Çorapët kashmir

29 Mars, 2024 - 3:33 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Profesori Ismajl u ndal përpara shitores Rroba të Vjetra në Kodrën e Trimave. Punojmë nga ora 9-20, shkruante me ngjyrë të kaltër në derë.
Jam i interesuar për pantallona, këmishë dhe pallto, sqaroi sa hyri.
Vajza me bluzë e fund të kaltër që prekte kujdesshëm këmishat ia kuptoi kureshtjen.
Pasi e shikoi mirëkuptueshëm, tha: Ju lutem, ke mirësinë të më ndihmosh?
Nuk mund të ndihmoj gjithaq. Edhe po të kisha mirësi, është e pamundur, ia ktheu vajza me bluzë e
fund të kaltër.
Më falni! Ju lutem!
Edhe unë jam blerëse, sqaroi vajza pas hutimit të profesorit.
Një minutë. Të ndihmoj unë, u afrua djali, i cili më një pako në dorë po dëgjonte durueshëm bisedën. Lëshoi pakon me pizhama plot.
Cili gjerman, zviceran a amerikan i ka veshur këto pizhama? Ku është ai, mendoi profesori.
Shih, kemi kostume të bukura, e këndelli shitësi.
Profesori e ndoqi mbas.
Rroba gjermane dhe zvicerane për burra. Koleksione cilësore, vazhdoi ofertën shitësi.
Rroba gjermane?
Ofrojmë rroba cilësore nga Zvicra, Gjermania dhe Amerika, për femra dhe meshkuj, në formë, ngjyrë dhe
madhësi të ndryshme dhe për të gjitha moshat. Kemi rroba të mira edhe për profilin tuaj.
Profili im? Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë profilin tim, mendoi. Mos të lëndohej, e kuptoi profesori, shitësi nuk i tha: Kemi rroba të mira për moshën tuaj, por për profilin tuaj.
Jam i interesuar për pantallona, këmishë dhe pallto, tha profesori. Kish marrë pensionin 260 euro para dy ditësh.
Ju lutem, tha shitësi. Shih!
Shitësi e trajtonte me mirësjellje, si një blerës serioz. Profesori nisi të ngushtohej nga pritja. 
Kapela keni, nuk e kuptoi nga i erdhi kjo pyetje.
Marka?
Për fytyrën time rrumbullake duhet, një, një, një fedora.
Kapelë, fedora?
Po, përgjigji profesori.
Shitës me dije modeste, sa nuk e tha me zë profesori. Nuk paska dëgjuar asnjëherë për këtë kapelë
E, po fedora doja. Po shoh pak, foli për t’u liruar nga presioni i shitësit.
Nëpër varëse qenë të ndarë pantallonat, palltot, bluzat, këmishat, kostumet, veshjet sportive, xhupat.
Profesori pikasi kravatën e mëndafshtë, të kaltër. Kur ishte i ri, nuk shkonte në klasë pa kravatë. Nxënësit pëshpërisnin në korridor a rrugë: Profesor, kravata! I dëgjonte, por nuk ndjehej as mirë as keq, kur pëshpëritnin: Shih profesor kravata! Ai nuk bënte keq, respektonte kodin etik për veshje: këmishë, xhaketë dhe kravatë me stil. Jakët e këmishës kujdesej ta përputhte me gjerësinë e kravatës.
Por, shitësi nuk e lironte të mendojë përmallshëm.
Dua këmishë prej liri, tha sa syri nuk ia kapi një të tillë në varëse.
Pasi shkoi me kujdes, shitësi përcolli mesazhin me lëvizje kinetike, tundi kokën: Jo, nuk ka.
Profesori ndali në këndin e kapelave. Modeli më i mirë për fytyrë të rrumbullakët është paksa i zgjatur, madhësi mesatare, mendoi.
Kapelë zara pa qëndisje, ndoshta keni?
Këto janë, që i ke përpara, tha shitësi.
Nuk i pava, ia ktheu profesori.
Pas pullave, profesori vrojtoi kopsat një për një. U trishtua kur mendoi, herën e parë bleu kopse gruaje, anë e majtë, ndërsa për këmishën i duheshin, anë e djathtë.
Vendose, e shkundi shitësi i lodhur.
Dua të shoh edhe çorapët. I doja një palë me grykë të shkurtër, tha.
Pasi shitësi as që e dëgjonte, vazhdoi: kashmir. Po. Dy palë.
E sheh, kemi vetëm çorapë pambuku.
I doja kashmir. Do të sillni çorapë kashmir?
Mbase, tha shitësi.
Po ua lë numrin e mobifonit. Nëse keni mirësinë t’më njoftoni kur të keni çorapë kashmir. E do lapsin ta shënoni: profesor, Ismajl Mala.
Profesor Ismajl Mala, Çorapë kashmir, tha shitësi.
Kashmir, tha profesori kur po dilte jashtë. / KultPlus.com

Të ngjajshme