17 Prill, 2020 - 10:38 am
Nga Jusuf Buxhovi
Vala e tretë kishte sjellë edhe më pak të prekur nga sëmundja. Ishte më se e qartë se grithja po e bënte të veten, edhe pse nuk na shkonte mendja se tashmë ia kishim dalë… Përkundrazi, Lami, Shehë Alia, Rremë Kusari dhe të tjerët nga Paria e Shehrit druanin se ma të keqes nuk i kishim ikur, ngaqë Kajmekami dhe Izet Aga vazhdimisht flisnin për “vullnetin e Allahut”, ndërsa ne e dinim se pas atyre fjalëve fshehej hesapi i disave nga hyqymeti, të cilët, nuk do të hiqnin dorë prej saj, pa marrë parasysh se me çfarë mjete do ta arrinin, ngaqë u kushtonte me kokë…
“Mendja e ligë çka s’pjell… E keqpërdor edhe të Madhin dhe vullnetin e tij… Medet…”, fliste Lami me dëshpërim.
Sheh Alia thoshte se duhet vazhdue me grithjën edhe në pjesët tjera në drejtim të Malësisë, Pejës dhe Prizrenit…
“Nuk humbim gja me të… Ma mirë me veprue se me u dorëzue… Ketë e kemi për detyrë…”
Kur u ndamë te Ura e Namazxhasë dhe mora drejtimin për në kishë, mbeta i ngujem te pjesa e Kullës së Begut. Zabitët kishin mbyllë rrugën kah Çarshia e Madhe. Moria e njerëzve po përcillte parakalimin e qerreve me mushama të mbushura me të sëmurët, apo të vdekurit, që në rrugë për në spitalin e Shkukzës, ku përfundonin në gropat e gëlqeres, ishin ndalur para Xhamisë së Hadumit të rrethuara nga daullxhinjë të shumtë.
Tamtamet e daulleve, përcilleshin me ulërimën e trishtueshëm dhe kërcimin shfrenues të shumë fedainjve të paparë deri më atëherë në shehër.
I trishtuar nga pamja e atij ziqri të hapur, drodha rrugën kah Ura e Taliqit për në Kishë. Tamtamet e daulleve nuk kishin të ndalë bashkë me ulërimën e fedainjve me çirrmat :
“Vdekjen e kemi hak!…Vdekja…”
Tamtamet dhe ulërimat e fedainjve për vdekjen para xhamisë së Hadumit zgjatën deri mbas iqindisë. Vazhduan edhe në pjesën tjetër për te ura e Tabakut, deri atëherë kur qerret me mushama humbën në drejtim të Shkuzës.
“Tmerr, atë, tmerr. Kremtohet vdekja!”, tha padër Coli me buzë në vaj.
“Po i frikësohen fitores së jetës”, ia ktheva edhe pse nuk isha i sigurtë se kush po i thoshte këto fjalë: njeri i uratës, apo luftëtari, që tashmë ishin ngatërruar në mua?…
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com