7 Qershor, 2019 - 3:31 pm
Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” para një audience të zgjedhur u përurua libri i veprimtares Sevdije Ahmeti, e shquar për kontributin e dhënë për të drejtat e grave. Me recitimin emocionues të aktores Sheqerie Buqaj dhe Safete Rugova u hap ky aktivitet.
Abdullah Zeneli nga Shtëpia Botuese “Buzuku” tha se ishte i emocionuar kur nisi këtë projekt. “Kemi botuar autorë të mëdhenj, fitues të Nobelit, e të tjerë, por libri i Sevdije Ahmetit më ka emocionuar shumë. Ky libër është ndër më të veçantët që “Buzuku” ka botuar”, u shpreh Zeneli.
Pjesë e përurimit ishin edhe figura të shquara nga jeta politike e kulturore. Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cila ka shkruar edhe parathënien e këtij libri, tha se ndihet e nderuar që mori pjesë në këtë projekt. Figurën e veprimtares Sevdije Ahmetit, Jahjaga e vlerëson dhe e çmon shumë.
“Të shkruash dhe të flasësh për një grua si Sevdije Ahmeti nuk është e lehtë. Ajo ishte bashkë me gratë e Kosovës gjatë luftës dhe mbeti gjithmonë e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe barazinë e tyre edhe pas përfundimit të luftës. Edhe para se ta takoja personalisht, unë kisha dëgjuar më herët për veprën e saj. Ndihem shumë e privilegjuar që mu dha rasti të kontribuojë duke shkruar parathënien e librit”, tha Jahjaga
Të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nderim të veprës së saj, për të cilën u tha se ishte gruaja e parë që e bëri publike dhunën e ushtruar nga serbët. I impresionuar nga organizimi ishte edhe shkrimtari francez Juan Asensio, pjesë e panelit. “Sevdije Ahmeti ishte grua e guximshme. Mbrëmë e çova gjer në fund librin e saj. Ju gratë kosovare duhet të krenoheni sepse keni kontribuar shumë që ta fitoni lirinë”.
Asensio, po ashtu tha se vjen mirë kur sheh gjithë këtë pasuri kulturore në Kosovë. “Në Panair kam parë shumë tituj të përkthyer në shqip, madje edhe të autorëve francezë që nuk janë aq të njohur. Më bëri përshtypje përkthimi i shkrimtarit Robert Bolano. Ju përgëzoj!”, përfundoi francezi që po qëndron në Kosovë, duke marrë pjesë në kuadër të Panairit të Librit.
Në fund, Urim Ahmeti familjar i veprimtares u shpreh i lumtur për organizimin dhe falënderoi të gjithë, duke uruar që të çohet në vend amaneti i Sevdijes, arsimimi dhe emancipimi i vajzave shqiptare. Pas përurimit, libri u shpërnda falas për pjesëmarrësit nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, e po ashtu pati edhe koktej rasti./BujarMeholli/KultPlus.com