17 Tetor, 2020 - 9:56 am
Nga Çun Lajçi
Jam zhugani, morrani, zhelani..!
Para Hotel Lubotenit, n’Ferizaj, m’afrohet nji zonjë rreth të dyzetave. E veshun me shije. Hetohet se jeton n’Evropë.
Unë i nxjerri librat nga kuferi, tue shpresua se njena prej tyne u shit, dhe i vendosi n’stolin e shetitorës.
Ajo i merr dy “Bastardë” n’dorë. Uh, them unë, dy u shitën!
Ajo i shikon tue i rrotullua librat e mi e duert e veta e m’flet ambël. Nuk pyet për çmimin por i çon mbi kokën e vet dhe i hudhë n’tokë.
M’shikoi e gjatë e shikova.
Mirë bane i them, se asht libër bastardësh! S’e meriton me qenë n’stol ku ulem unë.
Ajo s’lëvizë, vazhdon me m’shikua! Unë s’foli ma, por i marr librat dhe i vendosi n’stol.
Si i porositun afrohet nji qen sharri, shumë i madh, me vathin e plastikës n’vesh. Dihet, asht i kastruem! I pa rrezikshëm!
Zonjë i them, shikoje qenin. Ky deri sa ishte n’mal luftonte me arushën, por ketu secili e shqelmon.
Kështu jam edhe unë, prandaj m’i gjuen librat n’tokë!
Ajo çartet.
Ti s’e meriton me jetua!
Librat tu si lexojnë as fëmijët pesë vjeç!Ke të drejt moj. Ku dinë pesvjeçarët për bastardët e kombit! Por unë fola për qenin, jo për kudrat oj zonjë! I them dhe heshti.
Ajo vazhdon allafrangçe. Shanë si duket n’gjuhën që s’ia kuptova.
Dy burra e largojnë ashpër.
Mos e prekni u them, mos e ngucni, se kjo qenka e derguemja e atyne për t’ cilët shkruej unë!
E ledhatova qenin që ta marr vetën e librat i futa prap n’kufer. U ktheva të Skendërbeu im n’Prishtinë.
Dhe taman sa i nxorra t’shkretat nga kuferi, do t’përzgjedhun t’popullit, me vota t’bleme, (se mbas luftës gjithçka u ble, madje edhe nji ar toke për nji euro), do vipa plot xhepat “dije”, që nguteshin me hi n’Parlamentn, nga larg ma luhaten dorën.
Mos del rrugëve, mos e zhvleftëso vetën me emna kafshësh!
Ne të duem, por jo edhe qentë endacak që urinojnë trotuareve e bagëlojnë shesheve. Je me namë, i qëndisun me qinda role e mija vargje n’librat e vonuem!
Je i kangës i lahutës epike që të ngjeth mishtë.
Je artist që nuk të vdes emni, se librat jetojnë ma gjatë se njeriu.
I qëndisen fjalët mirë, se kështu e kanë ata, ta lyejnë kryet me akull, por s’u afruen me i ble librat. Ikën si t’kisha pasë covid!
Buza m’u përgi n’gaz e s’di n’cilin rol u futa aqë shpejt, por grushtin e djathtë e çova përpjetë, e kambën e majtë e mbajta cufil e bërtita:
Hej, unë s’jam qen, por bir qeni që urinoj n’titujt tuej ble me pare!
Jam zhugani, morrani, zhelani, qelani, artisti që iu futi n’luftë me nji grusht dhé t’kullës s’Jasharajve e me nji plis të djegun Drenice!
M’thoni se s’ishte kështu që t’iu kafshoj si qeni!
Jam poeti që s’ia doni vargjet për atdheun. I doni për juve, për titujt e blemë!
Ju pengojnë librat e mi se duken si vathët e verdhë n’veshët e qenve, që gjasojnë me vathët tuaj prej brilanti e xhevairi!
Por harruat se unë s’jam shalë për kuajt tuaj. Jam opingë, gurrë druni që pika-pika e mbushi lugun e pi bashkë me delet, kuajt lopët, qentë e bahem njeri me mendua me kokën time!
Unë lehi me trimnua tuten time, jo me i kafshua fjalët tueja t’qelbuna për diplomat e bleme. Jam artist me titullin që ma dha populli, jo ju që na bleni me pak e na shitni me shumë! / KultPlus.com