11 Tetor, 2019 - 6:00 pm
Shkruan Anrida Lopçi
Askush s’e din nga kush lind dhe ku lind. Çapat e parë këndon tinguj, e ndër tinguj sytë gugasin shikimet për gjithçka që të rrethon. Rrethi asht dritëgjanë, sepse shumëgjaja i takon gjakut. Vërshon kristal ndër vena, bash si katarakti kur i ngufojnë mushknitë me orteqe shtriguele borë. Njashtu avashlleku i rritjes ta shtrëngon doren fort. E në këtë shtrëngim janë prindërit, jo të rastësishëm, siç mund të jetë një shok, një mik, i cili hyn e del tek dera e jetes sa herë ernat e shkapesin tek ti.
Andaj të jepet mundësia m’i pasë pranishëm, përzemër në tavolinë me goten e ujit para, shtruem sofrabesi nga duert e asaj, ka zhgulë shpirtin me muej tanë, tue dhanë gjî. Bashkëfolës, përshtatje me tekat e moshes, në rrugë kasavet mikëqyrjes e në bibliotekë përkushtim i dijes.
Janë téshë e çmueshme. Varen pa pikë peshe në kapilarët zemër dhe s’ke dëshirë askush me t’i cik, sepse s’kanë çmim. Gjithkund ulen ato. Edhe aty kur kujton se mund t’ia dalësh vetë sipas numrit kundres katërdhetë.
S’harrojnë kurrë, se ndër duert e fjalës, tek jesteku i frymes kanë krijesen pasuni, edhe atëherë kur sakrifica asht e tejskajshme.
A e dini si e mbyllin diten?
Po ua diftoj, unë…me një puthje në ballë, apo një lujtje syni. E kjo ban, mu shtri bri tyne tue u shkri gazit…mu krenue se kujt i përkas, çfarë gjuhe flas, në çfarë toke ngihem me frymë.
“Dashnia thojnë, se vjen nga stomaku!”
Kurse, unë them:
“Dashnia për atdheun vjen nga prindërit!”
Krejt asht bota tyne e thjeshtë. Prehesh tek prehni lodhje dite, vetem kur shikon se në çdo injiktim mbet leximi i përralles, temë e ditës këshilla, për atë pasqyrë ku shef vedin, (edukata, respekti, dinjiteti), ndaj çdogjaje, ndaj çdokujt, ndaj edhe kësaj toke me damarë shkëmborë, relikë e të kaluemes, me kamb në tokë e tashmja, tue e pá në sy të ardhmen.
E kështu kupton se ku ke lind. Mos mohimi dhe pohimi ndaj damarëve tokë, ku asht shkapet kryet, asht diplomaci në vedi. Asht diçka intriguese, nuhatje e thellë, që të lenë shije të hollë në buzë, sa përshkon çdo qelizë…e në fund të fundit ndihesh mirë me vedi dhe me ato, të cilët flasin një gjuhë krejt ndryshe nga ti, por me qiell të përbashkët.
Pse jo, e mertojmë edhe me shit pak mendtë.
Çfarë kanë ato më shumë? …sa herë ma përsërit, baba, pyetjen.
Me të thanë të drejten s’përgjigjem. Por, tek tik-taku i trunit, them asgja.
Askënd s’mund të fajësoj.
Si mundem të fajësoj prindërit?…më thoni!
Flasin lehtë, mos m’i ndie kojshia, za të urtë për gjithkendin dhe me sy kajherë të përlotun për mrekullitë natyrore.
Si mundem të fajësoj gjyshërit?
Tregojnë në ato netët tepër të gjata dimërore, me kshtenja përpara, për artin, kulturen, njeriun zotni, shtëpitë me avulli të nalta edhe për Zotin, mërësi mes dy dashnive…musliman e katolik.
Si mundem të fajësoj stërgjyshërit?
Kanë negativat tek fototeka Marubi. Më ban përshtypje veshja aristokrate…kapoten gup, kapelen repuplika e shoqëron bastuni. Modelet e kostumeve, takave dhe çorapet nejlon kurrizë peshku nga revistat italiane.
Ça mos m’i dasht Atdheun!
“Fatet na kanë zgjedhun, na arritme m’i sajue me gojë të mbyllun!”
Dëgjesë nga nanëbabia, kur bubrronte meshën ndër dhambë mes atyne darkave vetem me një çorbë e bukë të rreshkun mirë.
Edhe atdheun s’mundem ta fajësoj, sepse ndër mote bedenave të brishta janë ndërtue kalatë, futje gjiithfarë sorollop gurësh…veç me vjedhë, pa u ngî kurrë.
A thu më ra përhise, sot, 16-vjeçare, ta shfletoj historinë e ti…apo ta denoj politiken…apo duhet pyet Europa?
Ecin në të njejten rrugë prindërit e atdheu. Pa prindër s’do të kisha atdhe, e pa atdhe s’do të kisha indentitet, gjuhë, mëmësi.
Lum kush e vjerrë në gjoks kryqin e atdheut kurdoherë, kur varka me vela liqeni e degtisë…e në krahun pulëbardhë fluturon bashkë me strajcen mbush germa të arta.
“Udha e mbarë se erdh prandvera,
shko dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit në dhena të tjera,
fusha male tue këndue.
Në Shqypni shko pra fluturim,
shko në Shkodër në qytetin tim!”
Mos harro, merr një cop atdhe në valixhe…ta xen, ta xen! /KultPlus.com