15 Korrik, 2022 - 11:41 pm
Një prej librave të cilin e kujtojmë çdoherë me dashuri dhe me nostalgji është “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli.
Ditari i Dijes dhe dashuria e saj për Shpendin na kanë bërë gjithmonë të ndihemi mirë.
Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga ligje të egra që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nisë të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave…
Po e sjellim këtu një pasazh nga romani i Haki Stërmillit, gjithmonë një dashuri letrare për shumë gjenerata shqiptare.
“Fati i lig që na lufton besomë se do të përkulet e do të ndrydhet para vullnetit që buron nga zemrat tona të mbushuna me flakë dashunie. Nji milion herë ma mirë do të ishte përjetësimi i asaj jete, ashtu sikundër ishte, sesa kjo gjendje që nuk na lejon as të shifemi me shoqi-shoqin. Hera-herë mërzitem pa masë dhe më duket sikur do të rroposet krejt bota e andrrave tona lumnuese, ajo botë e bukur që krijuen zemrat tona. Sot jam mjaft i mërzitun, pse mbramë – vetëm mbramë – nuk të pashë në andërr. Fillimi i ambël i këtij mëngjesi, sigurisht do të dojë me t’i sjellë puthjet e nxehta të kësaj zemre që asht plot mall e dashtuni për ty, o engjëlli im.”