11 Korrik, 2018 - 10:10 pm
Ka përfunduar edicioni i 6-të i Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018”, i mbajtur në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë.
Dita përmbyllëse e manifestimit u mbajt në frymën e Vitit të Skënderbeut, me ç’rast Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” në Krujë, iu nda shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmanit.
Pas Gjakovës dhe Ulqinit, dita e tretë e Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” vazhdoi në Krujën e Skënderbeut duke filluar me hapjen e ekspozitës se fotografit shqiptaro-amerikan Aleks Selimajt “Motive nga Kruja e Skënderbeut”, në hollin e Bashkisë së Krujës.
Për peshën artistike të fotografisë së Aleks Selimajt, foli shkrimtari, aktori dhe regjisori i mirënjohur shqiptar Xhevat Limani, hulumtimet dhjetëvjeçare të të cilit rezultuan me poemën dramatike Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Fotografi Aleks Selimaj është një personalitet i cili ndau dritën nga terri, sepse te regjistrosh gjurmët e kohës për të mbetur në analet e historisë gjurmët e qëndresës së një populli duhet një shpirt i veçantë. I lindur në Plavë-Guci, si shumë të tjerë e deshi fati që në tokën e bekuar të gjej vendin për të realizuar talentin e vet, në SHBA. Sepse, syri i Aleks Selimajt është i veçantë dhe ai po shkon gjurmëve të fotografit shqiptar Gjon Milit, i cili la gjurmë të pashlyera në historinë e fotografisë botërore”, tha ai.
Kurorë e përvitshme e manifestimin letrar Muzat e Alpeve është Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA”, e cila kësaj radhe kaloi në duart e shkrimtarit të shquar nga Kosova Nazmi Rrahmani, duke e radhitur kështu krahas laureatëve të tjerë: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Moikom Zeqo dhe Miras Martinoviq, i cili ia dorëzoi Rrahmanit Çmimin e “Muzave të Alpeve 2018”.
“Çmimi “Teuta” dallon nga të gjitha çmimet e tjera, sepse për të nuk lobohet, atë nuk e kërkojnë shkrimtarët, por ai i kërkon shkrimtarët, gjegjësisht veprat e tyre. Nuk ka propozime të jurive klasike, por bordi i asociacionit propozon dhe për këtë votohet, kështu që s’mund të gabohet në përzgjedhje. “Teuta” është një çmim autentik i cili zgjedh shkrimtarët autentik dhe që të 6-të laureatët e tij kanë vepra autentike. Kështu ishte deri më tani dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”, tha Mirash Martinoviqi gjatë ndarjes së çmimit.
Ndërsa, Nazmi Rrahmani tha se Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” sa është privilegj për të po aq është edhe detyrim, duke kujtuar kohërat e errëta në të cilat filloi karrierën si shkrimtar për t’u ngritur në njërin ndër emrat më të njohur dhe më të lexuar të letërsisë shqipe dhe më gjerë. / KultPlus.com