12 Maj, 2018 - 1:38 pm
10 maj shënoi dhe mbylljen e afatit zyrtar të dorëzimit të dorëshkrimeve në konkursin letrar Kadare. 32 vepra në prozë tashmë janë në garë për çmimin e madh të letrave, që ka një vlerë prej 10.000 eurosh i cili akordohet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës.
“32 autorë ia kanë besuar këtë vit veprat e tyre këtij konkursi dhe ky është një lajm i mirë, duke patur parasysh që kemi të bëjmë me vepra në dorëshkrim, të pabotuara më parë. Mes konkurrenteve spikasin dhe emra të njohur në letrat shqipe si Virgjil Muçi, Zija Çela, Vera Bekteshi, Gazmend Krasniqi, Bashkim Hoxha, etj, çka do të thotë se në vetëm katër vite ky konkurs është kthyer në një institucion të rëndësishëm për vlerësimin e letërsisë”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e çmimit “Kadare”.
Por në një kohë kur flitet kaq shumë për një mungesë të të rinjve në letrat shqipe, ky konkurs konfirmon të kundërtën. “Ka një rritje të autorëve të rinj që kanë zgjedhur letërsinë si rrugën e tyre dhe në këtë konkurs spikasin të rinj me një stil të konsoliduar, ku dallohet që lidhja e tyre me letërsinë është e hershme. Loer Kume, Alion Caçi, Rudina Cupi, Erjon Papagjoni, Arlind Farizi, Flogerta Krypi, Ada Capi, Sokol Thana, etj janë vetëm disa prej emrave të rinj që i kanë besuar dorëshkrimet e tyre këtij konkursi.”, thotë Bardhyli. Sipas saj, “Konkurset letrare janë dhe një formë e mirë për të parë nivelin e një letërsie. Ndërsa prej vitesh kritika flet për një ikje të autorëve nga tregimi duke u fokusuar më shumë tek proza e gjatë siç është romani apo novelat, ky konkurs na pohon të kundërtën.
Janë disa autorë që kanë zgjedhur të konkurojnë me vëllime me tregime, duke treguar e tregimi shqip do vijojë të ndërtohet nga emra të tjerë që do spikasin në rrugëtimin e tyre në letërsi”. Juria e kryesuar nga shkrimtari Kim Mehmeti, një personalitet i letrave shqipe në Maqedoni, dhe në përbërje të së cilës janë Agim Baci, Genciana Abazaj, Eni Vasili dhe Ledia Dushi, tashmë janë duke shqyrtuar që janë në garë për çmimin e këtij viti. Sipas Bardhylit, juria me një pjesë të veprave është njohur më herët, duke qenë se një pjesë e autorëve i kanë dorëzuar ato që në ditët e para të shpalljes së konkursit.
“Por pavarësisht se një pjesë e veprave kanë ardhur në ditët e para të konkursit, numri i veprave pjesëmarrëse është rritur ndërsa afrohej afati i dorëzimit, dhe vetëm në ditën finale të këtij konkursi janë dorëzuar pesë vepra”. Duke marrë dhe një javë kohë për t’u njohur me veprat juria do të mblidhet pas një jave për të konkluduar me shortlistën e autorëve, që do të garojnë për çmimin e madh, që do të shpallet gjatë Ditëve Letrare të Razmës.
“Ky konkurs i rëndësishëm për letërsinë shqipe kulmon me Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), një aktivitet që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, kritikë të cilët këtë vit do t’i bashkohen një konference shkencore me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”, një temë e zgjedhur me rastin e Vitit të Skënderbeut shpallur nga qeveria shqiptare. Kritika dhe studimet shqipe nuk e kanë shtjelluar ende dimensionin letrar që kjo figurë e historisë sonë ka pasur në librat e shumë shkrimtarëve të huaj, që kanë gjetur tek ai shpesh personazhin më interesant për veprat e tyre”,- thotë Bardhyli.
Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autorë shqiptar. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro dhe vepra fituese botohet nga Mapo Edition. Ky është edicioni i katërt i këtij çmimi i cili është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku.