31 Mars, 2023 - 10:13 am
Juria e edicionit të dytë të çmimit “Lumo Skëndo”, e drejtuar nga prof. Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, studiues i veprës së Mit’hat Frashërit, Ardit Bido, drejtor i Arkivës, prof. asoc.Teuta Toska dhe gazetarja Monika Stafa, vlerësuan në një konferencë për mediet prurjet në publicistikë dhe eseistikë për vitin 2022.
Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të këtyre botimeve, që kanë një rol në diskutimet publike.
Çmimi “Lumo Skëndo” i themeluar një vit më parë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për veprën më të mirë në publicistikë dhe eseistikë, këtë vit shënon edicionin e tij të dytë.
Kryetarja e jurisë Belina Budini tha se edicioni i dytë i çmimit “Lumo Skëndo” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është një lajm i mirë për autorët, që do të vlerësohen kryesisht në gjinitë e publicistikës dhe eseistikës.
“Është një rast i mirë për të sjellë në vëmendje emrin e një figure të rrallë dhe të shumanshme, siç është Mit’hat Frashëri. Një mendimtar kalibri si ai meriton të çmohet dhe të rivlerësohet për gjeneratat e reja, për t’i bërë drejtësi mohimit të njohjes së tij nga regjimi i kaluar. Botimet që do të merren në shqyrtim janë ato të vitit 2022 dhe lista e autorëve në garë është gjithëpërfshirëse në këtë fazë të vlerësimit paraprak, prandaj jemi të hapur ndaj të gjitha prurjeve të reja në këtë fushë të lëvruar mjaft, por jo të vlerësuar aq dhe si duhet në hapësirën publike”, u shpreh Budini.
Dr. Ardit Bido drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave shprehu falënderime për përzgjedhjen e tij në juri këtë vit.
“Falënderoj Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit që më përzgjodhi këtë vit për të qenë anëtar i jurisë për çmimin “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë publicistike dhe eseistike të botuar në vitin 2022. Këto dy zhanre, që shpesh lihen në harresë, janë thelbësore në zhvillimin e debateve bashkëkohore konstruktive e të thelluara shoqërore, veçanërisht në epokën e zhurmshmërisë masive në të cilën jetojmë”, u shpreh Bido.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit fton botuesit të dërgojnë pranë saj botimet në këto dy gjini për vitin 2022.
Në edicionin e mëparshëm fituese e çmimit Lumo Skëndo ka qenë Lea Ypi me librin “Të lirë’./atsh/KultPlus.com