Çokollata

18 Shtator, 2019 - 7:00 pm

Tregim nga Bujar Meholli

I

Për një moment thërrimet e xhamit të thyer ranë nëpër tokë, duke lëshuar tinguj të çjerrë dhe më pas gjithçka pushoi. Ishte fiks koha kur njerëzit mezi i mbanin sytë çelë, shtriheshin nëpër krevate dhe kridheshin në gjumë. Por jo edhe një djalosh i fshehur poshtë shkallëve të ndërtesës, ku vinte erë myku. Qetësi. S’pipëtinte gjë, veç zemrës së tij që rrihte herë më ngadalë herë më shpejt, e shihte me sy maçoku përreth mos e kish parë kush. “Nuk është punë shumë e vështirë ta thyesh xhamin dhe të futesh brenda” – mendonte. Ishte rrezik për ca çaste, në mos rastësisht dikush mbante veshët dhe dëgjonte rrapëllimën, por rëndom nuk e dëgjonte dhe djaloshi futej brenda dyqanit të vogël që gëlonte nga lloj-lloj sheqeresh e çokollatash. Oh, çokollatat! Sa shumë i kish qejf. Kur ishte çilimi dhe babai ish afër tij, ai i blinte shpesh. Ëmbëlsia e atyre çokollatave, s’i ish hequr kurrë nga goja. Pastaj dekorimi që fabrika jua bënte ishte gracioz. Dhe ai mahnitej. Ah, sikur të kish mundësi t’i thyente barrierat, t’i rrënonte kufijtë dhe të shkonte atje ku krijoheshin ato ëmbëlsira dhe ku qëndronte babai.  

Sa do të donte të punonte në një fabrikë të tillë. Pale, t’ia dërgonte me postë nënës së tij ndonjë pako përplot me çokollata, të cilën shpesh e paramendonte si atë gruan në tablonë A Lady Pouring Chocolate të Zhan-Etien Liotarit që e pat parë në galeri, kur kishte vajtur me klasën. Sa sharmante dukej ajo me fustanin e gjerë, ulur në karrige duke derdhur hijshëm çokollatën në filxhan. E ëma sigurisht s’do t’i thoshte gjë, po ta dinte saktë se ai punon në fabrikë çokollatash dhe nuk do ta qortonte e rrihte. Por ja që i ati, ish larguar për në shtet të largët. Atje mbase nuk pushonte së ngrëni të ëmbla, e gjithashtu gjerbte pije të këndshme. I mbante në mend disa bërtitma mes prindërve, por pse i ati duhej të largohej? A kaq shpejt të rriturit, janë të aftë t’i ndërrojnë jetët e tyre përgjithmonë? Jetonte me mendimin se një ditë prej ditësh, i ati do ta hapte derën dhe do të vinte pranë tyre… 

Një mbrëmje kur qe kthyer vonë në shtëpi, e ëma e merakosur e pat qortuar rëndë dhe i pat tërheq veshin me t’ia parë tri-katër çokollata në dorë.

– Ku i ke marrë? – ulërinte ajo. Më s’do të dalësh nga shtëpia porsa të kthehesh nga shkolla, kuptove?

Djaloshi nuk para kish thënë gjë. Vetëm kishte dëgjuar zërin e ashpër të së ëmës dhe kishte mbajtur sytë në tepih. Donte t’i thoshte: “Mama, ja, shijoje këtë çokollatë. Është aq e ëmbël, të shkrihet në gojë” dhe ta përqafonte e puthte, duke e shtrënguar. Këto i mendonte rrugës t’ia thoshte, mirëpo me ta kapërcyer pragun mbizotëronte zëri i mamasë dhe qortimet i vinin përnjëherë në kokë, siç vijnë ortekët nga shpatet. 

