28 Prill, 2020 - 10:15 am
Nga Jusuf Buxhovi
Ndryshe nga ata që i nënshtroheshin fermanit dhe atmosferës së murtajës, Selamiu këndonte për dashurinë. E bënte këtë sa herë fashitej paksa ulërima e tellallëve, që niste nga Mahalla e Qylit, bartej nëpër Qarshi të Madhe e Namazxha për te Ura e Tabakut.
“Bylbyli këndon në Çabrat,
Vajzë mos kajë me lot,
se dashnia m’ka kaplu,
në këtë botë kena me u bashku…”
Vargje e Selamiut të përcjella me këngë thyenin trishtimin e xhemëve “dekën e kemi hak” me të cilat rendoheshim ditë e natë.
Kjo i kishte sjellë telashe të vazhdueshme Selamiut me njerëzit e hyqymetit, që nuk ia lenin vendin dhe, pos që e shkallmonin sy të tjerëve, kërcënonin se kanë me ia pre edhe gjuhën.
“Në këto kohë mileti ka nevojë për ilahitë për mëshirën, për pendesën dhe jo afshët e xhynaheve…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com