17 Shkurt, 2021 - 2:28 pm
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 13-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë çmimet vjetore për letërsi, shkruan KultPlus.
Këto çmime u ndanë nga Ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi, e cila theksoi për të pranishmit se përgjatë mandatit të saj, ajo ëhtë munduar vazhdimisht t’i qes në pah vlerat kombëtare të popullit tonë.
‘Kënaqësi që i kam shërbyer këta muaj vendit tim, duke u munduar ti qes në pah vlerat tona kombëtare. Puna dhe përkushtimi juaj na ka bërë më të fortë për të kaluar këtë situatë pandemike’, është shprehur tutje Dumoshi.
Juria profesionale e përbërë nga pesë anëtarët Nysret Krasniqi, Dije Demiri Frangu, Anton Berisha, Xhevat Syla, Fazli Gajraku ndau çmimet si në vijim:
Mehmet Kraja u shpërblye me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”
Ag Apolloni për veprën ‘Një fije shprese, një fije shprepëse’ u shpërblye me Çmimin për Prozë “Anton Pashku”
Blerina Rogova Gaxha për veprën ‘Thasë’ u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë në Poezi ‘Ali Podrimja’
Agron Shala me veprën ‘Dekalogu’ u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë në Kritikë Letrare dhe Eseistikë “Ibrahim Rugova”
Nexhat Halimaj me veprën ‘I vetëm në mal’ u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë për Fëmijë dhe Të Rinj ‘Vehbi Kika’
Fatbardha Statovci dhe Teuta Blakqori ndanë Çmimin për Veprën më të Mirë të Përkthyre në Gjuhën Shqipe ‘Pjetër Bogdani’. Statovci për veprën ‘Rasti i çuditshëm i Bengjamin Button’ dhe Blakqori për veprën ‘Vogëlushja’
Ag Apolloni i cili për veprën ‘Një fije shprese, një fije shprepëse’ u shpërblye me Çmimin për Prozë “Anton Pashku”, bëri të ditur se çmimin (plaketën, certifikatën dhe të hollat) do t’ia dhuroj Muzeut të Familjes Qerkezi, përkatësisht protagonistes së romanit të tij, zonjës Ferdonije Qerkezi. / KultPlus.com