30 Prill, 2018 - 11:00 am
Botuesi “Piramida” nga Prishtina, e cila ka një traditë të gjatë të botimeve të librave sipas kërkesës së lexuesve, këto ditë nxori (si ribotime) dy romane të Ibrahim Kadriut. Fjala është për romanet “Çuni i kohës së Lekës” dhe “Gjallori”, përcjell KultPlus.
Këto dy romane u ribotuan në aje të kërkesës së lexuesve. Përndryshe, romani “Çuni i kohës së Lekës” ka të bëjë me periudhën kohore të Mesjetës, periudha e Lekë Dukagjinit dhe ndodhitë rreth këtij personaliteti të madh historik. Përmbajtja e këtij romani, e cila shtrohet përmes një dinamike ngjarjesh, të bazuara edhe fakte historike, ndihmon në krijimin e pasqyrës mbi të ndodhurat që e bëj në të paharruar atë periudhë të lavdishme kohore të cilës i takon edhe Skënderbeu.
Edhe romani i dytë mbështetet në kohët e hershme, duke e marrë për bazë legjendën mbi trimërinë e djaloshit që kërkon dhe realizon hakmarrje kundër pushtetarëve. Ai, si fëmijë, sheh torturat që ia bëjnë babait, por edhe nënës, andaj bashkë me rritën nxjerr në shesh edhe trimëritë përmes të cilave arrin të mposht sundimtarin kriminel. Romani përshkohet me konflikte të shpeshta, ma aksione të shumta ku vjen në shprehje edhe tradita. Ky roman, në realitet, realizohet si ribotim i tretë./ KultPlus.com