“A Lady Pouring Chocolate”

II

Në mëngjesin e asaj dite me qiell ngjyrë të përhimët, dyqanxhiu i lagjes ishte alarmuar. Prapë, vjedhje! Prapë dikush kishte thyer xhamin e dyqanit edhe ashtu të vogël dhe kishte marrë çokollata, bonbone e gjëra tjera, duke ia lënë vendin rrëmujë. – Ç’dreqin po ngjet këtu? – shfrynte ai njeri babaxhan me flokë dhe mustaqe si të Uollt Uitmenit që e kishte lajmëruar policinë; këta i patën thënë se do ta zbardhnin rastin. Se kush po ia bënte këtë dhe po ia linte vitrinat pa çokollata?

– Ah, po e zura! Maskarai! – Betohem se s’do të ndodh më, qe zotuar me dhëmbët i kërcëllinin nga inati e mllefi. Ai njeri bënte jetë modeste, ato gjëra ishin gjithçka kishte dhe duke shitur nga pak, nxirrte ca para për vete dhe familjen. Lagjja e nderonte dhe vocërrakët kishin respekt për të, sikurse djaloshi ynë, i cili porsa e shihte në rrugë me biçikletë e përshëndeste përzemërsisht.

Por, ja se si të katandis jeta! Mamaja dhe djaloshi të vetëm, jetonin ashtu siç mundeshin apo thënë më mirë nga rastësitë. Nganjëherë, ajo gjente ndonjë punë të shkurtër, fitonte para dhe me to mbijetonin.  

Çfarë fati i keq për djaloshin të jetonte në rreth të tillë, ku gjithçka shihej si para dhe pa to – njeriu s’qe veçse gjë e pavlerë, porsi kanoçja e zbrazur që hedhet në rrugë dhe kush s’e kthen kokën mbrapa ta shikojë!    

Djaloshi u rrit dhe u shkollua pjesërisht me mund të madh. Ishte i mirë në mësime edhe pse mendja i vërtitej andej-këndej. Kur profesori mbante leksione, ai nganjëherë përhumbej duke menduar gjëra si: po sikur ta kish parë dikush teksa theu dyqanin dhe u fut e vodhi? Po sikur t’ia kenë zënë derën mamasë, policët apo xhaxhai pronar?

Këto mendime e torturonin dhe profesori pikaste shqetësimin e tij. Ia thërriste emrin me zë duke e shpërqendruar. Për ditë e më shumë, gjithçka bëhej më e vështirë. Jeta ishte kalvar i pafund. Përveç gjërave të ëmbla, duhej buka dhe gjërat e tjera të rëndomta në shtëpi; për këto vriste mendjen e ëma që nuk gjente punë, mbase shkaku i pafuqisë së saj për ato që i ofroheshin nganjëherë, të rënda për një grua të lodhur nga mundimet, për një grua që e çonte prej kohësh jetën e ndarë nga burri dhe shihte të birin tek përpiqej çdo ditë. Kalvari i tyre vazhdonte…  

Nganjëherë njeriu është aq i zhgënjyer me jetën, saqë thellë në psikikën e tij grumbullohen britma që e thirrin në çlirim, e yshtin drejt fundit të gjithçkaje, drejt përfundimit të çdo problemi e vështirësie të kësaj bote – me pak fjalë e shtyjnë drejt vetëvrasjes! Dhe, nuk është që s’e kish menduar këtë kjo grua e fishkur. Megjithatë, mund të merret me mend se nëna, sado që mund t’i ketë supet e rënduara dhe ditët ferr nuk dorëhiqet lehtë dhe nuk i jep fund gjithçkaje, kur e dinë se krijesa e saj vërtitet nëpër tokë dhe po s’i qe pranë, do të jetë e përgjysmuar, do të jetë si peshku në rërë.   

