qyteti i plleshëm me lumenj e liqe, e deri te ajo me kala në udhëkryqin e rrugëve që më dërgonte te qyteti që po e synoja. Secila ishte ndryshe nga tjetra, me dukje, me karakter, me qëllime e me kujtime, megjithatë dolën të ishin kryevepra. Magnetike, të mençme, gjuetare, virgjëresha, amnore e mashkullore, të gjitha i adhurova si hyjnesha. Por në gjirin e tyre nuk mund të rrije përherë, mua më priste ajo tjetra.

Ashtu si u tha, qyteti i fundit gjindej në mesin e tyre. Ate nuk e mbanin fort për hyjneshë, por ajo i ngërthente të gjithat në vete. Përkundër se gjindej larg detit, rregullisht vizitohej prej pulëbardhave. Ndahej në dy gjysma, ama nuk ishte e madhe. Rrugët e saja kishin shumë kanale uji, mirëpo ato nuk i shërbenin për lundrim. Kalaja me ushtri i qëndronte si kurorë në kokë, por ama aty kurrë askush nuk kishte luftuar. Thuhej se ishte rritur me lugë të argjendit dhe kishte mësuar gjuhët e qyteteve të tjera. Mirëpo përtej saj, kishte diçka tjetër që i jepte asaj një cilësi të dalluar.

Ajo zhdukej, argëtohej dhe kthehej përsëri. Ishte si ato vajzat lozonjare që nuk mund t’i mbaje veç për veti. Vajtje-ardhjet e saja, kishin përkëdhelur me emra të shumta, varësisht se cili kartograf e kishte vizituar ate. Megjithatë duhej ta vizatoja vet për të  kuptuar se nga i buronte hijeshia.

Përkundër se të gjithë e kishin pushtuar, ate kurrë taman nuk e kishin rrënuar. Përfundi saj, njëra mbi tjetrën i gjeje të shtresuara plot qytete të tjera. Mjafton të hapje një temel shtëpie dhe mund të hasje në ura, sheshe, faltore, kroje, tempuj dhe hamame të tjera nga kohrat e kaluara. Objektet që të kapte syri në rrugë ishin vetëm pjesë të ndonjërës prej shtatë qyteteve të saja, tërësia e të cilave jetonte nën dhe. Në mesin e tyre i gjeje poetë, piratë e pelegrinë. Kish mbretër e princesha. Pushkatarë, argjentarë, bari e bahçegji, që të gjithë ia kishin dhuruar asaj një diçka nga vetja.

Bukuria e saj gjindej në mesin e shumësive të saja. Ndërsa ajo, endej mes tyre duke i mirëmbajtur miqësitë me banorët e saj të gjithëhershëm. Endej me këmbëngulje nga emri në emër, mahallë më mahallë, prej gjuhe në gjuhë, të gjitha i dashuronte. Sa shumë histori që rrëfente. Shquhej për emra të shumta, ndërsa e quanin bukuroshe.

Më kujtohet si sot, se si isha mahnitur kur më ra të shihja për herë të parë. Nga atje lart dukej si një vaginë gjigante e shtrirë në natyrën e plleshme. Me plepa të radhitura në deltën së saj, e me petale të lagura në atë mes, po e strehonte tërë një qytet. I vinte aromë e tre mijë luleve të egra të maleve të vjetra. Ajo më joshte me harenë e saj, ndërsa unë i jepesha për aq sa më linte. Sa herë që ngrohej koha, zhytesha dhe notoja në ujërat e saja të argjenta. Nuk e mohoj se ende e dua, por një herë moti para asaj thatësire të madhe që e kaploi planetin, ajo vajti dhe nuk u kthye më. Nuk e di se nga më mbeti, por qysh prej asaj kohe qyteti i saj i bukur u kaplua nga shterpësia. /KultPlus.com

Të ngjajshme