14 Shkurt, 2024 - 1:30 pm
Këtu vjen një përzgjedhje e përkufizimeve poetike mbi një fenomen të veçantë që është njëherësh më i patrajtë sesa arti, më i njëmendshëm sesa shkenca, dhe më filozofik sesa vetë filozofia. Këtu janë të mbledhura disa nga përceptimet më ngulitëse dhe të çdo kohe mbi dashurinë, të zgjedhura nga qindra vite histori letërsie- shijojini.
Gjithqysh unë rrekem te kumtimi se: Dashuria është çështje e ndjenjave e jo e dëshirave. Nuk mund të dashuroj pse dua, e më së paku pse duhet, ndaj dashuria e përkushtuar është gjithnjë e çmendur, arsye mbi të gjitha arsye, urtësi e sfidave të pandalshme. Është forca që vë në lëvizje gjithçka, është motivimi i të drejtës sublime për të jetua, sido dhe kudo. Ajo është ajo që na sundon, është skllavëria jonë vullnetmirë. Është tançka shohim, ndjejmë, është metafizika e gjërave dhe gjendjeve.
Erich Fromm
Dashuria nuk kërkohet, ajo vjen atëherë kur nuk mendon për të, atëherë kur je i pastër shpirtërisht. Dashuria nuk të lëndon kurrë, nëse të lëndon nuk është dashuri o mik, ajo nuk është e ashpër, lënduese apo hidhëruese. Ajo është ndjenjë qetësie, të fal paqe, besim dhe shpresë. Të lejon të mbushësh thellë me frymë pa patur frikë se do të dalin lot. Sa pak të dashuruar që ka në botë…!
OSHO
Një asket shëtitës u strehua në një fshat. Vjen një njeri dhe i thotë se dëshiron ta realizoj Hyjnoren. Asketi e pyet: “A ke dashuruar ndonjëherë?” Njeriu i përgjigjet: “Jo, unë asnjëherë s’kam gabuar në gjëra të tilla të shenjta. Asnjëherë nuk kam rënë aq poshtë, sepse unë dua të arrij tek Zoti”.
“Me gjithë mend e ke, asnjëherë nuk ke ndier dhembje të dashurisë?” – e pyet murgu i habitur. “Ua them të vërtetën” – vazhdon besimtari me bindje, “por, më falni, pse vazhdimisht më bëni të njëjtën pyetje? As që i jam afruar ndonjëherë dashurisë. Dua ta arrij Vetërealizimin, Hyjnoren”. Atëherë asketi i përgjigjet: “Ti duhet të më falësh, të lutëm, shko tek dikush tjetër. Përvoja ime më ka mësuar se nëse ke dashur të paktën dikë, këdoqoftë, nëse e ke pasur madje vetëm një shkëlqim dashurie, unë mund të të ndihmoj që ta zgjerosh atë, që të rritet e rritet e ndoshta të arrijë edhe te Zoti. Por, nëse ti nuk ke dashuruar asnjëherë, ti asgjë nuk ke në vete; në ty nuk ndodhet fara që të mugullojë në dru. Miku im, pa prezencën e dashurisë, unë nuk shoh kurrfarë mundësie të hapjes ndaj Zotit. Shko e kërko dikë tjetër!”
Xhakomo Kazanova
“Dashuria është një ndjenjë që nuk mund të shpjegohet! Është Zoti i të gjithë natyrës! Është një ndjenjë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht! Dashuria! Një përbindësh i bukur që është e pamundur ta kuptojmë! Zot, që në mes të gjithë gjembave që na shpojnë e na shkaktojnë dhembje, ti shtron kaq shumë trëndafila në rrugën ku ecim, dhe pa të cilën ekzistenca dhe vdekja nuk do të kishin më dallime e do të ishin një!”
Leo Buscaglia
Po të dashurosh, rrezikon të mos marrësh dashurinë si këmbim. Edhe kjo është e drejtë. Por ju nuk dashuroni për të marrë diçka si shkëmbim, ndryshe nuk mund të quhet dashuri.
Kahlil Gibran
Dashuria i jepet të gjithëve pa dallim dhe gjithnjë, por disa nuk munden as ta shohin, as ta degjojnë, kjo sepse veshët dhe syt e tyre janë zënë nga iluzione ndjenjash dhe nga zhurmë fjalesh.
Kurt Vonegut:
Një qëllim i jetës së njeriut, nuk ka rëndësi se kush e kontrollon atë, është të dojë këdo që është përreth për t’u dashur.
Stendhal:
Dashuria është si një temperaturë që ikën edhe vjen në mënyrë të pavarur nga vullneti… dashuria nuk ka limite të moshës… (dashuria nuk njeh moshë).