Të gjitha këto i silleshin në kokë, dhe kur shihte të birin mblidhte forcat e fundit për të vazhduar tutje si Sizifi. Koha është si aeroplan i madh, që sa është mbi qiellin e Vjenës fjala vjen, është mbi qiellin e Lajpcigut. Fluturon aq shpejt e s’kursen gjë para vetes. Tëmthat e zonjës së shtëpisë qenë thinjur ndjeshëm dhe trupi përgjithësisht i ish ligështuar. Mbushej jetë veçse kur e shihte të birin duke buzëqeshur (zakonisht kur kishte në duar çokollata e bonbone). Dashuria për gjërat e bukura të kësaj bote s’i ish venitur aspak ndër vite. Ajo dhe ish-bashkëshorti i saj ishin ndër njerëzit e rrallë të qytetit që venin nëpër Opera e Teatro, blinin disqe, libra, e gjëra të vjetra interesante që i gjenin nëpër tregjet e mbushura me rrangulla. Qeshnin me çmimet që paguanin, për t’i përvetësuar ato gjëra. Raftet e saj ishin të mbushura me librat, që ajo shpeshherë i shfletonte me pasion të madh – mirëpo standardi jetësor po i bëhej ngadalë makth i madh. Ajo, s’arrinte të ulej e të kënaqej kredhur kokë e këmbë në lexim, pa menduar se ç’e ardhme e priste atë dhe të birin. Megjithëkëtë, ajo dukej bukur, fytyra e saj që dikur i kishte ngjarë asaj të Lana Tërnerit ende ruante freskinë. 

Shquheshin kopertinat e vjetra të librave dhe emrat me shkronja të mëdha të autorëve si: Abati Prevo, Alfred Tenison, Oskar Uajld, Alfons Dode, Robert Bërns, Hajnrih Hajne, Hëlderlin, Balzak, Dikens, Bodler, Prust, Verlen, Rembo, Xhojs, Stendal, e të tjerë… vendosur bukur, ngjitur me njëri-tjetrin. Ajo ruante edhe disqet e ish-bashkëshortit, që nga muzika klasike me titanët Vivaldi, Bah, Betoven, Moxart, Albinoni, Shopen, e deri te “zezakët me trumpeta” siç i quante ai muzikantët e xhazit dhe bluzit.

Në qosh të dhomës rrinin hijshëm karshi njëri-tjetrit, disqet e Tampa Redit, Lid Bellit, Tino Rosit, Sharl Trenetit, Xho Dasënit, Luis Xhordanit, e Eta Xhejmsit. Ç’mrekulli! Tingujt magjepsës ishin të pranishëm dendur në veshët e kësaj gruaje, megjithatë ata nuk shijoheshin si në atë që ajo e quante Epokë e Artë dhe për të cilën ngulmonte thellë në vete se s’do të kthehej më kurrë!   

– Si ishte sot në shkollë, i ëmbli im? – i foli të birit, porsa ky u fut në dhomë. Dukej i çliruar, si t’ia kishin hequr një barrë të rëndë nga krahët. Oh, gjithçka ishte në rregull. Pra, askush s’kishte ardhur në shtëpi, as policët, as xhaxhai i dyqanit, askush. Dhe kjo po që ishte fantastike. E, megjithatë thellë në vete, djaloshi, të cilit shtati po i rritej vazhdimisht – mendonte se budallallëqe si ato që kish vepruar, s’duhej t’i përsëriste më. Do ta gjente një punë, porsa ta mbaronte shkollën dhe pastaj do të ishte i lirë që veç blerjes së gjërave ushqimore, të bridhte bashkë me nënën nëpër qytete të botës…

– Ishte mirë në përgjithësi, – ia ktheu pas njëfarë kohe. Kam pak kokëdhimbje, do të marr diçka – dhe bëri për nga frigoriferi të cilin me ta hapur pa se ç’gjendje mbizotëronte në shtëpi. Ëndrrat madhështore të mbështjella me nuanca të ngjyrës rozë, i shpërthenin porsi balonat e fëmijëve nga gjilpëra. – Oh ma, s’paska gjë prej gjëje këtu, – tha ai dhe kërkoi me sy të ëmën. Ajo shtrëngoi nofullën dhe rrodhi sytë.  

