15 Nëntor, 2023 - 10:20 pm
Botimi në gjuhën shqipe i “Daulles prej llamarine” të nobelistit gjerman Gunter Grass mund të cilësohet si një prej ngjarjeve të Panairit të Librit në Tiranë. Në qendër të veprës është Oskar Macerati, i cili në moshën trevjeçare vendos të mos rritet më. Duke mbetur në trupin një fëmije, personazhi grotesk mban gjithnjë një daulle llamarine dhe e sheh botën “nga poshtë” me një kritikë të pamëshirshme.
“Autori futet në mizerjen e jetës ku ajri është më i ndotur, ai i shkon jetës në thelb nëpërmjet një personazhi atipik që në fund të fundit është mishërim i pjesës që ajo shoqëri krijoi mes dy luftrave botërore. Të përshkruash ngjarje të mëdha të jetës së atij vendi me psikologjinë e një fëmijë që s’do të rrit. Kjo është e veçanta e kësaj vepre”, Anna Kove, përkthyese e tij.
I mbyllur në një klinikë të shëndetit mendor ai e rrëfen ngjarjen kur është 28 vjeç, dhe ndërsa merret me historinë e familjes së tij shpërfaq edhe atë të Gjermanisë, duke trajtuar edhe temën e madhe të “fajit gjerman”. Përkthyesja ndalet te alegoritë.
“Ky është simboli më i bukur që nuk ka krijuar ndonjëherë letërsia botërore, një daulle prej llamarine fëmijë rrëfen ngjarjet më të mëdha. edhe gjëra që në retrospektive fëmija nuk i mban mend, ja tregon zhurma e daulles, ehoja që çdo individ ka brenda vetes dhe do të nxjerrë. Dhe Grass përmes personazhit ka zgjedhur këtë daulle llamarine”, thotë Ana Kove.
Mjeshtri gjerman i prozës përmes “Daulles prej llamarine”, botuar nga ‘Albas’, bart fuqinë e provokimit e blasfemisë që janë relative, por të përshkuara me një stil të shkëlqyer, me kritikë sa të kthjellët po aq mizore, dhe një imagjinatë të pakontrollueshme mbetet i pakrahasueshëm./balkanweb/KultPlus.com