3 Qershor, 2019 - 4:08 pm
“Shqiptarët i kanë pesë-gjashtë yje globale muzikore, me këtë duhet të ballafaqohemi, ata janë bërë pjesë e civilizimit perëndimor në mënyra të ndryshme dhe ata nuk mund t’i shikojmë si disa fise që na kanë sulmuar”, thotë për n1 Robert Çoban ( Čoban) , pronar i Shtëpisë botuese Color press group, transmeton Koha net.
Çoban ka thënë se është i inkurajuar me faktin se në Beograd është mbajtur festivali “Mirëdita, dobar dan” dhe ka shtuar se suksesi i këtij festivali ndodhi në “atmosferën ku jetojmë dhe në ciklin e lajmeve të njëjta të përsëritura nga Kosova “.
“Është mbajtur dhe për të duhet të flitet. Në ndërkohë kemi pasur edhe deklaratën e kryeministres për njerëzit nga mali, ajo ka menduar për njerëzit konkretë, për njerëzit e UÇK-së… Ne vërtetë mendojmë për shqiptarët dhe Shqipërinë se ata janë njerëz të rendit të dytë, këtë nuk e thonë të gjithë publikisht, por kështu mendohet në bisedat private. Kompleksi i vlerës më të lartë po krijohet, ne, që nga marrja e sërishme e Kosovës e kemi këtë relacion suprem, ne edhe më tej mendojmë se jemi më të mirë sesa ata, por askush në Ballkan nuk është më i mirë se tjetri. Bekim Fehmiu ka qenë artisti i parë që aktroi në Hollywood. Për këtë arsye festivali “Mirëdita” është i rëndësishëm, aty janë njerëzit me të cilët duhet të jetojmë në qytetet tona, ne me ta duhet të udhëtojmë diku , diku shqiptarët do t’i kemi në kufi. Ne nuk njihemi mjaft, bota është rrjetëzuar, i takojmë këta njerëz kudo në biznes, kulturë, duhet të njihemi më mirë dhe pastaj temat politike do të “ecin” më lehtë”, ka thënë Çoban.
Duke folur për integrimet evropiane të Serbisë, ai thotë se është pritur të hapen më shumë kapituj, ndërsa ka shtuar se e di që në ato fusha po punohet shumë.
“Rrethana të ndryshme të tjera në vetë Evropën lidhur me Kosovën kanë ndikuar në numrin e vogël të kapitujve të hapur. Ne duhet t’i kuptojmë dhe t’i dëgjojmë ata që na ftojnë mysafirë, nuk mund t’ua caktojmë të drejtat tona, sado që duket e padrejtë, ne kemi vendosur ta marrim këtë rrugë, e nëse jo, t’iu tregojmë njerëzve”, ka përfunduar Çoban.