E, ç’t’i thoshte? U ndrydh në vete për ca çaste dhe pastaj u orvat t’i mbledh disa fjalë e t’ia thotë por nuk arriti, përveçse para sysh iu shfaq imazhi i brishtë i bashkëshortit.

Ah, ishin ditë të bukura. Kurrfarë brenge ajo s’kishte, për gjithçka kujdesej ai – e çuni atëbotë kërthi ishte krejt i sigurt. Por, orët e liga jua prishën lumturinë. Pse nuk lajmërohej ai ndonjëherë?

Pasditeve qytetin e mbulonin zakonisht pëllumbat që përziheshin me njerëzit dhe ia shtonin hijeshinë qytetit; dukej imazh i këndshëm sikur në pikturat e impresionistëve francez. Ajo i pikasi një herë dy-tre pëllumba që fluturonin të shkujdesur përbri dritares së tyre dhe njëri nga ta ndaloi në dritare, sikur ta ndjente shikimin e saj. A do të mund të thoshim se nuk e ndjeu?  

Imagjinata e pasur e gruas, krijoi disa vargje aty për aty me gjithë butësinë femërore derisa në anën tjetër preokupohej për kokëdhimbjen e të birit. Vargjet e saj ishin këto:

Pëllumb a pëllumbeshë, çfarëdo të jesh,

sikur të mundje të na merrje ne

kur rrugën për në ato vise ta kesh,

dhe të na dërgoje, tok, atje…

– Mama! – çfarë ke që je përhumbur kështu, i fliste ai teksa ecte kah dritarja për te ajo. Shpendi iku vetëtimthi.

– Oh, nuk kam asgjë. M’i mori mendtë ajo krijesë e bukur që erdhi në dritaren tonë. Në gjithë qytetin, s’ke ç’të shohësh përveçse pëllumba. Çfarë mrekullie. Djaloshi miratonte me kokë dhe përqafonte të ëmën.

– Të pushoj dhimbja e kokës? – I thoshte ajo pas disa sekondash.

– Jo.

– Do të bësh një sy gjumë, këtu?

– Jo.

– Të shkojmë atëherë për një kontroll tek doktori, hë?

– Oh, nuk dua mama.

Megjithatë, djaloshi u shtri në krevat dhe pas pak kohe u kridh në gjumë të rëndë.

III

Si gjërat e mira, ashtu edhe të këqijat nuk janë të destinuara të vazhdojnë shumë ose përjetësisht. Siç e thotë Xhim Morrisoni në këngë: Ky është fundi. Fundi vjen medoemos! Ishte një ditë monotone në qytet, s’kishte as pëllumba. Qielli shihte egërsisht mbi rrugë, saqë njerëzit të frikësuar përvidheshin dhe strukeshin nëpër kafene ose në shtëpitë e tyre. Të shtrënguar, ëmë e bir patën nxjerrë në treg gjithçka kishin për t’i shitur dhe për të fituar bukën e gojës. Goja! Mbiemri i një piktori gjenial që habiti botën me talentin e tij. Dhe goja, pjesa kryesore e trupit për të cilën njeriu punon e ndërton, vret e shkatërron, gënjen e tradhton, e çka tjetër s’bën!

Këto dy krijesa kishin shitur pothuajse gjithçka patën; libra, disqe, gjëra të vjetra interesante, madje tek-tuk edhe ndonjë orendi. Para se t’i nxirrnin e ëma i kishte larë me lot. Ah, Oskar Uajld, shkrimtar i dashur për çiftin e dikurshëm. Ah, Balzak, Stendal, Hajne, Tenison, ku veni kështu?   

