14 Shkurt, 2021 - 2:49 pm
Shkroi: Daniela Bakiq
Përktheu dhe përshtati: Nermine Aliji Ademi
A e din ti se çfarë dite është sot?
E dielë ..?
Unë nuk po të pyes për këtë po … cila data është sot?
Tre… jo, katërmbëdhjetë shkurt.
Epo ….?
Çfarë epo ..?
Ti nuk më bleve asgjë. Dita e Shën Valentinit është sot.
Mirë edhe ..?
Epo asgjë. Veç thashë…
Shumë gra dhe vajza do të zemërohen sot, shumë burra do të sjellin në shtëpi dhurata dikur vonë në mesnatë në minutat e fundit para mesnate ose pesë minuta n’dymbëdhjetë, duke u përpjekur t’i rregullojnë gjërat siç duhet, ngase kanë harruar çfarë dite është sot. Shumë do të thonë “nëse do të më doje, do të…”, “faleminderit, nuk ke pse”, “nëse duhet të të kujtoj atëherë le krejt këtë punë”. Pastaj ata do t’i shmangen shtëpisë në heshtje, duke u larguar nga njëri-tjetri. Ajo do të mendojë për burrin me të cilin u martua se nuk është aspak romantik, se nuk ka kokërr romance në të. Ai do të mendojë çka është lidhur për këtë date idiote?! Pff “14 shkurti” kur unë edhe ashtu nuk po di ka t’ia mbaj….nga gjithë problmet tjera që kam…!
Dhe pse duhet të vijë deri te kjo …? Dita e Shën Valentinit është për të dashuruarit. Dashuria është një emocion i shtrenjtë ose fëmijëror. Dashuria është dritëshkurtër. E gatshme për gjithçka. Sheh vetëm atë që i pëlqen. Në fakt, dashuria nuk sheh asgjë dhe nuk njeh askë. Me përjashtim të dhuratës së mbështjellë me letër shumëngjyrëshe, pikërisht atë ditë, e katërmbëdhjeta me radhë, e muajit shkurt. Dhe kjo është arsyeja pse dashuria kërkon provë, kudo dhe në çdo hap. Dhe pse duhet të jetë kështu…?
Ne, luftëtarët e kalitur, e dimë që dashuria është diçka tjetër, shumë më tepër se kaq. Dashuria është kur përgatit dy kafe në vend që të bësh një. Dashuria është kur nuk pyet pse kaq shumë qëndron në punë. Dashuria është kur nuk e pyet nëse ajo e di që ajo ka një familje – atje në shtëpi. Dashuria është kur e dëgjon atë. Kur nuk përpiqesh të japësh përgjigjen e duhur në secilën pyetje të saj, nuk jeni në kuiz diturie, për Zotit, aman..! Dashuria është kur dilni në -10 dhe pastroni borën nga makina e saj, në mënyrë që ajo të mos ketë nevojë ta bëjë vetë, që ajo të mos ketë të ftohtë herët në mëngjes. Dashuria është kur qëron patate, për të përgatitur drekën, kur ajo është vonuar në punë. Kur rregullon mbulesën mbi divan. Kur e rregullon dhe pastron shtëpinë para se të vijë ajo. Kur e pret me ndonjë drekë, nuk ia di emrin gjellës së përgatitur por, thjesht e keni mbushur tenxheren plot perime, pak mish e bash ashtu siç e bën ajo. Ju nuk duhet të jeni maestro kuzhine, mund ta bëni ashtu siç e keni mbajtur në mend, e vëzhgoni atë kur nuk ju sheh, nuk është aq e vështirë, mjafton pak dashuri dhe pastaj …- pak qepë, pak mish, pak perime – nga pak nga gjithë gjërat që ke në shtëpi, dhe dreka është aty. Dashuria është kur lëshoni lavatriçen. Kur i shtrieni rrobat në tel që të thahen, sepse ajo nuk ka arritur ta bëjë vetë. Kur ndërroni çarçafët. Kur thoni “le se e bëj unë”… Kur i thoni fëmijëve “më qetë, se nëna juaj po fle”.
