4 Maj, 2020 - 11:00 am
Nga Jusuf Buxhovi
Vala e tretë solli pak të prekur nga murtaja. Këtë nuk mund ta fshihnin as ulërimat err e terr të tellallëve nëpër Çarshi të Madhe, e as çirrjet kërcënuese të fedainjëve për “vdekjen hak”, që nuk pushonin.
Por, shpresa që po e mundnim sëmundjen, zu të na venitet me shfaqjen e të çmendurve në shumë pjesë. Sapo hidheshin rrugëve, kapeshin nga zabitët dhe me të shpejtë dërgoheshin në spitalin e Shkuzës, prej nga askush nuk kthehej.
Mjeku Izet Aga, na tha se ndonëse puna e të çmendurve nuk rregullohej me Ferman, megjithatë në rrethanat e shtetrrethimit dhe të karantenimit të shehrit, ata duhej të përfundonin në Spitalin e Shkuzës. Shtoi se mund të shpëtoheshin, po qe se ne merrnin përsipër të mos dilnin rrugëve dhe t’i bënim zap për mos me ra ndesh me Fermanin.
“Fati i të çmendurve është në duar tuaja”.
Sheh Alia mend plasi nga ato që i dëgjoi nga Izet Aga. Tha se Paria e Shehrit nuk merret me punët që i takojnë hyqymetit. Por, shtoi se do të bëhet çmos që spitali i Shkukzës të ketë sa ma pak punë…
Fjalët e Sheh Alisë e hidhëruan gjeneralin Ibrahim Pasha, që si me qesendi na u drejtua me fjalët ” se, si po shihej, spitali i Shkukzës do të ketë shumë e shumë punë…”
Me kërcënimin e hapur se spitali i Shkukzës na priste të gjithëve, sapo u ktheva në kishë, në atë gjendje të turbullt, sikur të kërkoja njëfarë ndihme nga librat, dora ma kapi “Librin e Perandorive”. Aty bëhej fjalë edhe për shfaqjen e çmendjes si dhe të sëmundjeve të tjera të rënda shpirtërore në krahinat kryeneçe (të Dalmatëve, Liburnëve dhe të tjerëve), që nuk kishin pranuar nënshtrimet. Pas fushatave të dështura ushtarake, dikujt i kishte shkuar ndër mend se arma më e përshtatshme ndaj tyre ishte mbyllja e gjatë (karantenimi).
“Popujt e lirë, në rrethana të mbylljeve të tilla, çmendën, ose vetëvriten.”
Nga tronditja, për pak, hodha librin mënjanë dhe po ofshëtija. Mbase edhe do të ulërija me sa zë kisha, që të lirohesha nga ai makth. Por ishte Padër Colit, që më shkëputi nga ajo gjendje. Hyri pa kërkuar leje dhe gjithë trishtim dhe më tha se te Ura e Taliqit ishte vetëvrarë Cen Kurti.
Njeriu i shkretë kishte behanen e të qeshurit, që nuk i hiqej për një kohë të gjatë. Këtë e dinin të gjithë dhe përpiqeshin t’i ndihmonin gjatë sulmeve të gazit.
“Njerëzit e Izet Agës e kanë marrë për të çmendur dhe kanë deshtë ta dërgojnë në spitalin e Shkukzës”!
( Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com