20 Gusht, 2017 - 2:55 pm
Shkruan: Egzon Kryeziu
Ju komandantë, në ditën që do bëni pazaret dhe do uleni në kolltuqe, atë mbrëmje shtrojeni një darkë, bëjeni me doemos.
Të jetë darkë lamtumire.
Të pastrehët e skamnorët, ftojini,u folni për lukset tuaja modeste, mandej shihni me ngërdheshje teksa i perbijnë lotët.
Ftojini edhe fëmijët, gratë e burrat, ata me flokë të rëna nga kanceri a leukemia dhe u tregoni drejtë, thuajini që do të vdesin në mungesë spitalesh.
Studentët t’i ulni në rendet e para, shikojini drejtë në sy dhe kërkoni prej tyne të heqin dorë nga ëndrrat.
Policët, gjykatësit, prokurorët, mjekët, profesorët e doganierët, dehni, pastaj ashtu të dehun prej secilit kërkoni betimin për servilosje, detyrojini të nënshkruajnë.
Akademikëve t’i bëni vend në qoshe, t’i ngopni, pastaj prisni derisa të degustojnë verën, mandej ua leni bakshishet, kështu e bleni heshtjen e tyne.
Gazetarët e ata që guxojnë të ngrisin zërin pritni tek dera dhe goditini fortë me çka të mundeni, frikësojini.
Këtë le ta bëjnë zagarët tuaj, ju mos e prishni terezinë.
Festoni për kolltuqet e për pushtetin, ngreni dolli , çlirimtarë e tradhëtarë krahë për krahë.
Ju tuxharë që mbani kuletën, darkën ta paguani me paratë tona, hallall ua bëjmë.
Në darkë të na ftoni, aman.
Dorën me të cilën luftuat na vëni përpara, ne ua puthim, atë tjetrën me të cilën vodhët ta fshehni bëni mirë se me te nenshkruat turpin.
Ndaj mos na fyeni pse ua themi në sy qe iu kanë vdekur idealet, komandantë.