3 Nëntor, 2024 - 4:26 pm
Guy Mattison Davenport (1927 – 2005), shkrimtar, përkthyes, ilustrator, piktor, intelektual dhe mësimdhënës amerikan.
GJETHE TË BRONZTA DHE TË KUQE
Nga Guy Davenport
Ai fle në shtratin portativ të hekurtë dhe të ardhurat e tij të vetme janë rroga që shteti ia jep për përdorimin e portretit të tij në pullat tona postare. Ata thonë se ai mund të qëndrojë me orë duke e nderuar bustin e Nietzsches. Ia ka ëndja të bëjë muhabet me miqtë e tij në telefon. Dekorata e vetëm që mban është Kryqi i Hekurtë i tij. Ky dhe një shirit dore i Partisë janë shenjat e vetme që e zbukurojnë thjeshtësinë e mërzitshme të uniformës së tij. Kompozitori i tij i preferuar është Anton Bruchkneri, dallga e fortë dhe progresioni harmonik i simfonive të të cilit ia kujton atij Gjermaninë e moçme, pyjet dhe bjeshkët, kafenetë me gazeta, lojëra shahu, kuvendime metafizike dhe revista shkencore, Gjermaninë e vjeshtave të lezetshme dhe mjegullat ku fshtarave të vogla rrugët e ngushta janë të kufizuara me pemë, gjethet e bronzta dhe të kuqe të të cilave shkëlqejnë me një lloj lavdie në diellin e pasditës.
Një pasdite i kishte vizituar që të dyja, vejushën e Wagnerit dhe motrën e Nietzsches. Zakonisht rrugës e ndalnin fshatarët të etur që ta adhurojnë. E dinë se ai ka një dobësi për biskotat dhe i dhurojnë pjatanca të tëra. Ai bën shaka se do ta humbë formën, ai që është aq i hajthëm dhe i pakët. Sidoqoftë, ai pranon dhe e mbllaçit një biskotë dhe gratë e moshuara i vënë duart në fytyrat e tyre. Ai është i dhënë sidomos pas fëmijëve. Sytë e tij ndrijnë kur e sheh një vajzë të vogël bionde me sy të kaltër.
Me të venë e Wagnerit diskuton për Unazën, me motrën e Nietzsches çështjen politike të hebrenjve. Kërkon të shohë tryezën e shkrimit të filozofit, makinën e tij primitive të shkrimit, shpatën e tij të duelit nga ditët studentore, pelerinën e tij italiane. Ia tregojnë tasin e çajit të filozofit dhe ai me një nderim të bashkëlindur ua shpjegon se ai nuk pi çaj as kafe, as nuk tymos, as nuk pi alkool, përveç ndonjë bokalli birre në shoqëri të anëtarëve të Partisë.
Jeta e tij është e përkorë. Ka që thonë se e ka mike të zemrës një aktore të bukur, e qeshura gazmore dhe manierat e lezetshme të së cilës ia heqin mendjen nga punët e shtetit pas një dite të revizionimit të batalioneve bavareze të punës, takimit me diplomatë, gjeneralë dhe arkitektë, të inspektimit të armatimeve, komuniteteve model dhe barrakave.
Ai i di të gjitha. Studimi i tij i bolshevizmit, financave shtetërore, mbrojtjes, pastërtisë racore, fatit, shpirtit gjerman, muzikës, planifikimit të qytetit, historisë ushtarake dhe nutricitetit ka qenë i thellë.
Ai flet vetëm gjermanisht. Të gjithë neve na duket mahnitëse që e vetmja fjalë e huaj që ai di është fjala angleze gentelman. E respekton mësimin te të tjerët. Që nga koha e Frederikut të Madh nuk kemi pasur një lider të tillë intelektual. E adhuron Musolinin për dhuntinë e tij të gjuhëve, talentin e tij letrar, gjeninë e tij organizative, prirjen e tij klasike për parada triumfale dhe dinjitetin e moçëm romak.
Sensi i tij i humorit është i lezetshëm. Njëherë, duke ngarë mercedesin e tij, me një kapele aviatori që t’ia mbante flokët të shtruara, mbi shpejtësinë e lejuar vetëm për pak milje, ishte tërhequr për krahu nga një polic me motoçikletë.