Dashuria është kur shikon gruan me të cilën ke qenë për kaq shumë vite dhe nuk sheh asgjë – nuk sheh rrudhat, nuk sheh të thinjurat, nuk sheh asgjë, por vetëm atë vajzën e një milion viteve më pare, e cila ju ra në sy dhe në zemër ju mbeti përgjithnjë. Dashuria është kur ajo ndryshon në sytë tuaj, nuk ka më atë belin e hollë, pas lindjeve që ka pasur zgjerohet në ije, krahët e saj janë të çalë dhe lëkura në qafë duket çuditshëm kur ajo kthen kokën anash, por për ju prap është e njëjta ajo – vetëm e juaja. Dashuria është kur nuk mat më gjithçka që ai apo ajo thotë ose kur thjesht vetëm hesht. Dashuria është kur e kuptoni njëri-tjetrin pa shumë fjalë. Kur ajo nuk flet asgjë derisa mbush një gotë vere Rose të ftohtë para jush, është e premte, e dini që ajo ka pasur një javë të ngarkuar, e dini që nuk mund të bëni më shumë për të, ose të bëni punën në vend të saj, e dini sa është barra që bart ajo mbi supe. Ti nuk je “lifecouch”, ti je personi i zakonshëm me të cilin ajo jeton, ka fëmijë, paguan kredinë, por dora jote mbi supet e saj dhe fjalia jote se “gjithçka do të jetë mirë, mos u shqetëso, ruaj shëndetin tënd” – ka veti shëruese shumë më të madhe sesa të gjitha tretmanet e ilaçet e shkruara në recetë.
Dashuria e luhatur për gjithë ato vite, shprehitë, përshtatja me njëri-tjetrin, dashuria e cila ka vlerë për aq shumë gjëra, gjëra të bukura dhe të shëmtuara, dashuria që ju mbante së bashku, dashuri është edhe ajo kur rrugët e tua u ndanë dhe secili shkoi rrugës së vet më pas, pa thënë asnjë fjalë. Dashuri e cila të jepte fuqi, kur të tjerët nuk e kishin. E cila besoi tek e pabesueshmja. E njëjta dashuri që u bëri ballë të gjithë atyre që nuk besuan se ju do të keni një të ardhme të ndritur “, “këtyre nuk do i zgjasë kjo lidhje shumë” – thanë ata duke tundur duart. Kjo dashuri dhe asgjë tjetër përveç dashurisë, është fajtore dhe meritore që ju jeni akoma aty bashkë në të njejtën lidhje si dikur dhe s’ju bëhet vonë as se cila ditë, cila datë apo cili muaj i vitit është, sot.
Prandaj mua nuk më intereson fare se çfarë dite është sot. Kjo është arsyeja pse nuk ndihem më pak e vlefshme sepse nuk mora çokollata në formë zemre. Sepse, kam gjithçka që mund të më jepte jeta. E plotësuar ja! Dashuria nuk më erdhi e mbështjellë me letër shumëngjyrëshe. Bile as fjongo nuk kishte. Nuk kisha as unë. Ne erdhëm tek njëri-tjetri në një pako me të gjitha të metat tona, secili me familjarët e tij, me frikën e tij, me gjurmë nga e kaluara, të papërsosur dhe të pa lustruar, pa paramendime, pa pasur idenë se ku do të na dërgonte kjo lidhje dashurie, por ja që ne erdhëm, deri këtu ku jemi sot. Dhe kjo ishte e gjitha. Kështu jemi dhe sot, njëzet e pesë vjet më vonë.
Epo, sa për dijeni, sot është e dielë për mua.
Nuk dua të them asgjë me këtë, po veç thashë …/ KultPlus.com