22 Janar, 2021 - 1:07 pm
Shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi ka kujtuar sot poetin, gazetarin dhe studiuesin Ramadan Musliun, njëherit edhe redaktorin e veprës së tij, shkruan KultPlus.
Duke pirë një kafe me Danin, pa Danin, Buxhovi kujton mikun e tij me fjalë prekëse e të ndjera.
Sipas Buxhovit, Dani ishte një mik i ideve intelektuale dhe idealeve për shoqërinë e më të mirës si model politik gjithëpërfshirës i të gjitha kohëve. Si i tillë, Dani ishte një “aristokrat” i vetmuar midis krijuesve.
Po ju sjellim fjalët e Buxhovit për mikun e tij, Raman Musliun:
KAFJA PËR DANIN, PA DANIN…
Në ditën e njëzet e dytë të tetorit të vitit të kaluar, kur ia bëra nderimet e fundit Danit, me të cilin miqësinë e kishim peng, ktheva aty, ku për herë të fundit, më 25 shtator, pas promovimit të “Dardanisë”, pimë kafe.
Porosita dy kafe. Ekspreson e shkurtër, për Danin, siç e pinte për vite të tëra, dhe një makiato për vete.
Kamarieri, nuk priti t’i thoja se ajo kafe do të mbetej e paprekur.
Nga ajo vetmi e trishtë, më nxori ndjenja e një falënderimi adhurues ndaj një miku të ideve intelektuale dhe idealeve për shoqërinë e më të mirës si model politik gjithëpërfshirës i të gjitha kohëve. Si i tillë, Dani ishte një “aristokrat” i vetmuar midis krijuesve, siç ishte Lasgushi, apo A. Pashku. Dani, megjithatë, ishte edhe redaktor dhe mentor i veprës sime. E ndihmoi dhe e ndikoi aq shumë saqë mund të merret edhe bashkautor i pjesës së saj më të konsoliduar,
Kur po largohesha dhe lash filxhanin e kafes në tavolinë, si diçka që humbjen e kthen në kujtim të përhershëm, ndjeva sikur Dani po më përcillte dhe po më ngushëllonte me miqësinë që e kishim peng jete.
Kjo ma largoi ndjenjën e humbjes, dhe ma ktheu atë të pavdekshmërisë së frymës së ideve, për të cilën Seneka thoshte se është një si zhdëmtim kënaqësie, që përcjell ata që jetës i japin kuptim me vepra, që edhe aktin e fundit – vdekjen e kthejnë në një çast të pritshëm, madje në një përjetim solemn!
Këtë ndjenjë e përcjell edhe vepra e fundit e Danit “Gjendje neutrale”, e botuar para një viti, që kur lexohet me vëmendje, nxjerr në pah atë që Platoni e quan “shpirt superior universal”, frymë kjo që poezisë sonë i jep një vlerë të veçantë… / KultPlus.com