– Ndiqmë, i kishte thënë polici, për në gjykatë në qytetin më të afërt, ku do ta hash një dru të mirë.
– Ndiqmë, e kishte udhëzuar ai shoferin e tij tetar.
Polici, siç po e shihni, nuk e njihte kush ishte me atë mercedes, për shkak të kapuçit të aviatorit, por roja në gjykatë e pa se kush ishte duke hyrë në ndërtesë dhe e përshëndeti, gjykatësi po ashtu e përshëndeti dhe të gjithë mbetën të shtangur.
– Jam arrestuar për tejkalim të shpejtësisë, i tha ai gjykatësit, i cili e hapi gojën si peshk, pa mundur të nxirrte një fjalë. Kur i erdhi zëri, gjykatësi pëshpëriti një fjalë që tingëlloi si gabim.
– Jo aspak, tha ai. Ne e kishim tejkaluar shpejtësinë dhe pos kësaj unë nuk po ia vija syrin matësit të shpejtësisë; s’do t’ia hedh fajin shoferit tim tetar, por do ta marr përgjejgësinë vetë, si qytetar i rregullt. Gjermanët janë respektues të ligjeve, apo jo?
– Po!, britën të gjithë.
– Sieg!, thirri ai.
– Heil!, ia priti ai.
Kësodore e pagoi gjobën. Gjatë kthimit për te makina u ndalua nga një vajzë e vogël me flokë të verdha dhe sy të kaltër, e cila ia dha atij një biskotë nga një pjatë filxhani. Ai e hëngër atë, e ngriti lart vajzën dhe e puthi. Nëna e saj dhe gjithë njerëzit e qytetit po e shikonin në ekstazë. Ai i valëviti duart teksa po largohej drejt Berlinit dhe përgjegjësive të tij të pashpirta të zyrës.
Ai është njohës i arteve të bukura dhe goxha shpesh e ka lënë pa mend profesorin e estetikës. Është i dhënë pas pikturave të gaztorëve vajtues, një subjekt në të cilin, pohon ai, do të shkëlqente Rembrandti po të ishte sot në mesin tonë. Koleksionon natyra të vdekura të bokallëve të birrës dhe rrushit me musht në kalaveshë, pjesë kuvendimi që paraqesin një tablo familjare. Nuk e tërheqin shkarravinat cinike të tjetëranësve aq në modë gjatë depresionit të pasluftës. E njeh vizatimin kur e sheh, ngjyrat dhe proporcionet. Është një karakteristikë sharmante e shijes së tij vieneze se ai ka një dobësi për operat e lehta dhe filmat me tema romantike.
Fjalimet e tij janë elektrizuese. Zotërimi i hollësive i mban inxhinierët dhe taktikantët maje gishtave. Dorëpunuesit dhe bankierët dalin nga konferencat e tij duke dihatur nga njohjet e tij të thella të vetë profesioneve të tyre.
Gjatë vakteve të ngrënies është briliant. Ia ka ëndja të argëtojë mysafirët e tij me histori dhe filozofi, të cilat ai mund t’ia bëjë të thjeshta dhe magjepsëse edhe mendjes më të pagdhendur. Madje ai mund të flasë për peizazhet malore si poet, për aktorët dhe drejtuesit e orkestrave, dizajnin e qilimave, përbërësit e salcës së sallatës.
Ai është vegjetarian, nuk e honeps dot mizorinë e therjes. Planifikon që pas pensionimit të kthehet te piktura, t’ia lërë ca skena të mira muzeut të Shtetit në pronësi. Është ironike, nuk është, se shpirti i tij është thelbësisht bohemian, artistik dhe ëndërrimtar. Ai thotë se do të mund të kishte qenë i lumtur duke çuar një jetë të thjeshtë në ndonjë çardak, duke i takuar shokët e tij artistë në kafene, duke klloçitur pafundësisht në misteret e dritës dhe hijes. Po prapëseprapë kjo mendje ishte ajo që fati e kishte zgjedhur të shihte të vërtetën e historisë nga perspektiva më e pastër dhe ai nuk i bëri bisht Detyrës kur Ajo erdhi me kushtrim dhe flamur në momentin kur Gjermania zuri vendin kryesor në mesin e kombeve. Gjermania mbi të gjitha.