Pale Luis Xhordan e Eta Xhejms, si ikni nga shtëpia për aq pak para dhe mbase tjetër kund jua mbulon pluhuri krijimtarinë? Derisa këtu, buçisnin tingujt tuaj në mëngjes e mbrëmje? Bobo! E shitën edhe gramafonin anglez me të cilin qenë krenuar në lagje.

Shumë artistë nuk iu dhanë shkollës por arritën të shkëlqenin në këtë apo atë art. Pse s’iu dhanë ka arsye të ndryshme, kryesisht shkak i mungesës financiare, sikurse djaloshi që e kishte lënë për këtë shkak. Thjesht, fati për të kish paracaktuar të vërtitej poshtë e lartë, të lexonte herë pas here por me pasion më të madh se ata shkollarët e mërzitshëm që lexojnë duzinë librash dhe e kanë problem të flasin vetëm për njërën prej tyre!

Djaloshi kishte pasur pasion të madh për muzikën; i pikuan sytë gjak kur e largoi nga duart gramafonin e të atit, të cilin e puthi para se t’ia dorëzonte në dorë një koleksionisti që s’e pagoi pak paraprakisht.  

Sa kohë qe bërë, ai s’e kish shijuar asnjë çokollatë. Ah, për këtë kohë kushedi sa të tilla ishin  prodhuar e konsumuar… Shiti edhe kitarën e kuqe me të cilën nxirrte melodi nëpër lagje bashkë me disa çuna dhe ëndërronin për një album me këngët e tyre që rezultoi të jetë ëndërr goxha e madhe, sikur të ëndërrosh të shkosh nga Durrësi në Bari me not!

Pothuajse gjithçka qe rrënuar. Po të kishte kohë dhe mundësi, gruaja, do të ulej dhe do ta vinte makinën e shkrimit përpara – për t’i përmbledh në një libër gjithë vuajtjet e saj. Besimtarëve të fortë ju duhet të pajtohen me gjendjen e tyre, ata kanë kurajë dhe në asnjë mënyrë s’e çojnë nëpër mendje të dalin kundër Zotit. Por, çfarë jete është kjo? – ndalet dhe mendon njeriu nganjëherë, fundja për çka jemi këtu dhe çka duhet të bëjmë? Nëse duhet të bëjmë mirë dhe të jemi të përgjegjshëm, pse nuk bëjnë edhe të tjerët njëjtë në raport me ne? Nëse jemi të ndjeshëm, pse të gjithë ngrihen në këmbë për të na lënduar medoemos? Përgjigjja është në erë – thotë Bob Dilani.   

Babaxhanit me mjekër dhe mustaqe si të Uitmenit, nuk i ishte qetësuar krejtësisht zemra. Kishte kohë që në dyqanin e tij nuk kish ndodhur ndonjë ekses, madje qetësia ish shtrirë kudo në lagje dhe në qytet. Por kjo qetësi dikë e mundonte, kjo vijë e drejtë e zhvillimit të ngjarjeve e tundonte… djaloshin tonë që kish mësuar t’i frekuentonte kafenetë qysh prej se kishte braktisur mësimin. Madje pat provuar glikanxon, duke dëgjuar muzikë dhe ngrënë aty. Kish blerë duzinë çokollatash. Kur e ëma festoi ditëlindjen, i solli një pako me çokollata Patchi dhe lëshojë diskun e Edit Piafit ku qe kënga e famshme La vie en rose që kish fituar Grammy. Të dy e adhuronin këtë këngë. Djaloshi hante bashkë me të ëmën dhe nganjëherë vetë në kafene. Ende kishin disa grosh në portofolin e tyre, mirëpo me të mbaruar ç’do të bënin vallë? 

Gjësende nuk kishin më për t’i nxjerr në shitje. Të vidhte ndonjë? Jo edhe aq. Ishin në paqe me veten për aq kohë sa i kishin ato karta që janë melhemi i çdo gjëje, janë feja e çdo njeriu!