C.S.Levis:
Nuk ka investim të sigurtë. Të duash në përgjithësi është të jesh i pambrojtur. Dashuria është çdo gjë, dhe me siguri zemra jote do të shtrydhet dhe mbase dhe thyhet. Nëse do që të sigurohesh që të mbetet e paprekur, nuk duhet t’ja japësh zemren askujt, madje as një kafshe. Mbështille me kujdes me zbavitje dhe pasuri të vogla; anashkaloji të gjitha gërvishtjet; kyçe në kutinë e egoizmit tënd. Por në atë kuti- të sigurtë, të errët, pa ndjenja, pa ajër- ajo do të ndryshojë. Nuk do të thyhet; do të bëhet e pathyeshme, e padepërtueshme, e pazëvendësueshme. Alternative e tragjedisë, ose së paku e rrezikut të tragjedisë, është dënimi. I vetmi vend jashtë Parajsës ku mund të jesh tërësisht i mbrojtur nga të gjitha rreziqet dhe trazimet e dashurisë është Ferri.
Lemoni Sniket:
Dashuria mund të ndryshojë një person ashtu siç prindi mund të ndryshoje një bebe- me delikatesë, dhe shpesh duke shkaktuar rrëmujë.
Susan Sontag:
Agjë nuk është më e mistershme, asnjë marrëdhenie njerëzore. Përveç dashurisë.
Çarls Bukovski:
Dashuria në një farë mënyre është sikur shikon një mjegull kur zgjohesh në mëngjes përpara se të dalë dielli. Shfaqet vetëm për pak kohë dhe pastaj largohet… dashuria është një mjegull që zhduket me të parin agim të realitetit.
Uilliam Shekspir:
Dashuria nuk shikon me sy, por me mendje.
Ambros Biers:
Dashuria, emër. Një çmenduri e përkohshme që shërohet nga martesa.
Katerin Hepburn:
Dashuria nuk ka të bejë me atë çfarë pret të marrësh-vetëm me atë çfarë pret të japësh – që është gjithçka.
Bertrand Rusel:
Nga të gjitha format e maturisë, maturia në dashuri është mbase vërteta më fatale e lumturisë.
Fjodor Dostojevski:
Çfarë është ferri? Unë pohoj që është vuajtja e të qënit i paaftë për të dashur.
Çarls Doukins:
Njerëzit ndonjëherë thonë se duhet t’u besosh ndjenjave në thellësi, përndryshe nuk do të kesh kurrë besim në gjëra të tilla si “Gruaja ime më do.” Por ky është një argument i keq. Ka shumë menyra për të zbuluar që dikush të do. Gjatë gjithë ditës që je me dikë që të do, ti shikon dhe dëgjon shumë pjeseza të dhënash, që shtohen. Nuk është tamam një ndjenjë e brendshme, si ajo të cilën priftërinjtë e quajnë shpallje. Ka gjëra të jashtme që përforcojnë ndjenjat e brendshme¨shikimet në sy, pëshpëritjet me zë, nderet e vogla dhe mirësitë; dhe e gjitha është e dhëna e vërtetë.
Paulo Koelo:
Dashuria është një forcë e egër. Kur mundohemi ta kontrollojmë, ajo na shkatërron. Kur mundohemi ta burgosim, ajo na skllavëron. Kur mundohemi ta kuptojmë, na lë me ndjenjën e humbjes dhe paqartësisë.
Xhejms Baldvin:
Dashuria as nuk fillon as nuk mbaron sipas mënyrës që ne mendojmë. Dashuria është një betejë, dashuria është një luftë; dashuria është një rritje.
Haruki Murakami:
Çdokush që bie në dashuri është në kërkim të pjesëve të humbura të vetvetes. Kështu çdokush që është në dashuri mërzitet kur mendon për të dashurin e vet. Është si të shkelësh në një dhomë nga e cila ke kujtime, të cilat nuk i ke parë për një kohë të gjatë.
Antoine de Saint-Exupéry:
Dashuria nuk qëndron në soditjen e njëri tjetrit, por të shikuarit sëbashku më tutje në të njejtin drejtim.
Honore De Balzak:
Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron.
Luis de Bernieres:
Dashuria është një çmenduri e përkohshme, ajo shpërthen si vullkan dhe më pas qetësohet. Dhe kur qetësohet, ti duhet të marrësh një vendim. Duhet të zbulosh nëse rrënjët e tua janë të gërshetuara në një mënyrë që është e papërfytyrueshme t’i ndash. Sepse kjo është ajo çfarë është dashuria. Dashuria nuk është e pafrymë, nuk është kënaqësi, nuk është shpallje e premtimeve të pasioneve të përjetshme, nuk është dëshira të rrokësh çdo sekondë dhe minutë të ditës, nuk është të qëndrosh natën zgjuar duke imagjinuar sikur ai po të puth çdo pjesë të trupit. Jo, mos u skuq, po të them disa të vërteta. Të jesh “në dashuri” është diçka që mund ta bejë çdokush. Vetë dashuria është ajo çfarë ngelet kur të qënit në dashuri është larguar, dhe kjo është të dyja, një art dhe një aksident me fat.
E.M. Forster:
Ti mund ta shndërrosh dashurinë, ta injorosh, ta çrregullosh, por nuk mundesh kurrë ta largosh nga vetja. E di nga eksperienca që poetët kanë të drejtë, dashuria është e përjetshme.
Iris Murdok:
Dashuria është mundimi për të kuptuar qe diçka tjetër përveç teje është e vërtetë. / Albert Vataj / KultPlus.com