28 Gusht, 2017 - 9:47 pm
Shkrimtarja franceze Emmanuelle Favier ka botuar kësisoj librin e saj të parë, romanin i cili flet për Manushen – një burrneshë e cila betohet të jetojë përgjithmonë si mashkull.
Mediet franceze po e vlerësojnë lart librin i cili duket se ka zgjuar interesim tek lexuesi francez, sidomos kur flet për një dukuri të tillë të veçantë në Shqipëri.
Favier, e lindur në vitin 1980, është përgjigjur në disa pyetje për Culturebox, revistën e njohur franceze, rreth librit të saj “Le courage qu’il faut aux rivières”.
Manushe është një nga ato « virgjëresha të përbetuara » (Virges jurées). Në një fshat të Ballkanit ku ajo jeton, ajo është e respektuar nga të gjithë. Por kur shfaqja e Ardianit, një njeri me një të kaluar enigmatike dhe vështrim tërheqës, do t’ia kujtojë papritur e në mënyrë brutale feminitetin e saj, dëshira e bën të rrezikojë…
Cila është tema konkrete e romanit tuaj?
Është e komplikuar. Është një fokus evident tek virgjëreshat e betuara shqiptare, ndërsa ka edhe tema brenda më të thella, sikur identiteti. Se si këto gra krijojnë identitetin e tyre, se si ne imponojmë krijime identitetesh tek njerëzit. Mua më intereson diçka e tillë sepse jam rritur në një ambient të thjeshtë, e lirë të bëj ç’të dua, pa ndonjë imponim nga lart, pra jam rritur me plot privilegje. Dhe kur e nisa librin, desha të nisesha nga një shoqëri me limite, nga një sistem me ego dhe me kufizime. Romani ka tri karaktere, secili si një version i idesë “Unë vendos çka jam”, duke u rikthyer gjithmonë tek vetja.
Si erdhi deri te lindja e këtij libri ?
Në një muze në Marsejë të Francës, kalova tek një fotografi ku shkruhej “virgjëresha të përbetuara”. Ka diçka të tillë edhe në pjesë të ndryshme të botës, por kjo është për mua një dukuri unike në Ballkan. Këto janë gra që shndërrohen në burra dhe pranohen shumë normalisht në shoqëri, kudo në Evropë. Aspak të margjinalizuar, shumë të respektuar. Komuniteti në Shqipëri, shembull, e respekton faktin se ato u sakrifikuan për mirëqenien e të tjerëve. Sakrifica u njihet sepse janë më të forta se meshkujt.
Pse pikërisht ky titull?
Titulli “Kurajë që u duhet lumenjve” i referohet në fakt guximit dhe kurajës që ndonjëherë i duhet njeriut për të përcjellë një rrugë e cila shpesh mund të jetë e rrezikshme. Lumi e përcjellë shtratin e tij, por shpesh duhet të kalojë malet. Më pëlqen titulli në fakt, flet shumë për guximin që dikush duhet ta ketë për të qenë vetvetja. / KultPlus.com