Sa shpejt ikin ditët e lumtura për t’jua lënë vendin të pështirave, të zymtave. Portofolat mbesin bosh aq shpejt, porsi uji që nga kazanët derdhet me shpejtësi. Ishte një nga ato ditë që qielli jep premisa për rënien e shiut të madh. Ajri ishte i freskët, era frynte dhe shiu pas pak u lëshua rrëmbyeshëm. Po errej. Me qindarkat e fundit ai qe futur shpejtazi në kafene, prej nga dëgjohej rrapëllima e shiut dhe i kishte shijuar tingujt e bukur në sfond. Ishte Xhosefinë Bejkër. Zëri përkëdhelës femëror dilte nga gramafoni dhe shkonte drejt në veshët e tij. Mendonte të vepronte diçka, sidomos pasi që e ëma ndjehej e lodhur. Kishte frikë mos sëmurej. Shiu kish pushuar, aroma e këndshme qe përhapur gjithandej; me fjalë tjera nisi mbrëmja e freskët. Tani qe bash koha kur mbusheshin kafenetë, kabaretë dhe këndohej e kërcehej gjer në agim.

Por të gjithë ata që merrnin pjesë nëpër këto ndeja paraprakisht portofolin e kishin më të trashë seç e kishte djaloshi. Ky e kishte krejt petë. Nga inati e hodhi në lumë gjersa po vinte në shtëpi. Dhe, oh çfarë pamje!   

Ishte fiks para dyqanit të vogël. Çokollatat i kishin mbaruar në shtëpi por xhaxhai qe furnizuar, madje nga xhamat që feksnin soditi ca çokollata që s’i kishte parë më herët. Të jenë nga Amerika vallë? – mendoi. Apo mbase nga Belgjika?    

U shndërrua në vogëlushin e para një kohe, prapë shikoi me sy maçoku përreth. S’kishte gjë. Një krrokam u dëgjua si për ta bërë më dramatik atë peizazh urban në errësirë. Theu xhamin shpejtazi dhe e pa veten të përkulur duke rrëmuar nëpër vitrinat e vjetra. Aroma e këtij dyqani e magjepste. Ka çaste kur një tis i hollë ia mbulon njeriut trurin dhe ia mbërthen të tërin duke e mbajtur si në gjendje të dehur. Ashtu po ndihej teksa hapte aty për aty disa sheqerka e çokollata dhe po i shijonte duke gulçuar e psherëtirë.       

IV

– Ku shkon tani në këtë orë? – po i thoshte gruaja, derisa burri po krihte mjekrën në pasqyrë.

– Nuk besoj se vonohem. Kam për t’u parë me një mikun tim që ka ardhur sonte nga një udhëtim i largët. Më njoftoi se tani ka mbërritur. Do të shihem me të dhe kthehem pastaj. E puthi në buzë gruan dhe foli duke dalë nga dera. – Janë çështje pune, grua e dashur. Në lidhje me dyqanin.  

Hapat e tij nëpër rrugicë bënin duet me erën. Vetëm dritat e zbehta nga dritaret binin mbi rrugicë dhe ai ecte me ngut drejt qendrës së qytetit, drejt kafenesë ku do të takoheshin. Hodhi vështrimin njëherë si në të kaluar për ta ngulur më pas në dritaren zgavër të dyqanit të tij. Ishte hera e parë që e shihte atë pamje në mbrëmje dhe hajduti i mallkuar me gjasë duhej të ishte aty pari. Zemra i rrihte fort, e trupi i dridhej nga koka te këmbët. Mendja iu turbullua, e harroi fare takimin me mikun. Duhej ta kryente këtë punë sa më parë; ja pra, Zoti e kishte dërguar atë mik dhe ai kish dalë sikur ta dinte se mu atë natë hajduti qe kthyer për t’ia bërë lëmsh dyqanin, për të cilin bënte plane të mëdha. Epo, duhej eliminuar të keqen! Futi dorën në xhep. Thika e vogël që vezullonte ishte aty. E ftohtë akull. E shtrëngoi. Dridhej i tëri. Dukej i frikshëm me atë pamje prej Uitmeni dhe me atë kasketë rrasur në kokë. I ngadalësoi hapat. Ecte ngadalë për te dritarja që ta kuptonte se a gjendej aty. Një gjë e zezë iu shfaq në horizont, por e pa definuar. – Ky na qenka njeriu, që më ka torturuar prej kohësh! Mirë, erdhi koha. Pa ta shohim tani…       

