“Çlirimi” i Kosovës nga partizanët shqiptarë dhe jugosllavë

8 Nëntor, 2024 - 11:00 am

Rishqyrtim historik

– Nga këndvështrimi historik, futja e aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë në shtatorin e viti 1944, anulimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korrik të vitit 1945, në rrethanat e administrimit ushtarak, duhet të cilësohet ripushtim i Kosovës nga Beogradi.

Nga Jusuf Buxhovi

Skenari për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku reaksionin e atjeshëm”.

Sipas këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit.

Ndonëse, formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve (në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen përfundimtare shtetërore në Ballkan.

Andaj, pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve, të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”.

Pra, duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.

Kështu, “bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944. Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”.

Me këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë si pushtuese…”

Që të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron tri kërkesa:

– së pari – futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;

– pastaj – popullit t’i shpjegohen qëllimet e njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër partizanëve jugosllavë dhe,

– së fundi – që njësitë e përbashkëta partizane të lidhen mirë e mirë mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një lufte të përbashkët, me çka hapej edhe çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav.

Por, kërkesa e “pastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpunotorët e tyre”, në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe pse dihej se nga prilli i vitit 1941 Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte më.

Kështu dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit, partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin e tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut.

Gjenerali Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste të Kosovës në pjesën e veriut në Sanxhak, në Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë shumë të vrarë), ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e parashtruara, do të ishte shumë më e lehtë.

Sipas jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e këndej, prej nga çështja shqiptare përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana, që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bombardimesh nga ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë.

Jugosllavët, pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që armatës “F” të Wermachtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj ushtarake drejt veriut.

Aleatët kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin ndaj Pejës, më 14 gusht 1944.

Bombardimi anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastrukturën urbane të Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth.

Sulmi ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes “vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane.

Edhe përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që pas tyre të depërtonin aradhet partizane nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Kërkesave paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili pasi që të jenë kryer “formalitetet e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të UNÇJ.

Sipas burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë “në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet perëndimore, Stojniq, në emër të Titos, kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë.

Që kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari, Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944.

Pala shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë.

Po në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palokën (Pavle Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët.

“Të mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I, Dali Ndreun.

Kjo kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të luftës”.

Si do të shihet, “habia” e misionit britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943, ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit të aradheve sllavo-komuniste.

Kjo çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në këtë pjesë.

Mundësinë e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të madh dhe të dyfishtë si për pengimin e ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së Shqiptarëve kundër pushtimit komunist.

Këto dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë të pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, për mobilizimin e popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”.

Kështu, Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18 shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin:

– sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri në Gjakovë e Pejë;

– shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve kosovare;

– të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin;

– organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim.

Mundësisë së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpunimit me to do t’i gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”.

Përleshja e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren.

Në Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë.

Krahasuar me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik. Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada III e UNÇSH si dhe Brigada I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin “e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët. Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në Batushë e në Deçan.

Nga fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut.

Pas hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni 46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat, një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan.

Brigadat partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të kalitur në luftën e përbashkët antifashiste.

Nuk do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e “triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit.

Shërbimi informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë, shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos ato që ishin të lidhura me Komitetin Kombëtar Demokratik Shqiptare (i cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.

(Shkëptje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 332-337)./ KultPlus.com

Të ngjajshme