Druajtja e tij u ka hyrë në zemër shumicës. Njëherë, kur ai ishte një politikan në ngritje, i ra në sy një zonje në shoqëri, e cila e ftoi në një mbrëmje në vilën e saj. Ai shkoi atje në rroba formale, me gjasë si një befasi për përgojuesit e tij. I mbajti duart të lidhura me modesti për krahëve të vet, duke refuzuar kështu likerët dhe nikotinën që ia orfonin në mënyrë periodike shërbëtorët në livre, që lëviznin në mesin e ahengtarëve. Përveç ndonjë llomotitje të padomethënie me socialitë të ndryshëm, ai nuk tha asgjë gjatë gjithë mbrëmjes derisa mori fund ndeja, kur ai zuri një pozicion pranë derës dhe mbajti një ligjëratë të bukur kundër hebrenjve, komunizmit, ateizmit, rrenës në shtyp dhe imoralitetit flagrant në spektakël dhe arte. Toni i kotësisë, i cili e kishte mbizotëruar gjithë kremtën papritur, mund të jeni të sigurt për këtë, ishte tretur. Shprehjet mendimtare morën nën zotërim fytyrat që ca momente më parë kishin qenë të shpërqendruara dhe budallepsura. Qe një performancë e mahnitshme.
Ka goxha shumë rezyme të skeptikëve që shkonin në grupet studimore të Liderit për t’u zbavitur që pastaj konvertoheshin dhe bëheshin njerëz të rinj.
Ai nuk është kurrë humbës. Kur hipi në podium për t’i thurur eulogji Hindenburgut në funeralin madhështor, ai e hapi dosjen e tij për të zbuluar se disa shkrues të pakujdesshëm kishin futur në të jo fjalët e tij të përzgjedhura me merak, por atë që dukej të ishte një raport financiar nga Gauletieri i Weimarit. Ai foli ex tempore dhe askush prej mijëra të tjerëve para tij nuk qenë më të mençur.
Ai mund të përshëndesë me dorën lart me orë të tëra kur e qet armatën në revistë.
Ai është në shëndet të përsosur dhe kurrë nuk vizitohet te mjeku, përveç për të folur për shëndetin e popullit. Ai dhe doktori zakonisht ia fusin një të qeshure të mirë. Populli gjerman është aq i shëndetshëm, atëherë kujt i duhet doktori?
Ai është njeri i tolerancës shembullore. Kur një deputet njëherë e pyeti nëse arti francez duhej vihej në të njëjtin nivel me atë të idealeve Nacional Socialiste, përgjigjja qe kjo:
– Qoftë larg meje të diktoj shijen e një populli aq mendjemprehtë dhe të kulturuar!
Ai mendon se Opera e Parisit është ndërtesa më e bukur në botë. E pëlqen dizajnin e avancuar të avulloreve tejoqeanike dhe aeroplanëve. Ia ka ëndja të ketë në tavolinën e tij në Kancelari një vazo me krizantema që përhapin dritë të artë përmes dritareve.
Mendjet tona rezonojnë me opinionet e tij. Spanja nën Frankon do ta shpëtojë perëndimin katolik siç kishte bërë në kohën e Filipit. Mund ta dalloni qëndrueshmërinë e bujkut rus nga mjekra e tij. Psikanaliza është fëlliqësi hebreje që po mundohet të shitet si shkencë. Italianët janë romantikë dhe ngrehalucë. Shpirti gjerman është shprehur nga Wagneri më së miri. Përgjegjësia dhe vigjilenca e karakterizojnë gjermanin, marifetllëqet dhe hipokrizia hebreun, ngathtësia dhe të qenët të pashije intelligentsian ruse, plogështia dhe të qenët të pamend amerikanin, mendjemadhësia dhe sipërfaqësia anglezin, injoranca dhe kotësia polakun.
Dr. Goebbels varet pas secilës fjalë të tij. Goeringu e do si vëllain e vet. Stafi i tij i besueshëm i gëzohen pranisë së tij.
