8 Nëntor, 2024 - 3:15 pm
Në librarinë “Babel” u bë mbrëmë mes miqsh të librit, promovimi i veprës së re të shkrimtarit Stefan Çapaliku, “Camera obscura”.
Libri përmban 60 poezi, me një titull të huazuar nga bota e fotografisë, siç është “dhoma e errët”, fenomeni natyror në të cilin rrezet e dritës që kalojnë përmes një vrime të vogël, në një hapësirë të errët, formojnë një imazh ku godasin një sipërfaqe, duke rezultuar në një projeksion të përmbysur, me kokë poshtë.
“Kam shkru nji libër që s’kam mujtë mos me e shkru. Kam shkarravitë nji libër duke qenë i mbushun me dyshime, që kohët e fundit më kanë vizitu nga të tana anët. Kam kurdis nji libër gjatë kohës kur jam ndie si fotograf, me kryet e zhytyn në nji thes të zi, që ishte paradhoma e nji kutie të errët. Brenda kësaj kutie më asht përmbysë bota, më kanë ba laradasha imazhet”, u shpreh Çapaliku, i pranishëm në “Babel”.
Autori thotë se ka hartuar një libër duke dashur t’i përngjasojë një kalimtari të vetmuar që zbulon, përndjek, lundron në ferrin urban dhe që e zbulon qytetin si një peizazh vesesh epshore.
“E di se të fotografosh njerëzit do të thotë t’i dhunosh ata. Prandaj personazhet e mia nuk i kam vu kurrë që të marrin pozë. Kësisoj kam fiksu energjinë e pakontrollueme, dinamikat e lëvizjes dhe shpesh edhe situatat e tyne karikatureske”, u shpreh poeti, i cili në përmbyllje të fjalës së tij shtoi se, ka dashur të eksplorojë disa përmbajtje të reja që e kanë rrethuar, me shpresën se janë përmbajtjet e reja ato që do ta çojnë drejt formave të reja.
Pas promovimit në Tiranë, libri me poezi i Çapalikut, do të udhëtojë pas disa ditësh drejt Elbasanit, ku do të prezantohet në bibliotekën e qytetit./atsh/ KultPlus.com