Buxhovi: Lidhja e Prizrenit kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie

10 Qershor, 2020 - 9:55 am



Nga Jusuf Buxhovi

Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në medresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë ajo duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit që ishte caktuar të mbahej më 13 qershor. Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella), ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Në kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton në tërësi pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës.
Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit.
Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit.
Kuvendi themeloi organet e larta. Në krye të Lidhjes ishte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga Sulejman Vokshi.
Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).
Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund të thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin e vendit.
Në nenin 4 kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”, bën të ditur për ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm.
Frymën kombëtare nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, Lidhja do të fillojë ta animojë qysh në Kuvendin e Përgjithshëm, i cili u mblodh në Prizren, më 1 korrik 1878. E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish) e Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Li-dhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar.
Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie.
Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman. / KultPlus.com

Të ngjajshme