Djaloshi fshiu gojën e bërë me çokollatë. Qe koha të ikte tani sepse nuk i dihej. Mund të bariste kush natën dhe rastësisht ta shihte në atë gjendje. Pse ngeli këtu atë mbrëmje? Kohë më parë vetëm merrte të ëmblat dhe ia mbathte. Për t’i ngrënë shkonte në shtëpi. Çantën e mbushur përplot e vuri në krahë. Doli ngadalë me hapa të lehtë si puhi.  

“Shiko, i mallkuari! Ka mbushur çantën dhe shtiret sikur s’ka ndodh gjë. Zot, më fal por këtë sprovë s’e duroj dot! Do ta zgjidh vetë këtë punë” – dhe porsa i mendoi këto fjalë, iu hodh pas me hapa të mëdhenj. Thikën e mbante të shtrënguar aq fortë, a thua se do ta thyente fare.

“Pritmë, mama! Me këto çokollata dhe një gotë çaj do ta kalosh këndshëm këtë natë. S’do të lejoj të më sëmuresh, e shtrenjta ime!” – thoshte me vete djaloshi, me fytyrën e ngrysur në atë errësirë që kish pllakosë gjithçka. S’ishte fare i kënaqur nga kjo punë. Për një moment veshët ia zunë një zhurmë që sa vinte e shtohej. U rrëqeth i tëri, trupi iu drodh. Ktheu kokën por s’pikasi gjë për një moment. Më pas ndjeu një frymë të ngrohtë njeriu te qafa e tij dhe një britmë që jehoi paq. Zë i ashpër burri.     

– I mallkuari i Zotit! Çfarë mendon të arrish me këtë?

Djaloshit iu pështjelluan mendimet e s’qe i zoti për asgjë. Por reagimi i tij qe shumë i shpejt; ia veshi vrapit. Burri qe vënë mbas tij duke ulëritur.   

– Kush je ti? Pa ndalu nëse je burrë! Ndalu t’i qërojmë hesapet. Ah! Po të zura…

Vraponin, vraponin… djaloshi tek më vonë vërejti se nuk e kishte çantën. Oh! S’kishte qenë i vëmendshëm dhe paniku e kishte bërë të veten. Futi dorën në xhep, nxori revolen që ndriçonte dhe shtiu dy-tri herë…

Kur zbardhi mëngjesi, filloi dita e zakonshme në qytet. Ëmbëltoret u hapën, kafenetë, dyqanet po ashtu. Rrugët gëlonin nga njerëzit, biçikletat e automjetet, ndërsa disa anije lundronin tutje-tëhu në lumin me ujë blu. Në njërin nga trotuaret po kalonte një zotëri trupmadh me syze të rrumbullakëta ala Xhon Lenon. Nga pamja dukej si njeri i biznesit. Vërehej se e njihte mirë qytetin por s’kishte qenë prej kohësh. Dukej sheshit që po kërkonte diçka teksa shihte përreth ndërtesat. Ndërkohë ecte duke rrëmuar për ndonjë restorant ku do të futej për ta ngrënë mëngjesin; u frikësua kur para këmbëve pa diçka të zezë, fillikat në mes të rrugës. Porsa e shikoi ngultas e vërejti, ishte çantë…  /KultPlus.com

Botuar në revistën letrare “Fryma”

© Ndalohet kopjimi pa lejen e autorit

Të ngjajshme