Nuk është e vërtetë se mustaqja e tij katrore është kopjuar nga Chaplini, ose se mitingjet partiake rrjedhin nga këngët dhe duartrokitjet e lojërave të futbollit amerikan. Hobit e Liderit janë fundjavët në bjeshkë, regjistrimet fonografe, automobilizmi, filmat në shtëpi dhe dizajnimi i ndërtesave neoklasike. Derisa i dëgjon me tërë vëmendjen ministrat e tij në konferencë, duart e tij vizatojnë harqe triumfuese në bllokun e tij. Ka vesh për vargun masiv të Gëtes. Është i dhënë pas qenve.
Spengleri na e kujton se është një veçori gjermane të jetë i vetëdijshëm për momentin historik teksa është duke ndodhur. Kaq thjesht. A ka pasur ndonjëherë fjalë më të vërteta? Këtë tetor ka një eksitim elektrik në ajër, një ëmbëlsi kudo përreth. Ne jemi, si gjithmonë, një popull i përkorë studiuesish, me njoki, birrë dhe pudingë të mirë të mëdhenj të gjakosur, ansamblet e harqeve, të cilat madje edhe në fshatrat më të mjera mund të japin mbrëmje të paharrueshme të Brahmsit dhe Beethovenit, shkollat dhe universitetet tona të pakrahasueshme, rininë tonë kaq të fuqishme, të shëndetshme dhe të bukur. Dhe gjithçka është qëllim, qëllim, një qëllim, mbase më i madhi që është ndërmarrë ndonjëherë prej se ekziston bota.
Dhe diku në këtë vjeshtë të shkëlqyeshme, përgjatë rrugëve që flakërijnë nga gjethnajat e bronzta dhe të kuqe përmes të cilave i bart era, gjendet Lideri, i vozitur nga shoferi i tij krenar tetar. Ai e do Gjermaninë dhe e di se Gjermania e do atë. Ndalet të llafosë me fëmijët, bujqit, gjyshet e dashura, shërbëtoret flakë të skuqura të cilat i nxit të lindin fëmijë truplidhur për atdheun.
Me gjasë ka reshtur së shikuari Frau Frau Elsbeth Förster-Nietzschen, pasioni i së cilës për të gjitha gjërat teutonike është pothuajse po aq i ethshem sa ai i tij. U ulën përposh pemës vjeshtore në ajrin e pastër, me një pjatë me biskota dhe një shishe ujë mineral. Motra e shquar e çon shaminë te njëri sy, duke e kujtuar Fritzin. Lideri qëndron rehatshëm, me këmbët e lidhura kryq, një pozë që ia lejon vetvetes vetëm në shoqëri të të barabartëve dhe miqve. Rëndom ai është i druajtur me gratë (një shkrimtar dinak ka thënë se ideja transhendente e Gjermanisë është gruaja e tij), por me motrën e Nietzsches ai e ka të lehtë.
Ata ndihen se shpirti i tij është me ta dhe ua citon të dyve aforizmin më të fuqishëm që Frau Förster-Nietzsche e ka kompiluar në Der Wille zur Macht. E njohin veprën me zemër. Nga dëshmitarë të privilegjuar është thënë se zërat e tyre bëjnë një lloj muzike. Mendje të fisme, fjalë të fisme, zemra të fisme! Por ky idil për një poet, kjo copëz kuvendimi me temë historike për një piktor, nuk mbetet tërësisht në nivelin e sublimës. Si të gjithë njerëzit e tjerë të qytetruar, ata këmbejnë ca batuta dhe e qeshura sharmante e liderit është si ato frazat e hareshme të këngëve rustike dhe valleve folklorike gjermane që Beethoveni në harenë e tij s’do të mund t’i hiqte madje as nga kompozimet e tij më serioze.
A do të mund, duke ua kumtuar thelbin e karakterit të liderit fëmijëve dhe studentëve, të arrijmë ta ruajmë me tamam për ta magjinë e kësaj pasdite vjeshte, seriozitetin e lartë të muhabetit përposh pemëve aq lirikisht të bukur, dhe lozonjaritetin njëmend njerëzor të liderit teksa mashtrohet nga motra e Nietzsches për t’ia dhënë edhe një biskotë tjetër?
/Marrë nga Guy Davenport, “The Jules Verne Steam Ballon”, The Johns Hopkins University Press, 1993 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com