18 Dhjetor, 2020 - 11:39 am
Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, që kohë më parë hapi faqen elektronike jusufbuxhovi.com për shfrytëzim gratis, ku u përfshinë disa nga romanet e tij më të lexuara (Trilogjia gjermane, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit dhe Dosja B në anglisht), këto ditë e plotësoi atë me vepra të tjera letrare dhe historiografike si dhe me rubrikën “Recensione dhe kritika letrare”.
Ndër veprat letrare që tashmë mund të shfrytëzohen gratis gjenden romanet: “Nata e Shekujve” , “Letrat për Kryeprincin”, trilogjia “Libri i Bllacës”, “Libri i të mallkuarve”, “Udhëtimi i fundit i Mendim Drinit” si dhe romanët e kohëve të fundit “Dosja B” dhe “Dushkaja”. Ndërsa, nga veprat historiografike, krahas “Kosovës”I, II,III në anglisht, gjendet “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878”.
Për librat historiografike, autori thotë se ka pasë kërkesa të shumta nga Maqedonia, SHBA-atë dhe vendet e ndryshme evropiane, po edhe nga studentë të Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës.
Në pyetjen e KultPlus se cili ka qenë motivi që e ka shtyrë autorin për një veprim të tillë, Buxhovi thotë se rrethanat e tanishme kërkojnë që autori t’u përshtatet atyre në përputhje me konceptin që libri të depërtojë në gjithë botën online dhe të shfrytëzohet pa pengesa.
“Ka kohë që interneti me platformën elektronike, ka filluar që t’i thyejë konvencat e librit në librari dhe biblioteka. Kjo i ka të mirat e veta, ngaqë vendosja e librit në platforma elektronike si dhe shfrytëzimi i tij, e përhap atë në përmasa globale. Kjo, për autorin, do të thotë shumë…”, vlerëson autori.
Në pyetjen se shfrytëzimi gratis, dëmton autorin dhe botuesit, Buxhovi vlerëson se kjo nuk përjashtohet, por vlerëson se libri elektronik si dhe digjitalizimi i tij, janë pjesë e një forme të re të komunikimit të autorit me lexuesit, që, si e pashmangshme, duhet pranuar, siç është pranuar fakti se, në fushën e informimit, portalet tashmë kanë zëvendësuar gazetën. Me këtë rast, ai përmend, edhe përparësitë e mëdha që sjell kjo formë e re e shfrytëzimit të librit në përmasa globale, veçmas kur kihet parasysh mundësia e depërtimit të tij nëpër biblioteka, institucione dhe institute hulumtuese-shkencore. Përkundër këtij ndryshimi të madh që është pozitiv, autori thotë se libri do të mbetet ai që është.
“Bartja e tij në platformën elektronike si dhe digjitalizimi, nuk do ta nxjerr atë nga libraria, meqë përherë do të ketë lexues që atë dëshirojnë ta kenë pranë, ndërsa në biblioteka mbetet i përhershëm, paçka se edhe aty po u nënshtrohet formave digjitale të leximit dhe të huazimit”, thotë Buxhovi. / KultPlus.com